Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i ka quajtur “manipulues, që i ka kapluar fëlliqësia”, pushtetarët dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. “Qeveria zdraVo e ka vendin në Beograd”, ka shkruar ai në Facebook të premten në mbrëmje, duke iu kthyer edhe një herë incizimeve në të cilat dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Lushtaku një ditë më parë u përfshi në rrahjen me qeveritarët e Vetëvendosjes. Ai hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti teksa ai po mbante fjalim në foltoren e Kuvendit. Pas kësaj, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e qëlloi me shishe Lushtakun. Ndërhyrja e disa zyrtarëve të tjerë qeveritarë dhe deputetëve të PDK-së përshkallëzoi në grushte e shuplaka deri në ndërhyrjen e sigurimit.
“Këto ditë, pushtetarëve u doli në shesh bashkëpunimi i tyre me strukturat kriminale serbe dhe është e natyrshme që të tillët Radojçiçin e quajnë partner, ndërsa partnerët ndërkombëtar që na ndihmuan në çlirim të vendit i cilësojnë si të padëshirueshëm e naiv. Nga fëlliqësia që i ka kapluar, manipuluesit janë shfrenuar dhe tentojnë të prodhojnë situata e kriza të ndryshme për ta larguar vëmendjen e popullit nga problemet reale, që nga çmimet e produkteve elementare e deri tek poshtrimi dhe dhunimi i sovranitetit dhe humbja e aleatëve strategjikë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka komentuar edhe arrestimin e Faruk Mujkës, kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit” dhe Hysen Muzliukaj, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, Hysen Muzliukaj, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishin në pozita udhëheqëse në Komunën e Mitrovicës. Prokuroria Speciale ka njoftuar se pas bastisjes në dy prona të të dyshuarve ka gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro.
“Pak nga fëlliqësia e tyre u shpërfaq edhe në mëngjesin e sotëm, pasi u arrestuan dy funksionar të qeverisë zdraVo të dyshuar për korrupsion, e të njëjtëve iu sekuestruan rreth 60 mijë euro. Populli i Kosovës do të zgjohet dhe nuk do ta lejoj zhbërjen e shtetit dhe akomodimin e interesave e Radojçiçit e Vuçiçit. Qeveria zdraVo e ka vendin ne Beograd”, ka shtuar më tej Lushtaku.
Lushtaku është ndër katër zyrtarët e lartë që janë intervistuar për rastin e së enjtes.
Video e rrahjes: