Problemet e shumta, me të cilat përballen punëtorët në Kosovë, janë numëruar në tryezën me temën “A (Pse) duhet rritur numri i inspektorëve të punës në Kosovë”, të organizuar nga KDI-ja. Mungesa e kontratave të punës e puna jashtë orarit janë vetëm dy prej tyre. Zgjidhja e tyre thuhet se mund të bëhet me anë të shtimit të numrit të inspektorëve dhe inspektimeve, si dhe të sanksioneve për bizneset që shkelin të drejtat e punëtorëve
Mungesa e kontratave të punës, puna jashtë orarit dhe mospagesa për të, mospagesa e kontributeve, orëve shtesë apo punës gjatë festave dhe fundjavave, mungesa e sigurisë në punë, janë disa nga problemet me të cilat ballafaqohen punëtorët e sektorit privat në Kosovë.
Këto janë gjetjet e një hulumtimi të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, të cilat janë prezantuar të premten në tryezën me temën “A (Pse) duhet rritur numri i inspektorëve të punës në Kosovë”.
Derisa ka prezantuar hulumtimin, Verolinda Berisha nga KDI-ja ka thënë se është e nevojshme që të ndërmerren hapa drejt përmirësimit të gjendjes së punëtorëve. Ndonëse të ndryshme, ajo ka thënë se probleme ka edhe në sektorin privat, por edhe në atë publik.
“Në sektorin publik karakterizohen kryesisht shkelje që kanë të bëjnë me konkurse publike, që konkurset publike karakterizohen me mungesë transparence dhe nepotizëm, ndërsa në sektorin privat punëtorët ballafaqohen me probleme të ndryshme dhe të shumta, duke filluar nga orari i tejzgjatur i punës, mungesa e kontratës së punës, mungesa e pagesës së kontributeve pensionale dhe pastaj mungesa e sigurisë dhe shëndetit në punë”, është shprehur Berisha.
Si probleme kronike me të cilat ballafaqohen punëtorët e sektorit privat ajo ka numëruar informalitetin dhe mungesën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Në këtë tryezë ka marrë pjesë edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai ka theksuar se për gjendjen e rëndë në të cilën punojnë punëtorët e sektorit privat, fajin e kanë të gjitha qeveritë e kaluara.
“Ne pushteteve të kaluara për këto keqpërdorime iu kemi dhënë emrat të kompanive. Ne për keqpërdorime të pakos emergjente, që u janë bërë punëtorëve të sektorit privat të Kosovës, zyrtarisht është i njoftuar Kryeprokurori i Shtetit dhe njësia e krimeve ekonomike, ku u kemi ofruar dokumentacionin ku është bërë keqpërdorimi”, ka deklaruar Azemi.
Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të Punës, Agim Millaku, ka thënë se tani aktivë janë vetëm 28 inspektorë, pasi që një prej tyre ka vdekur së fundmi, teksa 8 të tjerë që i takojnë minoritetit serb shpesh nuk janë në punë.
“Gjendja në Inspektoratin e Punës është më se e rëndë për arsye se numri është shumë i vogël i inspektorëve. U fol këtu për një numër më të madh, sesa që e kemi tash – 37, por hiç minoritetin serb që me vështirësi punojnë. Janë 8 prej tyre. Llogaritni që kemi 28-29 inspektorë, sepse një na ka vdekur para disa ditëve, kemi mbetur me 28 inspektorë aktivë. Marrë parasysh që numri i subjekteve punuese në sektorin publik dhe privat është rreth 70 mijë subjekte, hiç të gjitha ankesat që i kemi të përditshme nga palët”, është shprehur Millaku.
Kjo gjendje, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, do të mund të përmirësohej me shtimin e inspektorëve dhe inspektimeve. Ai ka thënë se këtë çështje do ta adresojnë në Kuvend, duke kërkuar që në buxhetin e vitit të ardhshëm të parashihen pagat edhe për 50 inspektorë.
“Me shtimin e inspektorëve do të shtohen inspektimet dhe do të ketë një rezultat më të mirë në ruajtjen apo përfitimin të drejtave të punëtorëve që shkelen shumë. Në secilin sektor duhet një punë gjithëpërfshirëse për të ardhur te përmirësimi i situatës”, është shprehur Rrahmani.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se përveç shtimit të inspektorëve është i nevojshëm edhe shtimi i inspektimeve dhe sanksioneve për ata që shkelin Ligjin e punës.
“Mund t’i kesh 1 mijë inspektorë, por të mos jenë efektivë apo të mos veprojnë... diku 50-60 për qind e punëtorëve nuk kanë kontrata pune dhe është shkelja më e rëndë e atij personi apo punëmarrësi në këtë drejtim dhe këtë duhet ta bëjmë me inspektime dhe me ligje, inspektime më të shpeshta dhe sanksionime të këtyre dukurive negative nëse nuk ka kontratë atëherë çka mbetet është shkelje elementare atij që punon”, ka theksuar Lekaj.
KDI-ja më parë ka dërguar një kërkesë për shtim të numrit të inspektorëve në Komisionin për buxhet, por ajo nuk ka kaluar pasi që nuk është mbështetur nga partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje është zotuar se do ta përfshijë në buxhet, në ditën kur ai të diskutohet në Kuvend.