Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e qytetarëve të Deçanit kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, duke obliguar këto institucione që të anulojnë lejet dhe vendimet që kanë lëshuar për tri hidrocentralet e kompanisë KELKOS në Deçan. Paditësit vlerësuan se vendimi i Gjykatës është një fitore e madhe dhe shprehën pritjen që t’i kthehet rrjedha Lumbardhit, lumë i afektuar nga hidrocentralet
Lumbardhit të Deçanit pritet t’i kthehet rrjedha e tij e natyrshme, pasi turbinat e tri hidrocentraleve në Grykë të Deçanit do të mbesin jashtë funksionit. Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e qytetarëve të Deçanit ndaj Ministrisë së Ekonomi dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, duke ia anuluar vendimet për leje ujore dhe mjedisore, si dhe ato për operim për hidrocentralet e kompanisë “KELKOS”.
Padia ishte ushtruar në dhjetor të 2020 nga tre banorë të Deçanit – Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi – ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ndërsa palë interesi ishte kompania KELKOS. Padisë më pas i janë bashkuar edhe dy organizata – Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe “Pishtarët”.
Shpresa Loshaj, drejtoreshë e organizatës “Pishtarët”, ka thënë të shtunën se vendimi i Gjykatës është një fitore e madhe dhe se e ka shtruar një bazë të fortë për rendin ligjor në Kosovë.
“Ne jemi shumë të kënaqur nga detyrimet që rrjedhin nga ky vendim, sepse e bëjnë shumë të lehtë për institucionet e Kosovës, por edhe për KELKOS-in që projekti i këtyre hidrocentraleve të sillet në rend ligjor”, ka thënë ajo.
Vendimi i Gjykatës që mban datën 22 maj parasheh që uji i Lumbardhit mund të shfrytëzohet, por kjo mund të bëhet vetëm përmes koncesionit.
“Së pari kërkohet të zbatohet koncesioni. Pra uji i Lumbardhit mund t’i jepet në shfrytëzim KELKOS-it, por jo t’i falet përjetësisht siç është bërë me lejet e kaluara. Pastaj rrjedhin edhe disa detyrime shumë të rëndësishme. Ne jemi të vetëdijshëm që KELKOS-i do ta luftojë këtë vendim, pasi që është hera e parë që në këto 10 vite që po i kërkohet t’i respektojnë ligjet e Kosovës”, ka theksuar Loshaj. “Aktivizmi ynë nuk mbaron këtu. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi, që të sigurohemi që ky vendim të zbatohet në tërësi”.
Argumente brenda padisë janë përdorur edhe raportimet e KOHËS lidhur me shkeljet që janë bërë ndër vite, gjatë procesit të licencimit të tri hidrocentraleve të KELKOS-it.
KOHA ka raportuar lidhur me prapaskenat e lëshimit të lejeve për kompaninë. Edhe një raport i Grupit për shqyrtimin e ligjshmërisë së licencimit të hidrocentraleve kishe konstatuar shkelje në këto hidrocentrale.
Në raport thuhet se përveç që është dëmtuar rrjedha e lumit dhe nuk është respektuar minimumi ekologjik, ka pasur shkelje edhe në ndërtim të objekteve që janë bërë në pronë ujore, në kundërshtim me ligjin për ujëra.
KOHA ka kërkuar një përgjigje edhe nga kompania lidhur me vendimin e Gjykatës, por ajo nuk është përgjigjur gjatë së shtunës.
Në vendimin e Gjykatës Themelore thuhet se aprovohet në tërësi si e bazuar padia dhe kërkohet që të anulohet leja ujore për Hidrocentralin Belaja, ajo për hidrocentralin Deçani dhe Leja ujore për hidrocentralin Lumbardhi.
Nëpërmjet vendimit kërkohet edhe anulimi i vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për operim dhe licenca për prodhimin të energjisë për HC Deçani dhe Lumbardhi.
E turbinat e tri hidrocentraleve në Grykën e Deçanit janë jashtë funksionit tash e disa vjet. Gjykatat e tri shkallëve patën miratuar masën e pezullimit të licencave të lëshuara nga institucionet për operimin e këtyre hidrocentraleve.
Pas vendimit të gjykatave, edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka marrë vendim për pezullimin e lejeve ujore dhe mjedisore për hidrocentralet “Belleja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi 2”.
Në vendim thuhet se pezullimi do të zgjasë deri në nxjerrjen përfundimtare të vendimit për padinë e ngritur nga qytetarët e Deçanit.
Ministria më 2020 pati lëshuar leje mjedisore për dy hidrocentrale të KELKOS-it – “Deçani” dhe “Belleja”. Por për këtë të fundit, banori Muharrem Lulaj pati shprehur habi se si ka ndodhur, pasi, sipas tij, nga 2013-a i ka paditur kompaninë, Komunën e Deçanit dhe Agjencinë e Pyjeve për ndërtim në pronën e tij.
MMPHI-ja ka themeluar një grup punues për çështjen e licencimit të hidrocentraleve, por përkundër shkeljeve që janë evidentuar në një raport, kjo ministri nuk ka treguar se si do të veprohet.
Në raport janë shqyrtuar të gjitha procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale, si dhe ndikimi i tyre në ujëra dhe mjedis. Ai rekomandon që të ndërpritet operimi i të gjitha hidrocentraleve që operojnë pa leje mjedisore, si dhe të hetohen të gjithë zyrtarët për shkeljet ligjore që e kanë karakterizuar ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.
Grupi punues po ashtu ka kërkuar që të shfuqizohen të gjitha aktet e lëshuara në kundërshtim me ligjin, si dhe vendosjen e një moratoriumi për ndërtimin e hidrocentraleve të reja, deri në miratimin e planeve për menaxhimin e pellgjeve lumore.
Sa u përket hidrocentraleve në Grykën e Deçanit, në raport thuhet se përveçqë është dëmtuar rrjedha e lumit dhe nuk është respektuar minimumi ekologjik, po ashtu janë evidentuar shkelje ligjore në ndërtimin e objekteve të hidrocentraleve.
“Ndërtesat e dy HC (Lumëbardhi II dhe Belaja) janë ndërtuar në pronë ujore në afërsi të drejtpërdrejtë të lumit, në kundërshtim me Ligjin për ujërat (neni 48) 12, që përcakton distancën prej minimumi 30 metra për ndërtimin e objekteve nga vija e plotave (ujërat 100-vjeçare)”, thuhet në raport.
Kundërligjore te këto hidrocentrale ka rezultuar të jetë edhe një marrëveshje për shfrytëzim të tokës pyjore që kompania “Kelkos Energy” pati nënshkruar me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës.
Sipas raportit, shpeshherë gjatë ndërtimit të hidrocentraleve janë bërë ndërhyje në projekte pa pëlqimin e Ministrisë.
“Në HC ‘Lumëbardhi II’ janë bërë ndryshime në projekt pa pëlqimin e Ministrisë, siç kërkohet me vendim për leje ndërtimore”, thuhet në raport.
Pos sipas këtij dokumenti, dy nga hidrocentralet e Deçanit, “Deçani” dhe “Belaja” janë ndërtuar brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
Grupi punues i ka rekomanduar Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ta obligojë kompaninë KELKOS që, mes të tjerash, të kushtëzohet me lëshimin e lejes mjedisore për ndërtimin e digës në liqenin e Zallit të Rupës, pasi kjo ishte edhe marrëveshje në mes të investitorit dhe Komunës së Deçanit.