Partia më e madhe opozitare në Prizren ka insistuar se procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave është bërë me shkelje ligjore dhe për këtë arsye ka kërkuar që procesi të kthehet në pikën zero. Por drejtuesja e dikasterit përgjegjës për arsim në këtë komunë ka përsëritur qëndrimin se legjislacioni është respektuar dhe se janë organet e drejtësisë ato që do ta thonë fjalën e fundit për çështjen
Anëtarët e Kuvendit të Komunës në Prizren nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të enjten kanë kërkuar kthimin në pikën zero të procesit të përzgjedhjes së drejtorëve në shkolla, duke i akuzuar pushtetarët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për degradimin e arsimit në nivel komunal.
Kërkesa është përqendruar në dyshimet për shkelje në disa procese të udhëhequra nga Drejtoria e Arsimit dhe për kurdisje të konkurseve për përzgjedhjen e drejtorëve. Anëtarët nga LVV-ja kanë thënë se kurdisjet dëshmohen me anë të audioincizimeve të dëgjuara nëpër mediat online.
Pretendimet nga opozita janë kundërshtuar nga drejtuesit e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), sipas së cilës në të gjitha proceset është vepruar bazuar në ligj dhe me transparencë, si dhe u mbetet organeve të drejtësisë që ta thonë fjalën e fundit.
Selman Sokolaj, kuvendar nga LVV-ja, ka kërkuar dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit që dyshohen për shkelje në procesin e përzgjedhjes së drejtorëve dhe të zëvendësdrejtorëve të shkollave me konkurse të kundërligjshme dhe të manipuluara dhe të cilat dëshmohen me audioincizimet e publikuara.
“Andaj, kërkojmë që në mënyrë që të mos cenohet edhe më shumë imazhi i arsimit në Komunën tonë, anëtarët e Komisionit që janë të dyshuar për keqpërdorime e manipulime të japin dorëheqje të menjëhershme dhe i tërë procesi të kthehet në pikën zero”, ka thënë Sokolaj.
Bashkpartiaku i tij, Faruk Tahirim, ka kërkuar që kthimi në pikën zero i përzgjedhjes së drejtorëve të bëhet me qëllim që të mos kontestohet legjitimiteti i udhëheqësve të institucioneve arsimore parauniversitare në Komunën e Prizrenit.
“Procesi i përzgjedhjes së drejtorëve ka degraduar tej mase dhe nuk ka asnjë logjikë të qëndrojë i tillë, nëse nuk kthehet në pikën zero, ngase këta drejtorë do të jenë të kontestuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë procesit, për shkak se fillimet e tyre i kanë pasur të kundërligjshme”, ka theksuar Tahiri.
Duke e përsëritur qëndrimin e shprehur disa javë më parë, Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prizrenit, ka thënë se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me dispozitat ligjore që janë në fuqi dhe se organet e drejtësisë janë ato që duhet ta japin fjalën e fundit lidhur me çështjen.
“Ka qenë një proces i rregullt dhe i bazuar në ligjet dhe udhëzimet aktuale të cilat janë në fuqi. Një proces transparent, i cili ka qenë i hapur edhe për shoqërinë civile, edhe për mediat, edhe për Këshillin Drejtues dhe të gjitha ata që kanë marrë pjesë, kanë dhënë komentet më të mira të mundshme për këtë pjesë. Tani në situatën në të cilën jemi, të gjithë ata që pretendojnë që t’i japin tendencë për ta prishur këtë proces ose për t’i dhënë një imazh ndryshe, janë organet e drejtësisë ato të cilat do ta japin fjalën e fundit dhe do ta shihni edhe ju epilogun”, është shprehur Veselaj-Gutaj.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren javë më parë kishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore një kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, dhe vartësve të tij lidhur me procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave.