Arbëri

Lluka: Telekomi është buzë falimentimit

Foto: Koha

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë raportimit para Komisionit Hetimor Parlamentar për PTK-në, ka thënë se Telekomi vazhdimisht është përballur me shqetësime rreth mungesës së buxhetit.

Ai ka thënë se teknologjia e Telekomit nuk është as afër konkurrencës, raporton Koha Ditore.

“Ka probleme të shumta. Vështirësia më e madhe prapë mbeten shpenzimet operative, kur ka kontrata që po e mbingarkojnë buxhetin”, ka thënë Lluka.

Kryesuesi i komisionit, Visar Ymeri e ka pyetur ministrin nëse kanë bërë vlerësim të kontratave të Telekomit, duke filluar nga kontrata me Z-Mobile.

“Këto janë bërë rëndesë financiare dhe nuk ka kuptim që kjo të ndodhë. Dua të pyes edhe rreth kodit telefonik, duke qenë se moszbatimi i kodit paraqet ndëshkim e ngarkesës financiare për Telekomin. Pastaj, po raportohet se Telekomi është buzë falimentimit, si e vlerësoni këtë?”, ka pyetur Ymeri.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka pyetur Llukën nëse kanë bërë ndonjë analizë të kontratës me Z-Mobile.

“Pse po e lejoni shkatërrimin e Telekomit? Çfarë keni bërë për stopimin e veprimeve abuzive, kur po shohim çdo ditë abuzime të njëpasnjëshme?”, ka pyetur Haxhiu.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë de deri më tani ka pasur mosrespektim të plotë të Ligjit për Ndërmarrjet publike karshi llogaridhënies.

“Kemi degradim të Telekomit. Nuk kemi parë respektim të normave ligjore. A e keni analizuar ju këtë gjendje, a keni bërë hetime të hollësishme?”, ka pyetur Zemaj.

Ministri Lluka është përgjigjur duke thënë se nuk janë institucion kompetent që bëjnë vlerësimin e kontratave.

“Komisioni ndërministror ia ka dhënë të drejtën Telekomit që të bëjë vlerësimin e këtyre kontratave, për arsye se është çështje e brendshme”, ka thënë ai.

Lluka ka thënë se Telekomi është buzë falimentimit, për shkak se po operon me humbje.

“Ka vështirësi me pagesa, pastaj e kemi vendimin e arbritrazhit me Z-Mobile dhe te gjitha këto e rrezikojnë këtë institucion, për këtë arsye vlerësoj se është buzë falimentimit”, ka shtuar ai.

Sa i përket punësimeve në Telekom, Lluka ka thënë se punësimet janë shpeshtuar dy vjetët e fundit.

“Kur e kishim rastin e njërit nga anëtarët e bordit për punësim të fëmijëve të tij në Telekom, menjëherë kam iniciuar procedurë në qeveri për shkarkimin e tij. Dhe kjo ka ndodhur. Nuk do të rrimë duarkryq karshi abuzimeve. Tash jemi në kohën e vlerësimit të vendimeve të anëtarëve të bordit”, ka thënë Lluka.