Arbëri

Llumnica: Dikush i fuqishëm qëndron prapa KEDS-it, secila qeveri e ka favorizuar

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka deklaruar se secila qeveri e Kosovës e ka favorizuar Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), duke u shprehur se “duket se dikush i fuqishëm qëndron prapa KEDS-it”.

Llumnica të hënën në “Interaktiv” të KTV-së tha se KEDS-i po e shet trefish më shtrenjtë energjinë elektrike nga sa e blen nga KEK-u, e sipas tij, ekzekutivi duhet të ndërmarrë veprime për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që të mos përballen me reduktime.

“Prej KEK-ut, KEDS-i merr një megavat për 30 euro e nëse e importon energjinë mund të shkojë deri në 200 euro megavati. E kjo është arsyeja pse KEDS-i, më mirë sipas tij e tij e lë qytetarin në terr, sesa të shkojë të importojë. KEDS-i po e shet trefish më shtrenjtë rrymën nga sa e blen nga KEK-u. Kontrata duhet të rishikohet dhe të shkëputet. Sot s’po shoh gatishmëri që të ndodhë kjo pasi secila qeveri në njëfarë forme e ka favorizuar KEDS-in”, ka thënë Llumnica.

Kryetari i Sindikatës ka shtuar se 210 punëtorë janë pensionuar gjatë vitit 2024, e siç ka thënë ai, punësimet e fundit janë vetëm zëvendësim i tyre. Llumnica ka deklaruar se KEK-u po përballet me mungesë të punëtorëve.

“Punësimi në KEK është i nevojshëm për shkak të mungesës së punëtorëve. Në 2024-n 210 persona janë pensionuar. Në vitet 2025, 2026 e 2026 pritet që 608 punëtorë të dalin në pension. Ky punësim i të rinjve është zëvendësim i atyre. Mungesat në KEK janë shumë të mëdha, pa marrë parasysh rrethanat, iu uroj mirëseardhje pasi kanë plotësuar një mungesë e kjo ua lehtëson punëtorëve të tjerë që e kryejnë punën e të bëjnë prodhimin maksimal dhe të ecën puna me KEK-un”, ka theksuar ai.

Kreu i Sindikatës ka theksuar se në dy vjetët e fundit janë punësuar 500 persona, por si zëvendësim i atyre të pensionuarve.

“Kemi nevojë për punëtorë, do të punësohen në vazhdimësi...Secili punëtor që është punësuar kërkon t'i mbrohet e drejta dhe të gjithë të anëtarësohen në sindikatën tonë që t'i mbrohet e drejta. Në KEK kushtet janë jashtëzakonisht të rënda...Nuk respektohet Ligji i Punës nga 2011, ndërrimi nuk iu paguhet...puna në vikende”, ka thënë ai.

Sipas Llumnicës, punëtori i ri i KEK-ut paguhet rreth 676 euro, por sipas tij, paga është shumë e ulët pasi rrezikshmëria në vendin e punës është e madhe.

Ai ka theksuar se çdo vit vdesin nga 30 punëtorë të KEK-ut “për shkak të sëmundjeve që i marrin aty”.

Ai tha tutje se edhe shumë punëtorë e kanë lënë vendin e punës në kërkim të kushteve më të mira.