Arbëri

Lufta ruse që “përfshiu” edhe Kosovën

Rusia ka humbur imazhin e “superfuqisë botërore”, tash kur janë bërë një vit prej se e ka nisur agresionin ushtarak ndaj Ukrainës. Megjithëkëtë, Perëndimi është mobilizuar dhe bashkuar si kurrë më parë, në front kundër saj. Zhvillimet patën jo pak impakt në Kosovë. Presidenti Vladimir Putin shpesh e ka përmendur atë, për ta arsyetuar ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë. Ndërkaq, autoritetet në Prishtinë kanë theksuar se këtë vit Kosova ka qenë cak i një lufte intensive hibride të Rusisë dhe aleatit të saj në Ballkanin Perëndimor, Serbisë

Fiks një vit është bërë prej kur Rusia ka nisur raketat në drejtim të Ukrainës, në mësymjen për ta pushtuar. E për gjatë kësaj kohe jorrallëherë regjimi në Moskë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, ka arsyetuar këtë luftë, duke përmendur edhe Kosovën.

Autoritetet në Prishtinë janë alarmuar se, nëpërmjet Serbisë, Rusia synon të hapë konflikt edhe në Kosovë. Tensionet janë ndezur në veri, ndërkaq autoritetet kanë përmendur edhe organizata ruse si përgjegjëse për destabilizimin e kësaj pjese të banuar kryesisht me serbë. Dhe, për të shmangur tensionet, perëndimi ka rritur trysninë për një marrëveshje të shpejtë Kosovë-Serbi.

Lufta më vdekjeprurëse e gjysmëshekullit

Një vit pas nisjes së agresionit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përdorur përvjetorin për t’i lavdëruar ukrainasit për qëndrueshmërinë e tyre përballë luftës më të madhe dhe më vdekjeprurëse të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, ndonëse Rusia s’i ka përditësuar tash e një kohë të dhënat.

Rusia pati nisur ekspeditën ushtarake për ta pushtuar Ukrainën, por s’i doli si e kishte menduar, ka thënë Mentor Vrajolli, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Ai ka deklaruar se rezistenca ukrainase ka befasuar Rusinë, por edhe shtetet e Perëndimit. Sipas tij, ka ndryshuar edhe pozicioni rus dhe ky shtet, i konsideruar superfuqi botërore, nuk po shihet më si i tillë.

“Nga ajo që po duket, Rusia i ka shfrytëzuar kapacitetet kryesore të saj në luftë me Ukrainën, me përjashtim të atyre nukleare. E kjo ka ekspozuar një të vërtetë, të cilën shumë vende perëndimore duket se nuk e kishin pasur të qartë sa duhet. Respektivisht, ka ekspozuar faktin që Rusia kishte si armë të fortë jomodernizimin e ushtrisë, por ushtrimin efikas të propagandës si armë për të frikësuar kundërshtarët e saj. Madje, kjo propagandë duket ta ketë mashtruar edhe vetë Rusinë. Kjo, pasi që me t’u ballafaquar me luftë të vërtetë u pa qartë se Rusia nuk është ndonjë superfuqi botërore siç kishte pretenduar. Përkundrazi, u pa që radhët ushtarake të saj janë të papajisura mirë, me nivel tejet të lartë të korrupsionit e mungesës së vizionit”, ka thënë Vrajolli për KOHËN.

Image

Sipas tij, ky profil për Rusinë i bëri ukrainasit të besojnë se agresioni rus s’është aq i fuqishëm sa të pushtojë. Ai ka theksuar se rezistenca ukrainase e ka bërë Perëndimin që agresionin rus ta shohë me një sy tjetër. Udhëheqësi i QKSS-së ka përmendur edhe faktin se Rusia s’ka qenë ushtarakisht e gatshme ta nisë këtë luftë por, sipas tij, propaganda për të treguar “modernizimin e teknologjisë ushtarake” i ka krijuar bindje presidentit Vladimir Putin se është fuqi e madhe botërore.

Ndërkaq, ekspert i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë se Rusia ka operuar me armatim të vjetruar, por nuk duhet shmangur fakti që është prodhuese e armatimeve moderne. Sipas tij, teknologjitë ushtarake s’janë për t’u nënvlerësuar, mirëpo dobësitë po i rrjedhin në zinxhirin operacional e logjistik.

“Avantazhi i Rusisë ka të bëjë me posedimin masiv të pajisjeve, mjeteve të motomekanizuara, raketave dhe aviacionit, e që në secilin variant mbinumëron në raport me kapacitetet ukrainase”, ka thënë ai.

Rezistenca për çdo lëvdatë

Sipas Qehajës, Rusia nuk ka arritur që nëpërmjet mësymjes së befasishme ta ndërrojë establishmentin politik ekzistues në Kievi. Ai ka thënë se rezistenca e forcave të armatosura ukrainase është për çdo lëvdatë.

Rusia është duke u përballur edhe me harxhim enorm të armatimit.

Kjo ka bërë që të kërkojë furnizime nga Kina, Irani e Koreja e Veriut, me ç’rast ka luajtur rol edhe në rënien ekonomike të saj, ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, që është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Image

Ai ka thënë për KOHËN se Ukraina është forcuar me mbështetje ushtarake e politike nga vendet e Perëndimit, gjë që nuk pritet të rezultojë me marrëveshje të dëmshme për të.

“Nuk e besoj se tani Ukraina, e cila po fuqizohet çdo ditë e më shumë me mbështetje politike dhe ushtarake nga bota demokratike, do të bëjë çfarëdo kompromisi në dëm të territorit të saj”, ka thënë Quni.

