Arbëri

Mandl bën thirrje për heqje të masave ndaj Kosovës e zbatim të marrëveshjeve të dialogut

Komisioni parlamentar për stabilizim-asociim BE – Kosovë

Lukas Mandl

Foto: Alban Bujari

Bashkëkryesuesi i Komisionit parlamentar për stabilizim-asociim BE – Kosovë, Lukas Mandl, ka bërë thirrje për heqje të masave ndaj Kosovës dhe ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi do të ketë kuptim vetëm kur të mbahet në frymën e mirëbesimit për arritje të një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve. 

Ai ka thënë se Parlamentit Evropian i vjen keq për masat që i janë vendosur Kosovës dhe se ka bërë thirrje për heqjen e tyre. 

Në fjalën e tij hyrëse në takimin e 11-të i Komisionit që është mbajtur në Prishtinë, ai ka thënë ka ftuar palët që të zbatojnë marrëveshjet e arritura. 

“Ky takim sot zhvillohet në një moment me rëndësi për Kosovën dhe BE. Kosova ka përjetuar dy ngjarje shokuese, dhuna në fund të majit dhe sulmi terrorist në shtator. PE-ja ka dënuar përdorimin e dhunës. Sipas meje dialogu Kosovë - Serbi do të ketë kuptim vetëm kur të mbahet në frymë e mirëbesimit për të arritur një marrëveshje të normalizimit. Ftoj që të ketë zbatim të plote te marrëveshjes së dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme”, është shprehur Mandl.

Bashkëkryesuesje e këtij komisioni, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se është me rëndësi që të njihet dhe shprehet falënderim për Parlamentin Evropian në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Ne çmojmë thirrjen tuaj për heqjen e masave ... Rrugëtimi ynë mbetet i palëkundur drejt integrimit evropian. Mbështetja nga BE do të na qoj drejt këtij vizioni”, është shprehur Kusari-Lila.


Platon: Kosova ta miratojë Kodin Civil, kjo punë është zgjatur shumë

Shefja e Sektorit Politik, Ekonomik dhe Integrim Evropian, AnnaCarin Platon, në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe në emër të Komisionit Evropian, ka thënë se çështja e miratimit të Kodit Civil është zgjatur shumë.

Në Komisionin Parlamentar për stabilizim-asociim BE-Kosovë, Platon ka thënë se Kosova duhet t’i zbatojë reformat e BE-së.

“Reforma e administratës publike është një fushë ku Kosova duhet t’i plotësojë kapacitetet. Sa i përket një shërbimi civil rekomandojmë që të ecet në këtë aspekt të reformave. Kosova duhet ta miratojë Kodin Civil, kjo punë është zgjatur shumë. Ne e mbështesim tranzicionin e pastër. Inkurajojmë Kosovën që të miratojë ligjin për energjinë e ripërtëritshme”, ka thënë ajo.

Në emër të Borrellit, ajo ka thënë se do të vazhdohet bashkëpunimi me Kosovën në interes të qytetarëve të saj dhe të BE-së.