Projektligje për rregullimin e çështjeve kryesore të nivelit lokal dhe për vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të komunave i prezantoi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në Komisionin për Administratë Publike. Ai e shpalosi, siç e quajti, avancimin e legjislacionit nga rregullore në Ligj për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunës. E edhe projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe në këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, prezantoi para Komisionit për Administratë Publike dy projektligje që i rregullojnë çështjet kryesore të nivelit lokal, por për të cilat ka kompetenca edhe kjo ministri.
Ai e prezantoi, siç e quajti, avancimin e legjislacionit nga rregullore në Ligj për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunës. E krahas saj, paraqiti edhe për projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe për këmbim të pronës së paluajtshme të komunës.
Në asnjërën pikë, as deputetë të pushtetit e as ata të opozitës nuk patën kritika të theksuara. Por deputeti i LDK-së, Agim Veliu, kërkoi sqarim pse projektligji i parë mund të përdorej për hakmarrje politike mes Qeverise e komunave.
“Mua më intereson në rast të konfliktit mes Komunës dhe Ministrisë në lidhje me një rishqyrtim të një vendimi kisha pas dëshirë pak a shumë me e elaboru në mënyrë ma të zgjeruar nga ministri se si zhvillohet dhe si rrjedhë procedura”, ka thënë Veliu.
Por ministri Krasniqi iu përgjigj se zbatimin e vendimeve të Komunave e anulon apo e pezullon vetëm gjykatat kompetente.
“Jo sepse në fund është Kuvendi i Komunës ai që e merr vendimin edhe nëse ne e kthejmë si të paligjshëm vlerësimin e aktit të komunës është në dorën e tyre ndryshimi ose jo. Sigurisht pas afatit të paraparë, ne e dërgojmë tek Avokatura Shtetërore, Avokatura e dërgon në gjykatë dhe gjykata në fund ka të drejtë të marrë një veprim obligues”, ka sqaruar Krasniqi.
Ministrit iu shtruan pyetje edhe mbi projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe në këmbim të pronës komunale.
“A lejohet me ua dhënë tokën bujqve dhe fermerëve, pasi që lejohet për fusha të tjera për bujqësi nuk e kisha të qartë. Çështja tjetër që me la përshtypje, e kam dëgjuar edhe përreth, e dëgjova edhe sot që Qeveria ka të drejtë të ndërhyjë në raste specifike të energjisë. A është për energji të ripërtritshme apo me energjinë që ka të bëjë me shtrirjen e rrjetit shtetëror”, ka pyetur Lushtaku.
Bazuar në sqarimet nga zyrtarë të MAPL-së, kjo pikë është venë për t’i lehtësuar procedurat shkaku që nga komunat ka shumë kërkesa për shpronësime në tokat ku ka trafo elektrike.