Kërcënime për padi dhe krahasime me UDB-në serbe i kanë dalë Sami Lushtakut, në një reagim, që lidhej me raportimin e Kohës Ditore për djalin e vëllait të tij, Festim Lushtaku.
Ky i fundit është emëruar konsull në Konsullatën e Përgjithshme në Shqipëri, derisa paraprakisht, siç raportoi gazeta, si ‘Asistent administrativ”, ishte i angazhuar në Konsullatën kosovare në Shtutgart, raporton KTV.
Lushtaku shkroi se nipi i tij ka të kryer shkollim të lartë pa dhënë ndonjë detaj dhe ishte vendimi i MPJ-së, për transferimin e tij në Shqipëri.
“Festimi ka lindur dhe është rritur në Shtutgart të Gjermanisë dhe atje ka kryer shkollimin e lartë. Përveç gjuhës amtare, flet shkëlqyeshëm gjuhën gjermane dhe angleze. Për shumë vjet ka punuar në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Shtutgart, prej nga është transferuar në Shqipëri, pas një vendimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila i bën politikat në bazë të nevojave të saj”, ka thënë Lushtaku.
Ai ka vazhduar tutje me kërcënime për raportime, sipas tij, të pavërteta dhe njollosëse për familjen e tij, raportime që i ka krahasuar me ato të kohës së UDB-së serbe.
“Në të kaluarën, vetëm UDB-ja famëkeqe serbe propagandonte për mua dhe familjen time, e që fatkeqësisht, siç duket, ka ende mbetje të saj në Kosovë, që dezinformojnë për mua dhe familjen time”, ka shkruar më tej Sami Lushtaku.
Televizioni ka tentuar të vërë kontakt edhe me vetë Festim Lushtakun, por nuk është përgjigjur.
Derisa në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit në largim, Behgjet Pacolli, ka thënë se Lushtaku ende nuk ka nisur shërbimin e tij në konsullatën në Shqipëri.
“Është në pritje të verifikimit,” ka thënë Zyberaj, duke preferuar që pyetjet për këtë çështje të dërgohen me shkrim, në të cilat nuk është përgjigjur askush më vonë.
Shërbimi diplomatik, në qeverisjen e fundit, është mbipopulluar me punësime partiake e të jashtëligjshme, të të afërmeve të zyrtarëve të lartë, për çka ka pasur reagime edhe nga sindikata e shërbimit të jashtëm.