Pas kërcënimit të Serbisë me dalje nga Këshilli i Evropës nëse pranon Kosovën si anëtaren më të re, edhe nga Mali i Zi janë dhënë paralajmërime për votë kundër Kosovës. Në prag të vendimmarrjes së kësaj organizate, zyrtarët serbë u janë rikthyer akuzave ndaj diplomatëve perëndimorë për shkelje të premtimeve që ndërlidhen me zotimet nga dialogu i Brukselit
Në prag të vendimmarrjes së Këshillit të Evropës për Kosovën, veç fushatës kundërlobuese tek anëtaret e tjera, Serbia ka kërcënuar me largim nga kjo organizatë nëse pranohet Kosova.
Në pritje të vendimit, edhe Mali i Zi të hënën paralajmëroi se nuk do të japë votë pro Kosovës. Partia Demokratike Popullore në pushtet i ka kërkuar deputetes Maja Vukiçeviq, që është kryetare e delegacionit malazias në Asamblenë Parlamentare, të votojë kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.
“Përkrahja e plotë i është shprehur nënkryetares së partisë Maja Vukiçeviq, kryetare e delegacionit malazias në APKE, që të votojë kundër pranimit të së ashtuquajturës Kosovë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.
PDP-ja është njëra nga anëtaret e Frontit Demokratik prorus e proserb që përbën shumicën parlamentare në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga lëvizja Evropa Tani, e kryeministrit Milojko Spajiq.
Një vit më parë, Mali i Zi votoi pro kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm, por atëkohë pati qeveri tjetër.
Për opozitën, qëndrimi i Malit të Zi është pasojë e acarimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe fqinjëve. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka akuzuar Qeverinë për këtë.
“Tani kanë ardhur në pushtet forcat proruse që janë kryesisht elementë proserbë, që janë serbë të Malit të Zi, që mbështesin botën serbë, janë të dirigjuar prej presidentit të Serbisë, por kjo nuk është politikë e re, kjo është politikë e vjetër, këtu vetëm janë ndërruar emrat, projekti s’ka ndërruar asnjëherë. Problemi është pse ne u barazuam, pse Kosova po barazohet në këtë problem, pse ne jemi bërë burim i lajmeve të këqija dhe kokëdhimbje për partnerët tanë”, është shprehur Haziri.
Prej dorëzimit të aplikacionit Serbia nuk e ka ndalur lobimin as tek fqinjët për të penguar anëtarësimin e shtetit të cilin nuk e njeh. Kjo është shoqëruar edhe me fushatë ndaj kujtdo që mbështet Kosovën. Së fundi, zyrtarët serbë u acaruan pasi eurodeputetja Viola von Cramon e quajti blof të Vuçiqit kërcënimin për dalje nga Këshilli i Evropës.
“Një blof sigurisht. Sigurisht që Serbia nuk do të largohet. Intervista nuk duhet t'i bëjë përshtypje askujt. Anëtarët e Këshillit të Evropës do të vendosin vetë se kë do ta pranojnë. Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës”, ka theksuar Von Cramon.
Asaj i reagoi kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, duke e akuzuar se ka gënjyer bashkë me diplomatët e tjerë në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, javën e kaluar la të hapur dilemën nëse do të kalojë raporti i saj ose jo.
E tre liderët e shtetit përmes një letre dërguar asaj u zotuan t’i zbatojnë të gjitha zotimet e marra përsipër nga dialogu i Brukselit, përfshirë Asociacionin. Por, për opozitën kjo
Më 27 mars do të takohet Komisioni për Politikë dhe Demokraci, i cili pritet ta votojë raportin e Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në Këshillin e Evropës.