Arbëri

Maqedonci: 24 marsi 1999 shënoi momentum të ri për Kosovën

Ejup Maqedonci

Foto: Alban Bujari

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se 24 marsi i vitit 1999 ka shënuar momentum të ri për Kosovën.

Në 26-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, Maqedonci ka thënë se lufta e UÇK-së dhe intervenimi i NATO-s atëkohë ishin e vetmja formë për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë. 

“Lufta e UÇK-së dhe Intervenimi i NATO-s, 26 vite më parë, ishte e vetmja formë që arriti t'i jepte fund spastrimit etnik të Kosovës, të ndërpriste vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimet sistematike, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë dhe me forcë, prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin e Kosovën por rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerëzimit si veprim në mbështetje të vlerave të civilizimit perëndimor, paqes, lirisë dhe demokracisë. Përmes këtij intervenimi NATO përmbushi qëllimin e ekzistencës si aleancë”, thuhet në postimin e Maqedoncit në Facebook.

Ai tutje ka shtuar se Kosova është e përkushtuar ta thellojë bashkëpunimin dhe angazhimin për t’iu bashkuar NATO-s.