Të rinjtë e aftësuar në programet e ndryshme të dizajnuara nga qendra e inovacionit “Makerspace” janë certifikuar në Parkun e Inovacionit e Trajnimeve në Prizren. Ky zhvillim i shkathtësive po konsiderohet si kontribut për punësimin e vetëpunësimin e qëndrueshëm të të rinjve
Dhjetëra të rinj janë certifikuar në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, në kuadër të programeve të aftësimit në fushën e teknologjisë informative të realizuara nga Qendra e inovacionit “Makerspace”.
Krahas kësaj janë mirëpritur edhe Start-Up-at në Programin e Inkubimit të Bizneseve “Idea-to-Scale”, në shënimin e pesëvjetorit të veprimtarisë së “Makerspace”, që është vlerësuar si kontribut për fuqizimin e punësimin e të rinjve.
Enis Qafëleshi, nga “Makerspace”, ka pohuar se kjo qendër është përqendruar në zhvillimin e shkathtësive digjitale të të rinjve të Prizrenit
“Për neve punësimi dhe vetëpunësimi i të rinjve është një alternativë e mirë, drejt një jetesë më të mirë të tyre në vendin tonë, pa e lëshuar Kosovën”, ka thënë Qafëleshi.
Veprimtaria e deritanishme e “Makerspace” është vlerësuar edhe nga zyrtarët e Parkut të Inovacionit të Trajnimeve, që e theksuan ndikimin e kësaj qendre në krijimin e ekosistemit të inovacionit dhe ndërmarrësisë brenda këtij parku.
“Gjithashtu kontribuon direkt në krijimin e fuqisë së re punëtore që i shërben rajonit të Prizrenit, por edhe më gjerë, ku rrjedhimisht krijohen vende të reja të punës që janë më të mira dhe paguhen më mirë, edhe që do të shërbejë që rinia e këtij vendi ndoshta të mos kërkojë ta lëshojë këtë vend”, ka thënë Muhamed Rexhepi nga ITP Prizren.
Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit, ka vlerësuar se programet po japin efekte në aftësimin dhe punësimin e të rinjve prizrenas.
“Kemi qenë të sigurt që nga fillimi se kjo përkrahje jonë do të rezultojë me një vlerë të re të shtuar, jo vetëm për qytetin e Prizrenit, sepse kam shumë besim se kjo vlerë e re do t’i tejkalojë edhe kufijtë e Komunës sonë të Prizrenit”, ka thënë kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
"Makerspace" është themeluar pesë vjet më parë nga profesionistë të rinj për promovimin e ekosistemit digjital në rajonin e Prizrenit dhe për krijimin e vendeve të punës në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit.