Arbëri

Lufta në Ukrainë - turizmi në Shqipëri pritet të humbë afro 70 milionë euro

Në Shqipëri gjatë vitit 2021 kanë hyrë 110 mijë shtetas ukrainas, rreth 36 mijë shtetas nga Rusia dhe rreth 2,500 shtetas bjellorusë. Sipas INSTAT, pjesëmarrja e turistëve nga këto tri shtete përbën afro 3 për qind të totalit të turistëve në Shqipëri, me ndikim financiar që mund të arrijë deri në 70 milionë euro

Rreth 150 mijë turistë nga Ukraina, Rusia e Bjellorusia pritet t'i mungojnë Shqipërisë këtë verë nëse lufta midis Rusisë e Ukrainës do të zgjasë. Lufta që ka nisur prej më se 10 ditësh do të ketë patjetër ndikim në ekonominë globale dhe atë shqiptare për rrjedhojë në terma afatmesëm dhe afatgjatë. Një nder sektorët që do të ndiejë goditje është sektori i turizmit në Shqipëri.

Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) ka bërë të ditur se në Shqipëri gjatë vitit 2021 kanë hyrë plot 110 mijë shtetas ukrainas, rreth 36 mijë shtetas nga Rusia dhe rreth 2,500 shtetas bjellorusë. Bazuar në shifrat e tremujorit të fundit të vitit 2020, shpenzimi total i turistëve të huaj në Shqipëri gjatë vitit të kaluar mund të përllogaritet afërsisht në 1.7 miliardë euro. Me një përfaqësim prej rreth 2.6% të totalit, turistët nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia, përafërsisht, ku çdo turist vlerësohet të ketë shpenzuar një shifër mesatare, kanë shpenzuar rreth 44 milionë euro gjatë vitit të kaluar, me tendencë që ajo në vitet vijuese të arrijë në afro 70 milionë euro. Pra, në rast se konflikti do të shkaktojë ridimensionim edhe të flukseve të turistëve të huaj në Shqipëri , “fatura” e luftës, vetëm në këtë drejtim, mund të jetë mbi 40 milionë euro.

Kryetari i Unionit të Turizmit në Shqipëri, Rrahman Kasa, thotë se konflikti pritet të ndikojë negativisht në sezonin e këtij viti duke sjellë humbje të mëdha në ekonomi, ku ai bën fjalë për një shifër prej 70 milionë eurosh.

"Në këto vende ka dhe një kohëzgjatje të turizmit, e cila shkon në 5 muaj. Llogaritet se turistët nga vendet e Evropës Lindore i dhurojnë sektorit mbi 70 milionë euro gjatë verës. Ekonomia jonë do të ketë një humbje të konsiderueshme nga mungesa e këtij tregu në Shqipëri", thotë Kasa.

Sa u përket shtetasve nga Ukraina, viti 2021 ka regjistruar një rritje të ndjeshme të turistëve në Shqipëri, nga rreth 20 mijë në vitin 2020, apo 41 mijë në vitin 2019, në 110 mijë në 2021-tën. Edhe turistët rusë kanë regjistruar një rritje, pavarësisht se të lehtë krahasuar me vitin para pandemisë, nga 34 mijë në 2019-n, në 36 mijë në 2021-shin. Bjellorusët ndërkohë regjistrojnë një tendencë krejt të kundërt, në rënie të ndjeshme krahasuar edhe me vitin e pandemisë.

Në total, në të gjithë Shqipërinë, gjatë vitit 2021 kanë hyrë 5.68 milionë turistë të huaj, dhe 149,225 turistët nga këto tri shtete përfaqësojnë 2.6% të totalit.

Vizitorët nga Kosova përbëjnë 46.41% të numrit të përgjithshëm të qytetarëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2021 duke thyer edhe rekordin e vitit 2019, i cilësuar si më i suksesshmi në Shqipëri. Në vitin 2019, Shqipërinë e kanë vizituar 2.2 milionë qytetarë nga Kosova, ndërkohë që në vitin 2021, më shumë se 2.6 milionë qytetarë të Kosovës vizituan Shqipërinë, duke shënuar një rritje me 17.5%.

Lufta Rusi-Ukrainë thuajse do t`i zerojë turistët nga këto vende, por pritet të ketë një ndikim domethënës, siç kanë lajmëruar edhe tur-operatorët. Këta të fundit deklarojnë se këtë vit pritej një rritje e ndjeshme e kërkesave nga këto vende, dhe se sapo kishin nisur prenotimet. Sipas kryetarit të Unionit të Turizmit në Shqipëri , Rrahman Kasa, këtë vit, pritej që për çdo javë në tokën shqiptare të uleshin 24 aeroplanë çarterë në javë, kryesisht nga Ukraina, por konflikti atje me shumë gjasë mund të sjellë anulim kontratash.

"Kështu s'ka si të vazhdojë të ketë turizëm, sepse askush nuk e ka mendjen te turizmi", ka thënë Kasa. Në total, gjatë 9 muajve të parë të vitit të kaluar, turistët nga jashtë kanë shpenzuar rreth 1.47 miliardë euro në Shqipëri.