Arbëri

Maqedonci: Bashkëpunimi me Turqinë garanton vetëqëndrueshmëri për municione të kalibrave të ndryshëm

Ejup Maqedonci ne Turqi

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se industria e mbrojtjes do të vazhdojë të ketë vëmendje të veçantë në prioritetet e Kosovës. E ka theksuar këtë pas takimit që, në kuadër të Forumit Diplomatik, të dielën ka pasur me presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun.

Maqedonci ka bërë të ditur në një postim në Facebook se me të ka diskutuar për bashkëpunimet që mund të zhvillohen midis dy shteteve në fushën e industrisë së mbrojtjes, si dhe për hapat strategjikë që do të kontribuojnë në sigurinë rajonale. 

Ai ka theksuar se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes forcon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, si dhe kontribuon fuqishëm në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të Kosovës, duke krijuar vetëqëndrueshmëri për municione të kalibrave të ndryshëm. Paraprakisht në Antalia, Maqedonci ka takuar edhe homologun e tij turk, Yasar Guler.