Puna katërvjeçare e diplomatit sllovak, Miroslav Lajçak, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi është vlerësuar si e pasuksesshme dhe e pabalancuar nga njohësit e çështjeve politike. Ai këtë detyrë pritet që ta lërë në fund të gushtit, pasi nga 1 shtatori është caktuar të jetë ambasador i BE-së në Zvicër. Nën mandatin e tij, njohësit thonë se Lajçak tregoi njëanshmëri gjatë procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Teksa në Bruksel thanë se ka dyshime nëse duhet të caktohet një emisar i ri, bazuar në mungesën e rezultateve
Si të pasuksesshme e të pabalancuara i kanë kualifikuar njohësit e çështjeve politike katër vjetët e mandatit të diplomatit sllovak, Miroslav Lajçak, si lehtësues i dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Këtë post, KOHA mësoi një ditë më parë se ai do ta mbajë deri në fund të gushtit, pasi nga 1 shtatori do ta marrë pozitën e ambasadorit të BE-së në Zvicër.
E gjatë detyrës, profesori universitar, Dorajet Imeri, thotë se Lajçak nuk ka shënuar ndonjë sukses, tek shton se edhe Marrëveshja e Brukselit e Aneksi i Ohrit janë arritur me përfshirje direkte të Francës e Gjermanisë.
“Angazhimin e diplomatit Miroslav Lajçak në negociatat Kosovë-Serbi mund ta përmbledhim me një fjalë të vetme. I pasuksesshëm. Qasja që Bashkimi Evropian ka aplikuar vazhdimisht në këtë proces negociues dhe në veçanti qasja e zotit Lajçak, natyrisht se nuk mund të prodhojë një zgjidhje për aq kohë sa palët nuk shihen të barabarta dhe negociatat janë kaq asimetrike”, ka thënë Imeri.
Se Lajçak është parë me sy kritik për qasje jo të balancuar mes palëve e thotë edhe korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj. Por ai shton se për dështim në këtë proces duhet më shumë të fajësohen vendet anëtare të BE-së sesa emisari Lajçak.
“Nëse matet në bazë të këtyre katër vjetëve prej kur është në këtë mandat, atëherë nuk mund të thuhet se ka pasur sukses. Sepse normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka avancuar siç ishte pritur. Pritej që para katër vjetësh ai të sigurojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese brenda muajve e jo vjetëve dhe tash katër vjet prej atij momenti nuk kemi një marrëveshje të tillë”, është shprehur Palokaj.
Në BE nuk treguan se kush do ta pasojë Lajçakun në cilësinë e lehtësuesit. Profesori Imeri thotë se pa marrë parasysh pasuesin, sukses në dialog nuk do të ketë sukses po qe se BE-ja si tërësi nuk ndryshon qasjen karshi Kosovës.
“Konsideroj që jo vetëm zoti Lajçak, por kushdo tjetër nga diplomatët që BE mund t’i ngarkojë me këtë detyrë nuk do të ketë sukses për aq kohë sa BE-ja ka zgjedhur që palët t’i trajtojë si të pabarabarta dhe për aq kohë sa pesë vendet e Bashkimit Evropian nuk e njohin akoma pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Imeri.
E Palokaj thekson se përbrenda BE-së është vënë në pikëpyetje caktimi i një emisari tjetër.
“Para se të vendoset se kush do të jetë pasardhës i Lajçakut, në postin e të dërguarit për dialog, BE-ja duhet të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë me dialogun, sepse ka edhe në BE të tillë që mendojnë se a ia vlen të ketë një të dërguar të posaçëm me një ekip të tërë, i cili kushton e i cili nuk sjell ndonjë vlerë të shtuar”, ka shtuar Palokaj.
Pozitën e lehtësuesit, Lajçak e pati marrë më 2020 e gjatë saj është kritikuar disa herë edhe nga Qeveria për njëanshmëri.