Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk i ka nisur procedurat për zgjedhjen e kryesuesit të ri, ndonëse mandati i atij aktual përfundon tash një muaj. KGJK-ja ka thënë se është në pritje të mendimit nga Zyra Ligjore se si të veprojë me konkursin
Edhe një muaj i skadon mandati kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), e në këtë institucion thonë se ende nuk e dinë se si do ta zgjedhin të riun. Për këtë është kërkuar opinion nga Zyra Ligjore.
“KGJK-ja pritet të marrë opinionin nga Zyra Ligjore për mënyrën se si duhet të veprojë me konkursin për kryesues të KGJK-së. Para se të hapet konkursi nuk mund të shprehet interesi për kryesues, prandaj në këtë fazë nuk mund të konfirmojmë se kush mund të jenë kandidatët e mundshëm. Ju njoftojmë se ky proces do të jetë krejtësisht transparent”, thuhet në një përgjigje të shkruar që KGJK-ja ia ka dhënë KOHËS.
Në pritje të përgjigjes nga kjo zyrë, ende nuk ka nisur asnjë proces, ndonëse më 6 korrik kryetarit aktual Albert Zogaj, i përmbyllet mandati.
Rregullorja mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e KGJK-së përcakton se kandidatë për këtë pozitë mund të jenë vetëm anëtarët gjyqtarë të Këshillit. Ligji për Këshillin Gjyqësor ua përcakton anëtarëve mandatin 5-vjeçar pa mundësi rizgjedhjeje, ndërsa kryesuesit ia kufizon në 3 vjet.
Zogajt i ka mbetur 1 muaj nga përfundimi i mandatit si kryesues dhe një vit e tetë muaj nga përfundimi i mandatit si anëtar i KGJK-së.
Edhe pse asnjë anëtar nuk mund t’i ketë dy mandate si kryesues, meqë ato do ta tejkalonin mandatin 5-vjeçar si anëtar, kur është miratuar Rregullorja e KGJK-së më 2020, anëtari i KGJK-së dhe gjyqtari nga Mitrovica, Avni Mehmeti, pati insistuar që në Rregullore të shkruhej specifikisht që rizgjedhja e kryesuesit nuk lejohet. Ai pati thënë se është e kundërligjshme dhe se duhet të vlejë i njëjti parim si për kryetarët e gjykatave që nuk kanë të drejtë rizgjedhjeje.
Mehmeti nuk ka pranuar të flasë për KOHËN rreth kësaj çështjeje tani.
Ndërkaq Zogaj ka thënë se rikandidimi është çështje personale e tij dhe se KGJK-ja nuk është vonuar me procedurat.
“Çështje shumë personale është kjo çështja e dytë. E te kjo e para jemi brenda kohës... Na vijnë prej Zyrës Ligjore kërkesat që duhet të shtrohen. Unë besoj që Zyra Ligjore e njofton Këshillin kur duhet ta fillojë procesin”, i ka thënë ai KOHËS.
Rregullorja mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e KGJK-së parasheh që anëtarët e interesuar duhet t’i mbledhin nga tri nënshkrime përkrahëse brenda Këshillit dhe të prezantojnë vizionin dhe strategjinë për udhëheqjen e tij, në një proces ku u nënshtrohen pyetjeve të anëtarëve. Rregullorja parasheh që ky proces të mos e tejkalojë një muaj nga mbetja e lirë e pozitës.
KOHA pati raportuar se gjatë mandatit të Zogajt është vendosur që anëtarët jogjyqtarë të KGJK-së të marrin shtesa në nivel page të gjyqtarëve. Po ashtu, në një hulumtim të KOHËS pati dalë që gruaja e kryesuesit Zogaj dhe ajo e ish-zëvendëskryesuesit Qerim Ademaj ua kishin bartur pronësinë e dy vilave në Stankaj nënave të tyre në kohën kur Prokuroria Themelore e Pejës kishte intensifikuar hetimet për ndërtime të kundërligjshme në këtë pjesë.
Gjatë këtij mandati ka pasur relaksim raportesh mes KGJK-së dhe Qeverisë, ndonëse në fillim janë hedhur më shumë kritika nga Qeveria për punën e Këshillit e që kanë nxitur më shumë reagime dhe thirrje nga KGJK-ja për ruajtjen e autonomisë së gjyqësorit. Një relaksim i tillë nuk ka ndodhur, megjithatë, mes Qeverisë dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.