Arbëri

LVV: PDK-ja po i dërgon ligjet në Kushtetuese për t’i mbrojtur interesat grupore

Mimoza Kusari -Lila

Foto: EO

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është pozicionuar kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. 

Duke folur për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të ligjeve të miratuara në seancën e 5 dhjetorit, Kusari-Lila ka thënë se pas secilit ligji të dërguar në Kushtetuese, ruhet interesi i ndonjë individi të PDK-së.

“Atë çfarë pamë sot, pamë se kjo parti janë pozicionuar kundër qytetarëve të Kosovës, duke përdorur Gjykatën Kushtetuese për interesa personale dhe grupore. Duan të mbrojnë hajninë, e të duken sikur janë korrupsionit”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, dërgimi i Ligjit për Byronë në Kushtetuese tregon “frikën e tyre të thellë ndaj këtij ligji, i cili rrezikon të prekë rrënjët e korrupsionit që ata vetë kanë kultivuar ndër vite”.

“Dy herë e kanë kontestuar Këshillin Prokurorial, sepse tentuan të mbronin njerëzit brenda Këshillit. Gjithashtu tashmë e kanë kontestuar Ligjin për Byronë, sepse janë të vetëdijshëm qe kjo pasuri nuk mund të justifikohet. Kanë kontestuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, sepse duan ta ruajnë pasurinë e tyre te përfituar qartazi në kurriz të parasë publike. Ata e dinë që nuk mund ta justifikojnë, prandaj po përpiqen ta pengojnë themelin e Byrosë”, deklaroi ajo./EO