Publicisti Fatos Lubonja ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pajtuar me Serbinë “në këmbim të atyre gjërave që pala serbe s’i jep”.
Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se Kurti duhet të jetë më fleksibil në raport me ndërkombëtarët, por jo të ketë nënshtrim total.
“Është shumë delikate të jepet një zgjidhje e prerë. Me sa kuptoj unë, Albin Kurti gati ka një formulë të prerë që nuk e jap se jam betuar... Kështu e kam kuptuar unë, apo ka bërë ndonjë fleksibilitet...u pajtua duke kërkuar gjëra të tjera që s’po jepen”, ka thënë ai.
Lubonja ka potencuar se pala kosovare duhet të vazhdojë të ngulmojë për t’i arritur ato gjëra. Sipas tij, duhet të merren garanci që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos jetë pikë destabilizimi.
“Po të jepeshin ato gjëra, edhe këtu duhet vazhduar të ngulmohet që të merren disa garanci që ky Asociacioni nuk do të bëhet pikë destabilizimi, por përkundrazi të jetë diçka normale ku jetojnë edhe serbë mes shqiptarëve siç kanë jetuar”, ka shtuar ai.
Për Lubonjën, serbëve mund t’iu zgjerohen të drejtat, por “të mos përdoren si instrument si Republika Sërpska”.
“Si të drejta mund të zgjerohen, por janë të drejta, por të mos përdoren si instrument si është Republika Sërpska në Bosnjë që rrezikon ta destabilizojë Bosnjën. Duhet një fleksibilitet nga ana e Qeverisë, por jo nënshtrim total ndaj ndërkombëtarëve”, ka deklaruar Lubonja.
Duke folur për kryeministrin Kurti, Lubonja u shpreh se në qeverisjen e parë, Kurti ishte rrëzuar nga amerikanët nëpërmjet opozitës.
“Unë kam qenë kundër asaj që e rrëzuan Kurtin herën e parë amerikanët duke përdorur opozitën këtu në Kosovë. Ky (Kurti) ishte pengesë e disa planeve që në fund fare nuk ishin në favor të Kosovës. Po të ishte ndonjë lider tjetër, do ta zgjidhnin më kollaj”, ka deklaruar ai.
Lubonja: Ardhja e Trumpit mund ta rihapë shkëmbimin e territoreve
Publicisti Fatos Lubonja ka deklaruar se po vinte Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Kosovë mund të rihapej tema e shkëmbimit të territoreve.
Ai ka deklaruar të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se projekti për ndarjen mund të nënkuptonte që Serbisë t’i jepej një copë toke, e një pjesë “të kthehej këtej”.
“...Duke i pasur parasysh lidhjet me Serbinë që i ka treguar në atë kohë, ka shumë gjasa që ai projekt i ndarjes së Kosovës për t’ia dhënë një copë Serbisë dhe ta kthejmë këtej, në krahun tjetër në perëndim më shumë, edhe për interesa të tjera, mund të ndodhë ky projekt”, ka deklaruar Lubonja.
Ai ka shtuar se ka pretendime se kjo çështje po pritet të diskutohet “nëse në pushtet do të vinte Trumpi”.
Lubonja ka potencuar se serbët në Kosovë kanë të drejta, por për ta duhet të krijohet një klimë që të besojnë se ky është shteti i tyre ku jetojnë.