Arbëri

Manaj: Pala serbe ka të dhëna të plota e të sakta për secilin të pagjetur

Ish-kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Ramë Manaj, ka deklaruar se Serbia ka të dhëna të plota dhe të sakta për secilin person të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

I ftuar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së në Ditën Kombëtare për Personat e Pagjetur, Manaj ka thënë se puna do të vazhdojë deri në gjetjen e personit të fundit.

“Tani kanë mbetur edhe 1617 persona të pagjetur dhe nëse u referohemi familjeve të këtyre personave, natyrisht se nuk mund të konsiderohet arritje. Gjithmonë ka mundur të bëhet më shumë, por nuk mund të them se është bërë pak. Me gjithë vështirësitë sepse shkaktari i krimit bën përpjekje për ta fshehur atë, janë gjetur trupa në thellësi të mëdha, në liqene, lumenj, por me vetë faktin se prej varrezave masive në Serbi deri tani janë sjellë mbi 950 trupa, bashkëpunimi ka arritur efekte të caktuara gjithnjë falë lehtësimit të procesit dhe mbështetjes nga faktorët ndërkombëtar, ky proces ka ecur, por nuk do të ndalet asnjëherë deri në gjetjen e personit të fundit. Sa pritet prej kësaj për të ardhmen, unë jam skeptik i matur pasi derisa në fillim prej pak varrezave masive gjendeshin shumë trupa, tani prej shumë varrezave masive po gjenden pak trupa”, ka thënë ai.

Manaj më tej ka deklaruar se ka të dhëna të pakonfirmuara nga EULEX-i që dyshohet se rreth 300 trupa janë djegur në Maçkaticë, në shkritoret e Trepçës dhe të Feronikelit.

“Janë dy probleme, e para është shifra prej 300 trupave në morgun e IML-së, prej shumë vitesh nuk është arritur të bëhet identifikimi i tyre e dyta, unë kam hasur në një raport të EULEX-it të vitit 2010 nëse nuk gabohem, në të cilin thuhet se dyshohet që 300 trupa janë djegur në Maçkaticë, në shkritoret e Borit, Trepçës dhe Feronikelit. Këto nuk janë të dhëna të konfirmuara por është goxha skepticizëm nëse mund të dihen dhe argumentohen këto. Çështja e mbetjeve në morgun e Prishtinës mbetet e pakushtueshme pse nuk është arritur deri tani të identifikohen”, është shprehur ai.

Sipas Manajt, pala serbe vazhdimisht e ka trajtuar problemin si çështje të karakterit politik.

“Serbia vetëm kur nuk ka arritur të fshehë gjurmët është detyruar t’i pranojë gjetjet, edhe në të ardhmen do të bëjmë përpjekje sepse jam thellësisht i bindur që Serbia ka të dhëna të plota për secilin rast individualisht”, ka thënë ai.