Sipas tij, Rusia gjendet e izoluar dhe nën sanksione masive, me qëllim që të detyrohet të nënshkruajë marrëveshje politike.

“Pasi që lufta e stërzgjatur ka edhe kosto të papërballueshme, Rusinë tani më të izoluar dhe nën sanksione do ta detyrojë për zgjidhje me marrëveshje politike. Deri në arritjen e paqes, algoritmi i zhvillimeve është kompleks dhe i varur nga shumë fakte”, ka shtuar ai.

Pozicioni i Serbisë

Agresioni rus në Ukrainë ka alarmuar vendet e Bashkimit Evropian për shtim të sigurisë. Ato kanë ndërmarrë veprime mbrojtëse dhe kanë shtuar buxhetin për ushtritë. Krahas kësaj, kanë ndihmuar Ukrainën ushtarakisht dhe kanë vënë sanksione të forta ndaj Rusisë. Sanksione ka vënë edhe Kosova.

E Serbia është e vetmja në Ballkan që ende s’i ka vendosur sanksione Rusisë. Madje, për këtë çështje ka thënë se do të qëndrojë neutrale.

Por, ky neutralitet, sipas deputetit Quni, nuk do të ekzistojë edhe gjatë pasi, sipas tij, Serbisë i duhet që “herët a vonë të marrë anë”. Ai ka thënë se çkapja serbe nga Rusia kurrë nuk do të jetë absolute dhe e përhershme. Serbia, sipas ish-ministrit të Mbrojtjes, do të tentojë të nxjerrë gjithçka që është e mundur nga dialogu me Kosovën, në mënyrë që ta kompensojë “largimin nga Rusia”.

“Serbia në hamendjen e saj në mes të Lindjes dhe Perëndimit, mendoj se në fund, si e fundit në rajon dhe Evropë do të zgjedhë të afrohet me fituesin, në këtë rast me Perëndimin. Mirëpo, duhet ta kuptojmë drejt se nëse Serbia zgjedh të jetë me fituesin – Perëndimin, kjo nuk do të thotë se ajo heq dorë apo do të lirohet lehtë e përgjithmonë nga Rusia. Ndërsa, ‘largimin’ nga Rusia do të mundohet ta kapitalizojë në raport me Kosovën duke tentuar që të nxjerrë maksimumin nga dialogu Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.

Lufta hibride në Kosovë

Krijimi i vatrave të reja të krizës, heqja e vëmendjes nga Ukraina, nxitja e konflikteve ndëretnike, sipas Qunit, janë disa prej veprimeve që Inteligjenca ruse dhe shërbimet paramilitare po i kryejnë në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë në dy vende.

“Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina janë nën interesimin e veçantë të Rusisë për të nxitur konflikte ndëretnike. Shërbimet inteligjente dhe pararojat e njësive paramilitare ruse janë duke vepruar për të krijuar tensione ndëretnike. Sidoqoftë, me kapacitetet vendore, KFOR-in dhe në bashkëpunimin e koordinimin tonë me aleatët tanë ne mundemi që t’i menaxhojmë edhe situatat e tilla”, ka thënë Quni.

Për Mentor Vrajollin, në Kosovë po zhvillohet luftë e shumëfishtë hibride, e nxitur nga agjenturat ruse. Çdo veprim rus e serb që synon destabilizimin dhe bllokimin e Kosovës, për Vrajollin është pjesë e kësaj lufte hibride.

“Lufta hibride në Kosovë është mjaft e komplikuar. Mbase e gjithë ajo që po ndodh në pjesën veriore (të Kosovës v.j.) është luftë hibride. Mirëpo, kjo është vetëm një pjesë e luftës hibride që Serbia është duke e zhvilluar me Kosovën. Roli i Rusisë e Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kampanja e çnjohjeve, bllokimi i Kosovës për të qenë anëtare në organizata ndërkombëtare kyç nëpërmjet shteteve mosnjohëse, përfshirë në BE e NATO, janë të gjitha pjesë e një lufte të gjerë hibride që Kosova është duke e pësuar me dekada tashmë”, u shpreh drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

Këndellja evropiane

Eksperti i çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja, ka thënë se nisja e agresionit rus ndikoi pozitivisht në këndelljen evropiane ndaj Rusisë.

“Është dashur që të ndodhte kjo luftë që të mobilizohej Evropa dhe të ishte më unike, në raport me armiqtë e saj të përhershëm. Ka qenë gabim strategjik i shteteve të caktuara në Evropë që kanë menduar se nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik mund ta mirëmbajnë paqen me Rusinë. Hegjemonia ruse është doktrinore, e thellë dhe vështirë se mund të thyhet”, ka shtuar ai.

Image

Lidhjet e thella serbe me ato ruse, sipas Qehajës, përbëjnë shkelje të përafrimit të një vendi kandidat me Bashkimin Evropian. Ai ka thënë se vendet e Bashkimit Evropian e kanë ekuilibruar kritikën ndaj Serbisë, në përplasjet mes Perëndimit dhe Rusisë. Por, largimi i plotë i Serbisë nga qarqet ruse, sipas tij, është i pamundur.

“Ky ekuilibrim sikur po bëhet edhe në dëm të interesave të Kosovës, sepse Serbia ka peshë më të madhe (gjithmonë sipas këtyre vlerësimeve) dhe është krijuar bindja tek qarqe të ndryshme se është mirë të ‘ledhatohet’ Serbia dhe eventualisht të tërhiqet nga Perëndimi. Për mua, ky është mision i pamundur”, theksoi ai.