Arbëri

Lushaj: Debati me qytetarët për Bjeshkët e Nemuna u mbajt në Prishtinë për t’i ikur ballafaqimit

Adem Lushaj, aktivist i shoqërisë civile, ka thënë se debati për mbrojtjen e parkut kombëtar Bjeshkët e Nemuna ka filluar shumë vite më parë, porse sërish nuk është bërë kurrfarë zgjidhje.

Ai ka theksuar se debatet që patën nisur për mbeturinat dolën të ishin shumë më të mëdha e më të dëmshme për Bjeshkët e Nemuna – ndërtimet.

“Kemi pasur debate edhe më herët për çështjen e mbeturinave të shumta, pastaj ka ardhë problemi te prerja ilegale, besa legale me letra që janë shkatërruar pyjet e Deçanit. Më vonë dolën që këto të jenë minimale në krahasim me ndërtimet e egra që bëhen nga bosët e politikës. Çështja e parë ka filluar qysh më 2005 kur ministër ishte Ethem Çeku. Janë mbajtur debate me qytetarë, bile kanë pasë kërcënim në Deçan që për këtë të mos veprohet dhe të mos shpallet park nacional, pasi qytetarët e Deçanit, Isniqit, Baballoqit, Strellcit e kishin drojën se do të preken pronat private të tyre. Ashtu ka ndodhur edhe me trevën e Rugovës ngase ka dallim nga trevat tjera sepse atje në vendbanimet e hershme dhe ka trajtim të veçantë”, ka thënë ai.

Lushaj ka potencuar se debati me qytetarë rajonalë ishte mbajtur në Prishtinë, e sipas tij kjo nuk ka pasur sens sepse shumica e banorëve nuk kanë mundur të udhëtonin me autobusë.

“U pa që nuk po ecë çështja e shpalljes së parkut nacional, dua ta përmend një çështje, kur debati me qytetarë të rajonit tonë mbahet në Hotel Grand. Debati me qytetarë për park nacional për Bjeshkët e Nemuna mbahen në Hotel Grand, cila është arsyeja me u mbajt aty. Ka qenë me gjasë arsyetim se po mbajmë debat me qytetarë. Banorët e Rugovës, Isniqit nuk kanë qenë të informuar”, ka përfunduar ai.