Arbëri

Malisheva në terr, në pritje të nënstacionit që do të ndërtohet më 2027

Tash e një kohë mijëra banorë të Malishevës e të fshatrave përreth po ballafaqohen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, që shkojnë deri në 8 orë në ditë. Partitë opozitare e fajësojnë Komunën; Komuna e KOSTT-i njëra-tjetrën, e deri në zgjidhjen e këtij telashi KEDS-i ka premtuar zgjidhje të përkohshme

Për Besnik Bytyqin dhe biznesin e tij në Malishevë tash e sa kohë problem është bërë mungesa e rrymës elektrike.  

Ndërprerja e vazhdueshme e energjisë elektrike po ia dëmton punën në biznesin 10-vjeçar.

“Qytetarët por më së shumti bizneset e vuajnë mungesën e rrymës elektrike. Por edhe ne si biznes specifik që jemi, duke pasur parasysh që kemi barna termolabile d.m.th. që duhet të ruhen në temperaturë konstante në frigorifer, atëherë normal që detyrohemi me qenë të pasur me gjeneratorë të kapaciteteve më të mëdha, mirëpo edhe me ta po kemi shumë probleme pasi që orari është i gjatë i ndërprerjeve. Kemi pasur prishje të gjeneratorëve, kemi pasur prishje edhe të kompjuterëve për shkak të mënyrës së dhunshme të ndërprerjes së energjisë elektrike”, ka thënë Bytyqi.

Qytetarët ankohen për reduktime të mëdha, deri në 8 orë në ditë. Sipas tyre, ka disa muaj që në Malishevë nuk ka ujë, as nuk ka rrymë.

“Nuk ka jetë normale kur nuk janë këto të dyja. Arsyet nuk i tregojnë, megjithëse janë duke ndërtuar disa pallate këta shefat e mëdhenj, duke bërë ndërtime të larta, ndoshta këtu është problemi, sepse zgjasin sigurisht 5 vjet dhe na ka vite që kemi mbetur pa ujë dhe rrymë”, ka thënë qytetari Cen Desku. 

Këtë vit do të duhej të nisnin punimet për ndërtimin e një nënstacioni nga KOSTT-i, kompani që menaxhon Sistemin e Transmisionit të Energjisë Elektrike, e që besohet se do t’u jepte fund telasheve, por plani është shtyrë për vitin 2027.

Për këtë nënkryetari i PDK-së në Malishevë fajin ia hedh Komunës.

“Ka pasur këtë vit me fillu ndërtimi i nënstacionit 220KW, që do ta bënte një zgjidhje afatgjatë të energjisë elektrike për qytetarët e Malishevës, është mosmiratimi i planit zhvillimor dhe i hartave zonale që drejtpërdrejt përgjegjës për mosmiratimin e këtyre dy planeve është qeveria komunale, pikërisht kryetari i Komunës, z. Ekrem Kastrati”, ka thënë Halit Zogaj, nënkryetar i PDK-së, Dega në Malishevë.

E nga Komuna fajin për terrin në Malishevë ia adresojnë KOSTT-it.

Avdi Morina, drejtor i Urbanizmit, ka thënë se Komuna ka kryer punën e saj me ndarjen e parcelës për nënstacionin.

“Një kërkesë që ka ardhë nga ana KOST-i për ndarjen e parcelës për 85 ari, për ndërtimin e nënstacionit KOST, ka 6 vjet që ka pritur në procedura, nëpërmjet vendimit të Asamblesë Komunale”, ka thënë Morina.

Por nga KOSTT-i mohojnë se Komuna e Malishevës i ka përmbushur kushtet e nevojshme për fillimin e ndërtimit të nënstacionit.

“Shpallja e procedurës së hapur të tenderimit për projektin ‘’Ndërtimi i Nënstacionit të Ri - AIS 220/35/10(20)KW Malisheva me linjën përcjellëse 220KW’’ është bërë në vitin 2020 dhe ka qenë në proces, por ka mbetur peng për shkak të procedurës ankimore pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili nuk ka pasur bord në atë kohë. Komuna e Malishevës ia ka ndarë pronën KOSTT-it për ndërtim të këtij nënstacioni, por me kërkesat, sipas ligjeve, pritet që projektin ta inkorporojë në Planin Zhvillimor të Komunës dhe në hartën zonale me qëllim të përmbushjes së të gjitha kushteve për fillimin e procedurave për ndërtimin e NS Malisheva. Sipas Planit Zhvillimor dhe atij Investiv 2023-2027 të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, projekti për ndërtimin e nënstacionit të ri - AIS 220/35/10(20)KW Malisheva me linjën përcjellëse 220KW, parashihet të përfundojë rreth vitit 2027, duke marrë parasysh zhvillimin në afate të parapara të të gjitha procedurave, si ato të prokurimit, shpronësimit dhe marrjen e lejeve ndërtimore”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

E në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit thuhet se procesi për ndërtimin e nënstacionit është në procedurë të shqyrtimit për kushtet ndërtimore.

Për ta bërë një zgjidhje emergjente, derisa të ndërtohet nënstacioni nga KOSTT-i, KEDS-i ka premtuar zgjidhje të përkohshme.

“Duke qenë që Malisheva ka vazhduar pavarësisht se ndërtimi i nënstacionit nuk është bërë dhe është shtyrë tash e disa herë, KEDS-i ka vendosur të bëjë një zgjidhje emergjente por të qëndrueshme për konsumatorët në Malishevë. Instalimi i një të ashtuquajturi superpërçues, i cili është i pari që po përdoret jo vetëm në Kosovë, por në rajon”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.

Punimet për instalimin e superpërçuesit pritet të kryhen në fillim të muajit tetor.