Arbëri

Lumbardhi nxjerr mbeturinat që vizitorët po i lënë në Rugovë

Vizitorë të shumtë që dalin të shijojnë natyrën e bukur të bjeshkëve të Rugovës, vazhdojnë të lënë prapa mbeturinat që i hedhin kudo që munden. Të gjithë nivelin e lartë të mbeturinave që ata po lënë po e nxjerr në shesh ngritja e ujit në përrenj e lumë ditëve të fundit. Mbeturinat po grumbullohen nëpër drurët e rrëzuar në Lumbardh, duke shfaqur larminë e mbeturinave që hidhen nga vizitorët.

Këto pamje në Lumbardhin e Rugovës të krijuara nga gjitha ato mbeturina, kanë shokuar drejtorin për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Rajan Arapi, i cili nuk mund të besojë sesi qytetarët vazhdojnë të tregohen kaq të pandërgjegjshëm ndaj mjedisit, pavarësisht thirrjeve të shumta që ta ruajnë atë.

“Gjatë gjithë kohës është punuar përmes fushatave të ndryshme nga Komuna e veçanërisht nga OJQ-të e ndryshme mjedisore, në vetëdijesimin e qytetarëve për të mos i hedhur mbeturinat. Siç po shihet akoma ka probleme të theksuara në këtë aspekt. Akoma një numër i qytetarëve nuk respektojnë thirrjen për mbrojtje te mjedisit, ata vazhdojnë të hedhin mbeturinat pothuajse kudo, duke rrezikuar kështu edhe shëndetin e secilit nga ne”, thotë Arapi.

E mbasi të bie niveli i ujit, ato mbeturina që nuk i ka bartur lumi me vete, mbesin skajeve të shtratit të lumit e të cilat pothuajse çdo vit pastrohen pastaj nga vullnetarët e shumtë, kryesisht të organizatave mjedisore, në bashkëpunim edhe me Komunën. Njëra prej këtyre organizatave që dalin dhe mbledhin bërllokun e njerëzve të pandërgjegjshëm është edhe organizata mjedisore “Let's Do It Peja”. Drejtori i kësaj organizate, Urim Xharavina, është tmerruar nga grumbujt e gjitha atyre mbeturinave nëpër shtratin e Lumbardhit në Rugovë.

“Ky është tmerr çfarë po ndodh këtu. Kjo është papërgjegjësi qytetare, dhe mungesa e kulturës se sjelljes në natyrë”, shprehet i mllefosur Xhavarrina për ndotjen që po i bëhet natyrës dhe lumit në Rugovë.

Këtë sjellje dhe kulturë të kësaj ndotjeje, sipas tij, po e mundëson edhe papërgjegjësia dhe mosveprimi institucional për ndëshkimin e ndotësve dhe hedhësve të mbeturinave në natyrë.

KOHA ka tentuar të kontaktojë të martën, drejtorin e Inspektoratit Komunal, Leotrim Murtezaj, për ta pyetur se a dalin ndonjëherë për inspektim në Rugovë inspektorët e tij të mjedisit, por ai nuk e hapte celularin.