Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që në të ardhmen të tregojë qasje më konstruktive në dialogun midis Kosovës e Serbisë. E tek bëri thirrje për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, kërkoi që të ketë pasoja të qarta edhe për Serbinë, e cila, siç tha, përherë e ka luajtur lojën një hap përpara e dy prapa për ta provokuar Kosovën
Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi Kosovës duhet të hiqen sa më parë që të jetë e mundur, ndërsa në të ardhmen duhet të ketë pasoja ndaj palës tjetër që luan lojëra gjatë procesit të dialogut, ka theksuar eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.
Ai, në një intervistë për KosovaPressin, e kritikoi Serbinë për qasjen agresive ndaj Kosovës dhe për mosrespektim të marrëveshjeve të dala nga dialogu i Brukselit.
“Ka qenë njëra palë në dialog që e ka luajtur përherë lojën një hap përpara e dy prapa, dhe kjo nuk duhet të ndodhë më, ose duhet të ketë pasoja të qarta nëse përsëritet. Duhet të ketë pasoja të qarta për qeverinë serbe nëse bie dakord për diçka në të ardhmen e pastaj nuk e zbaton atë dhe luan lojëra të tjera, siç ka luajtur në të kaluarën, gjithmonë për ta provokuar Kosovën dhe gjithmonë për të bërë një fushatë kundër Kosovës kur bëhet fjalë për njohjet në mbarë botën”, ka thënë Mandl.
Eurodeputeti austriak i parashtroi një kërkesë Komisionit Evropian, pak javë para konstituimit të strukturave të reja të Bashkimit Evropian. Në mënyrë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ketë sukses, Mandl ka theksuar se në procesin e ndërmjetësimit duhet që të caktohen persona të denjë dhe të paanshëm.
“Çka duhet menjëherë dhe praktikisht janë njerëz nga ana e Komisionit Evropian, të cilët do ta moderojnë këtë proces të dialogut në mënyrë të denjë dhe të paanshme dhe gjithashtu pa marrë asnjë anë. Kjo do të jetë një gjë për të cilën besoj shumë se Komisioni i ri Evropian do ta bëjë më mirë se i fundit, kur bëhet fjalë për dialogun”, ka thënë ai.
Mandl ka folur edhe për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka theksuar se modeli më i mirë për formimin e këtij mekanizmi është ai i Tirolit Jugor.