Lëvizja Vetëvendosje pati premtuar pesëfishimin e numrit të inspektorëve të punës brenda mandatit katërvjeçar, por kur janë bërë gati dy vjet prej që është në Qeveri, nuk e ka shtuar asnjë. Për pasojë, nga 39 inspektorë sa ishin më 2020, aktualisht janë 38. E në Sindikatën e Punëtorëve të Sektorit Privat thonë se numri i madh i vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, është pasojë edhe e mungesës së inspektimeve.
Siguria, shëndeti dhe kushtet e punës mbikëqyren nga gjithsej 38 inspektorë në të gjithë Kosovën.
Lëvizja Vetëvendosje pati premtuar pesëfishimin e numrit brenda mandatit katërvjeçar, por kur janë bërë gati dy vjet prej që është në Qeveri, nuk e ka shtuar asnjë. Për pasojë, nga 39 inspektorë sa ishin më 2020, aktualisht janë 38.
Pozitat e lëna bosh gjatë kësaj periudhe janë plotësuar me 8 inspektorë, ani se me konkurs ishin shpallur 27 pozita të lira.
Kryeinspektori Hekuran Nikçi tregon pse ka ndodhur kjo.
“Arsyeja se pse nuk kemi arritur të rekrutojmë më tepër inspektorë të punës është se me Ligjin aktual për zyrtarët publikë nuk lejohet shpallja e konkurseve jashtë shërbimit civil, e në shërbimin civil nuk ka pasur interesim për pozitën e inspektorit të punës”, ka thënë Nikçi.
Por, bazuar në konkurs, të drejtë aplikimi kishin vetëm inspektorë të fushave të tjera, siç e kërkon ligji, ani se edhe në to ka mungesë.
Gjatë vitit që shkoi, 24 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, tregojnë të dhënat e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.
Kreu i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, thotë se mungesa e inspektimeve, e edhe kushtet e rënda në punë janë mes faktorëve kryesorë që kanë prodhuar këto pasoja.
“Detyrën të cilën ata e kanë nuk janë duke e kryer dhe fatkeqësisht po vjen deri te ky numri i madh i vdekjeve”, ka thënë Azemi.
Edhe në nivelin lokal janë ankuar për mungesë të inspektorëve të të gjitha fushave.
“Ne si Asociacion, por edhe kolegjiumi i drejtorëve të inspektoratit ka kërkuar shtimin e inspektorëve, sidomos në komuna të mëdha, komuna të mesme, por gjithashtu edhe në komuna të vogla sepse numri i inspektorëve në përgjithësi është minimal”, ka thënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi.
Në Qeveri nuk treguan arsyet pse deri tash nuk kanë nisur ta rrisin numrin e inspektorëve të punës dhe as për mënyrën se si planifikojnë ta përmbushin zotimi për pesëfishimin e tyre.