Arbëri

LVV-ja inicion ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet

Kuvendi i Kosoves

Sot pritet të mblidhet Kryesia e Kuvendit për të diskutuar ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet. Kjo po bëhet pak para se deputetët e Kuvendit të Kosovës të mblidhen për të votuar Vjosa Osmanin si kandidate për presidente.

KOHA ka mësuar se Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar procedurat për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet, ku ia mundëson diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e shteteve ku ata jetojnë.

Inicimi për ndryshimin e kësaj procedure fillimisht bëhet në Kuvendin e Kosovës, ku më pas Projektligji i përcillet Qeverisë për opinionin e saj dhe më pas përgatiten deklarimet për ndikimin buxhetor dhe se a është në përputhje kjo me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Pas kësaj procedure, i ofrohet Kuvendit për të marrë vendim nëse duhet të kalojë ose jo Ligji.

Në anën tjetër, Qeveria ka paralajmëruar mbledhje sot në orën 16:00.

Siç njoftimit zyrtar, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit pritet të mbahet në orën 15:00, e thirrur për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet.