Publicisti Fatos Lubonja nuk ka hedhur poshtë mundësinë që me ardhjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të hapet edhe diskutimi për ndryshim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, Lubonja ka thënë se Trumpi mendon se ka autoritetin që mund t’i zgjidhë çështjet me forcën dhe autoritetin e tij, pa luftë.
“Problemi është se ky mendon që ka aq fuqi që t’i zgjidhë këto punë pa luftë me autoritetin e tij, me forcën e tij, me politikat që bën. Ajo që mund të mendohet pa luftë është nëse ai i jep mbështetje të hapur ndryshimit të kufijve, sepse kjo s’është thënë asnjëherë publikisht e as edhe nga Grenelli edhe pse shumë të dhëna tregojnë se ka qenë protagonist me (ish-presidentin e Kosovës, Hashim) Thaçi e (kryeministrin e Shqipërisë, Edi) Rama këtej nga ana jonë për këtë projekt. Pra nëse krijohet një situatë ku për t’i bërë disa favore edhe (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit, që ndjen se edhe Evropa po kërkon t’ia bëjë që të mos ketë luftë, por për stabilitet, e duke pasur edhe aktorë shqiptarë të gatshëm për ta pranuar këtë projekt, atëherë mundet që ta bëjë më kollaj”, ka thënë ai.
Megjithatë, sipas tij, vështirësia për këtë projekt nuk qëndron te Ballkani Perëndimor, por te kundërshtimi i evropianëve, të kryesuar nga Gjermania. Por sipas Lubonjës, tani Evropa është më e dobët në këtë aspekt.
“Prandaj, gjykoj se mund të hapet ky lloj projekti, të rihapen ato dosjet e tij, por gjithnjë duke parë duke bërë sepse ka shumë të papritura që nuk i dimë, as për luftën në Ukrainë se edhe kjo është test për Evropën”, ka shtuar Lubonja.
Lubonja ka thënë po ashtu se politikanët shqiptarë duhet të krijojnë më shumë vetëdije për interesat kombëtare, pavarësisht interesave a politikave të Amerikës.
Sa i përket idesë që ish-emisari për dialogun, Richard Grenell, të rikthehet me post të lartë në administratën e re të Trumpit, Lubonja ka thënë se ky zyrtar ka qenë i rrezikshëm me qasjen që ka pasur ndaj Qeverisë Kurti.
Trumpi fitoi zgjedhjet më 5 nëntor përballë kandidates së Partisë Demokratike, Kamala Harris, për t’u kthyer në postin e presidentit të SHBA-së, katër vjet pasi i humbi zgjedhjet nga Joe Bideni. Sipas Lubonjës, Trumpi fitoi për shkak të polarizimeve të shumta.
Ai ka thënë se Trumpi do t’i sjellë “dy lloj paqesh” në Ukrainë. Sipas tij, Rusia dhe Vladimir Putini do të favorizohen e Ukrainës do t’i kërkohet kompromisi që të lëshojë territore. Lubonja ka thënë se me Trumpi do të ketë problem edhe për palestinezët.
Duke u nisur nga këto dhe favorizimi i Putinit, siç thotë Lubonja, nuk do të shpëtojë pa u prekur as Ballkani. Ai madje ka thënë se ka dronë që favorizimi i Putinit do ta ketë jehonën e vet në Ballkan.