Lëvizja Vetëvendosje synon që edhe në vazhdimin e katërt të seancës konstituive të Kuvendit ta propozojë emrin e deputetes Albulena Haxhiu për kryeparlamentare. Sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama, e ka hedhur poshtë mundësinë që në vend të saj partia ta propozojë një emër tjetër. E në partitë deri më tani në opozitë janë shprehur të ngurtë në qëndrimin kundër votimit të Haxhiut, teksa disa e kanë përjashtuar mundësinë për ta votuar edhe cilitdo kandidat tjetër që mund ta propozojë LVV-ja
Në seancën e së shtunës një pengesë e krijuar që nga e marta është kaluar porse është krijuar një e re, peng i së cilës ka mbetur konstituimi i legjislaturës së re. Seanca konstituive është bllokuar sërish, pas dështimit dy herë radhazi për ta zgjedhur Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Seanca është shtyrë për të hënën.
Të shtunën kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pati thënë se ai dhe partia e tij do të kishin votë pro për kryetar Kuvendi, vetëm nëse LVV-ja do t’i propozonte Shqipe Selimin dhe Saranda Bogujevcin.
Por mundësinë e ndërrimit të emrit të kandidatit e ka hedhur poshtë sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama.
“Besoj se ishte shumë i qartë z. Konjufca kur e prezantoi atë, që znj. Haxhiu është propozimi ynë për kryeparlamentare dhe besoj se të gjithë ata 120 deputetë duhet ta shohin ligjin. E ligji dhe Kushtetuta janë shumë të qarta që propozimi i kryeparlamentarit është i Lëvizjes. Ne i kemi pasur 57 (vota) dhe besoj se tash rritet (numri i tyre) dhe do ta shohim nesër si do të jetë. Edhe Shqipe Mehmeti-Selimi e edhe Saranda Bogujevci janë deputete dhe në struktura të larta të Lëvizjes, por as z. Haradinaj e as Aleanca nuk mund ta përcaktojnë kush do të jetë kandidat. I takon Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes se cili është kandidati i Lëvizjes”, ka theksuar Rama.
Mosvotimi i Haxhiut për kryeparlamentare të shtunën ka bërë që seanca të përmbyllet pa formimin e institucioneve. Për këtë ka reaguar të dielën deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila e ka cituar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetueses ku specifikohet se “në konstituimin e Kuvendit të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë ‘për’, ‘kundër’ ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”.
Ajo ka shkruar në Facebook se mosvotimi në kontekstin e aktgjykimit të Kushtetueses paraqet shkelje të Kushtetutës.
“Dje, në pikën (e rendit të ditës) për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, kishte deputetë që nuk morën pjesë fare në votim. Mosvotimi, sipas këtij akgjykimi, konsiderohet shkelje. Ky veprim nuk mund të përsëritet nesër gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit”, ka shkruar Kusari-Lila.
Të pyetur lidhur me qëndrimet rreth emrit të kryeparlamentarit një ditë para vazhdimit të seancës së katërt konstituive të Kuvendit, në Partinë Demokratike (PDK) kanë thënë se nuk kanë ndryshim në pozicione. I janë referuar deklaratës së kryetarit të subjektit, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se është në kompetencë të partisë së parë që ta propozojë kryetarin e Kuvendit, porse kjo nuk do të thotë medoemos përkrahjen e PDK-së për emrin.
E në Lidhjen Demokratike (LDK) kanë theksuar se i përmbahen parimit për të mos e votuar propozimin e LVV-së, pavarësisht emrit.
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se i takon partisë fituese të zgjedhjeve që t’i sigurojë votat për propozimin për kryeparlamentar.
“Nuk është në asnjë lloj përgjegjësie të LDK-së që ta sigurojë shumicën për zgjedhjen e kandidatit të Vetëvendosjes, sepse nuk ka as marrëveshje politike, nuk ka as angazhime të tjera politike... Partia e parë duhet t’i propozojë Kuvendit kandidatin për kryetar të Kuvendit. I takon vetëm partisë së parë të dalë me kandidat. Partia e dytë dhe partia e tretë dhe pesë propozime të tjera që vijnë pas kryetarit të Kuvendit janë pozita të nënkryetarëve që janë të caktuara sipas ulëseve në Kuvend. Neve kur të na vijë radha për kryetar të Kuvendit, ne e propozojmë kandidatin e LDK-së”, është shprehur ai.
Lidhur me bllokadën e krijuar në konstituimin e legjislaturës së re ka folur të dielën edhe ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen. Ai, në një intervistë për Kosovapressin, ka thënë se Kosova duhet që sa më parë ta konstituojë legjislaturën e re dhe ta formojë Qeverinë.
“Së pari, vërtet shpresoj që formimi i institucioneve – institucione funksionale – të ndodhë sa më shpejt. Mendoj se jetojmë në një situatë globale, ku zhvillimet e reja nuk ndalen. Ato nuk presin gjatë që gjërat të formohen. Gjithashtu, reformat që janë të nevojshme këtu në Kosovë duhet të jenë në gjendje të ecin përpara. Prandaj mendoj se sa më shpejt, aq më mirë. Të kemi një qeveri të re dhe një Kuvend të ri të formuar do të ishte më e mira për popullin e Kosovës”, ka theksuar Nissinen.
Vazhdimi i katërt i seancës konstituive të Kuvendit është caktuar për të hënën nga ora 15:00.
Tri përpjekjet e para kanë dështuar në pikën e parë të rendit të ditës, që ishte konfirmimi i mandateve të deputetëve. Kundër këtij raporti të përpiluar nga Komisioni i përkohshëm, në seancën e së martës kanë votuar deputetët e PDK-së, ata të LDK-së dhe të AAK-së. Të enjten seanca është ndërprerë pa u trajtuar asnjë pikë e rendit të ditës, për shkak të mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare lidhur me mënyrën e vazhdimit të punimeve. E të shtunën raporti ka kaluar me votat unanime të deputetëve. Kjo është mundësuar pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ka ftuar përfaqësuesit politikë për takim para seancës.
Pas miratimit të raportit deputetët kanë bërë betimet.
Kryesuesi Dehari e ka lexuar tekstin, ndërsa ligjvënësit janë betuar në fund, përveç atyre të Listës Serbe, të cilët kanë refuzuar të thërrasin “betohem”, për çka deputeti nga LVV-ja, Dimal Basha, ka kërkuar që as të mos u pranoheshin mandatet.
Bllokadë e re është krijuar pasi i ka ardhur rendi pikës së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Ashtu siç i ka takuar me Kushtetutë, propozimin e ka bëri LVV-ja.
Nga 61 vota sa nevojiten, pro zgjedhjes së Albulena Haxhiut në këtë detyrë kanë votuar 57 deputetë, 48 të LVV-së dhe 9 të komuniteteve.
Kundër kanë votuar 20 deputetët e LDK-së, ndërsa kanë abstenuar 3 deputetët e Nismës.
Ndërkaq në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e PDK-së, ata të Listës Serbe, Duda Balje dhe Adem Hoxha.