Largimi nga rendi i ditës i pikës që e parashihte parashtrimin e pyetjeve për Ekzekutivin lokal e nxiti pakënaqësinë e anëtarëve të opozitës në Kuvendin komunal të Prizrenit. Ata e lëshuan seancën teksa i akuzuan kuvendarët e PDK-së dhe të LDK-së se po tentojnë ta shuajnë kritikën. E nga këto dy subjekte, akuzat e përfaqësuesve të Vetëvendosjes u kualifikuan absurde
Grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje braktisi të premten seancën e Kuvendit të Prizrenit, pas vendimit të shumicës së anëtarëve për heqjen nga rendi i ditës të pikës që e parashihte parashtrimin e pyetjeve për Ekzekutivin lokal.
i akuzuan PDK-në dhe LDK-në se me anë të pazareve po mundohen ta shuajnë kritikën ndaj qeverisë komunale. Këtë e mohuan përfaqësuesit e dy subjekteve të akuzuara, teksa si justifikim dhanë agjendën e ngarkuar të seancës.
“Pra, sot vdes demokracia në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, ku pushteti komunal, me ndihmën e mbështetësit të tij të palëkundur Haziz Hodaj, propozojnë që të hiqet pika më e rëndësishme e rendit të ditës. Pra, pika e cila merret me trajtimin e çështjeve dhe problemeve imediate të qytetarëve të Komunës së Prizrenit”, ka thënë Karanfil Haxhillari i VV-së.
“Ashtu siç e kemi parë në një audioincizim, të cilin po e heton Prokuroria apo organet gjyqësore, ky kryetar aty thotë që me rëndësi me pas Asamblenë. Ky Asamblenë e ka marrë me metoda shantazhuese, duke ju ofruar njerëzve punë të ndryshme dhe kjo u dëshmua sot”, ka shtuar Selman Sokoli nga kjo parti.
Kuvendari i LDK-së, Haziz Hodaj, tha se propozimi është bërë arsye parimore që lidhen me ngarkesën e seancës, dhe shtoi se pika e rendit të dite po keqpërdoret për debate politike.
“Përndryshe, ne nuk jemi në agjendën as të pushtetit, por as të partive politike në opozitë. Kemi punën tonë, programin tonë, drejtimin tonë dhe, konform këtij drejtimi, ne veprojmë edhe në Kuvend”, ka thënë Hodaj.
Adrit Krasniqi, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së, theksoi se në Kuvendin e Prizrenit nuk ka pazare.
“Me arsyetime të LVV-së për pazare, kjo nuk qëndron. Ne nuk kemi pas pazare. Ideja jonë dhe propozimi ynë ka qenë vetëm e vetëm që kjo pikë të shtyhet në fund të rendit të ditës, për shkak të pikave tjera të rëndësishme që i kemi pasë sot për me i kalu”, ka thënë Krasniqi.
Seanca vazhdoi pa praninë e kuvendarëve të Vetëvendosjes, me shqyrtimin dhe votimin e disa propozim-vendimeve, dhe me raportimin e kryetarit, Shaqir Totaj, rreth punës së Ekzekutivit komunal.