Zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal janë mjaftuar që roli i shoqërisë civile në matjen e performancës së komunave të Kosovës të jetë vetëm si vëzhgues.
Sipas tyre, këtë rol e kanë pasur edhe gjatë matjes së performancës në raportin e publikuar së fundmi e që flet për periduhën janar-dhjetor 2022.
“Bazuar në ligj, pas procesit të vlerësimit dhe verifikimit të dhënave të raportuara ankesat eventuale nga komunat shqyrtohen nga komisioni i ankesave të performancës. Procesi i shqyrtimit të ankesave është i hapur për shoqërinë civile dhe donatorët në cilësinë e vëzhguesve. Pra, edhe gjatë matjes së performancës ka pasur vëzhgues nga shoqëria civile”, thuhet në përgjigjet e MAPL-së.
KOHA ka raportuar ditë më parë për raportin e performancës së komunave, me theks të veçantë transparencën, e ku shoqëria civile dhe gazetarët kanë vlerësuar se pa këta dy indikatorë raporti si i tillë nuk mund të jetë i saktë.
“Fusha e ’Transaparencës Komunale’ në SMPK, matë elementet kryesore që janë përcaktuar më Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe legjislacionin sekondar, në veçanti me Udhëzimin Administrativ të MAPL 03/2020 për transparencë në komuna (tani UA (MAPL) NR.04/2023 për administratë të hapur në komuna. Elementet që e pasqyrojnë më së miri transparencën e punës së komunave për këtë rezultat janë: publikimi i njoftimeve për pjesëmarrje të qytetarëve në mbledhjet e kuvendit komunal dhe komisioneve të tij, konsultimet publike në raport me aktet e miratuara nga Kuvendi Komunal, në veçanti konsultimi për kornizën afatmesme buxhetore dhe buxhetit komunal”, thuhet në përgjigjet e MAPL-së.
Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie matja e performancës komunale është e rregulluar me kornizën ligjore respektivisht me Ligjin Nr. 08/l-103 për Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Komunave dhe Skemën e Grantit të Bazuar në Performancë, aktin nën ligjor U.A Nr. 01/2023 për Menaxhimin e Performancës Komunale dhe Skemën e grantit për performancë komunale si dhe dokumenteve tjera përcjellëse që nxirren në pajtim me kornizën ligjore.
Tutje thuhet se bazuar në ligj, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL-ja) është institucion përgjegjës për matjen e performancës së komunave.
“Ndërsa, komunat e Republikës së Kosovës janë subjekte të matjes së performancës në pajtim me rregullat e SMPK-së të përcaktuara në këtë ligj dhe me akt nënligjor. Sistemi i Menaxhimit të Performancës së komunave është instrument për vlerësimin e performancës së komunave bazuar në fusha, tregues dhe të dhëna. Procesi i matjes së performancës organizohet në baza të rregullta vjetore. Raportimi i të dhënave dhe vlerësimi i tyre bëhet përmes Sistemit Elektronik të
Performancës”, thuhet tutje në përgjigjet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Sistemi i Menaxhimit të Performancës Komunale (SMPK) është i ndërtuar nga MAPL-ja në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtar. MAPL-ka ka përcaktuar dhe normuar metodologjinë për përgatitjen, mbledhjen, përpunimin, verifikimin dhe raportimin e të dhënave në SMPK. Raporti i performancës komunale për vitin 2022 prezanton rezultatet e punës së komunave në 19 fusha të kompetencave që janë nën përgjegjësi të tyre, përmes 111 treguesve nga 119 sa ka gjithsej Sistemi për Menaxhimin e Performancës Komunale”.
Zyrtarët e MAPL-së kanë theksuar se gjatë zhvillimit dhe rishikimit të SMPK-së Ministria bashkëpunon me palë të tjera të interesuara përfshirë: ministritë e linjës, komunat, institucionet e tjera të administratës shtetërore, donatorët dhe shoqërinë civile. SMPK-ja aktuale përmban 19 fusha një ndër fushat e këtij sistemi është edhe transparenca komunale.