Arbëri

MAPL-ja ia hedh fajin Komunës për zvogëlimin objektit të shkollës në Podujevë

Zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e kanë bërë përgjegjëse Komunën e Podujevës për zvogëlimin e objektit të shkollës fillore “Naim Frashëri”. Ditë më parë KOHA ka raportuar se Zyra e BE-së në Kosovë që ishte edhe financuese e këtij projekti, përgjegjësin për këtë e kishte hedhur të MAPL-ja.

Në përgjigjen dhënë KOHËS, nga kjo zyrë kanë thënë se projektin paraprak, në të cilin ishte vendosur kapaciteti dhe konfigurimi i shkollës, e kishte mbështet Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Sipas informatave tona, në vitin 2013 shkolla ishte paraparë për 850 nxënës”, thuhej në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ndërsa, zyrtarët e MAPL-së tash fajin i kanë hedhur komunës.

“Ju njoftojmë se lidhur me projektin ‘Ndërtimi i objektit të ri shkollor Naim Frashëri’ në Podujevë, ky projekt është financuar nga fondet e BE-së. MAPL ka qenë vetëm koordinuese e aktiviteteve në mes të Zyrës së BE-së dhe Komunës së Podujevës. Shkolla është ndërtuar bazuar në kërkesën e komunës, dhe lejen ndërtimore e ka lëshuar komuna e Podujevës. Zyra e BE në Kosovë ka përgatitur projektin detal dhe ka bërë implementimin e projektit. Informatat e detajuara mund t’i kërkoni në Komunë”, thuhet në përgjigjet e MAPL-së.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se nuk e di arsyen pse objekti i ri i shkollës ishte ndërtuar më i vogël dhe pa sallë të edukatës fizike, pasi ai nuk ka qenë në këtë pozitë në kohën kur ishte ndërtuar ky objekt.