Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se Bullgaria është gati t’i bashkëngjitet marrëveshjes ushtarake të firmosur mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Maqedonci ka thënë gjithashtu se pret që edhe vende të tjera të rajonit t’i bashkohen kësaj marrëveshjeje, veçanërisht ato që ndajnë vlera të njëjta.
“Kemi një konfirmim nga Bullgaria, e cila ka diskutuar më herët me ministrin kroat për mundësinë që t’i bashkëngjitet kësaj marrëveshjeje trilaterale, mirëpo besoj plotësisht që edhe vende të tjera të rajonit, sidomos ato që ndajnë vlerat e përbashkëta me ne dhe që ndajnë normalisht edhe interesa të përbashkëta, sepse nuk mjaftojnë vetëm vlerat, do të bashkëngjiten në këtë marrëveshje, le të themi në këtë deklaratë, e cila, edhe njëherë po e theksoj, gjithmonë synim ka paqen, stabilitetin dhe sigurinë”, ka deklaruar Maqedonci për TRT Balkan, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalias.
Më 18 mars, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan marrëveshje për aleancë ushtarake, e cila nxiti reagime edhe nga Serbia.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996.
Por zyrtarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë mohuar se kjo marrëveshje është e natyrës armiqësore për fqinjët.