Partia Demokratike është tronditur në njërin nga dy bastionet e fundit që i kanë mbetur. Shumica e anëtarëve të Kryesisë së Degës së kësaj partie në Drenas do të garojnë me një iniciativë qytetare, pasi niveli qendror e shpërfilli kërkesën e tyre që Ramiz Lladrovci të mos rikandidohej për kryetar komune. Në qendër nuk folën për këtë zhvillim, e në Drenas thanë se gara ndaras është punë e kryer
Partia Demokratike (PDK) është çarë në palcë. Pjesa më e madhe e Kryesisë së Degës së kësaj partie në Drenas do të themelojë një iniciativë qytetare dhe do të garojnë me të në zgjedhjet lokale, pasi strukturat qendrore shpërfillën propozimin e Degës për kandidatin për kryetar komune.
Bekim Nika është nënkryetar dege. Ai tregon se përpjekja e fundit për një zgjidhje nuk dha rezultat, në një takim triorësh që Kryesia e Degës e pati të hënën me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe me bashkëpunëtorë të tij.
“Të gjitha temat u diskutuan dhe nuk ka mbetur hapësirë aty”, thotë Nika. “Qendra po insiston me qitë kryetar Lladrovcin. Kryesia e Degës dhe Këshilli Drejtues, afro 70 për qind ose mos të them edhe më shumë, janë kundër kryetarit Lladrovci dhe ne ia kemi bërë të qartë edhe kryetarit Memli Krasniqi se kjo punë nuk mund të vazhdojë më. Kryetari Lladrovci nuk e gëzon autoritetin tek Kryesia e Degës dhe te Këshilli Drejtues, prandaj i treguam se do të dalim me kandidatin tonë”.
Në fillim të qershorit Dega e propozoi Driton Ajazin kandidat për kryetar komune.
Erdhi kjo, disa kohë pasi kryetari aktual, Ramiz Lladrovci, e vetëshpalli kandidaturën. E pati bërë këtë në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme.
Deri tash organet qendrore të PDK-së nuk e kanë formalizuar ndonjërin emër, me të cilin në zgjedhjet e 17 tetorit do t’i drejtohen elektoratit të Drenasit. Megjithëkëtë, në takimin me strukturat lokale e kanë bërë të qartë se Lladrovcin do ta rikandidojnë.
Driton Ajazi konfirmoi se do të garojë edhe nëse strukturës partiake i duhet të transformohet në iniciativë qytetare.
“Dega e Partisë Demokratike në Drenas tanimë ua ka bërë të qartë vendimin e saj për kandidaturën time për zgjedhjet që do të mbahen për kryetar komune. Ne jemi të vendosur që garës t’i shkojmë deri në fund, pavarësisht cili do të jetë formati i garës”, thotë Ajazi. “Ky është vullnet i strukturave të Degës së Partisë Demokratike, është vullnet edhe i elektoratit të Partisë Demokratike në Drenas, i cili elektorat kërkon që të ketë ndryshim në kandidaturën për kryetar të komunës”.
Për këtë zhvillim nuk pranuan të flasin kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i degës, Sejdi Hoxha, dhe as kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
E nënkryetari Bekim Nika thotë se përgjegjësinë për këtë zhvillim në degë duhet ta marrë qendra e partisë.
“Në procesin e fundit të zgjedhjeve të brendshme të partisë kanë marrë pjesë afro 10 mijë njerëz dhe i kemi zgjedhur të gjitha strukturat: Këshillin Drejtues, kryetarët e nëndegëve dhe Kryesinë e kryetarin. Tash derisa Kryesia e Qendrës, në këtë rast Memli Krasniqi me bashkëpunëtorë, vendos që ai ta caktojë kandidatin për kryetar të Drenasit, atëherë le të vijë qendra – Memli Krasniqi me të gjithë Kryesinë atje. Le të vijnë e ta zgjedhin, meqë ne s’po pyetemi si Kryesi e Degës”, thotë Nika. “Le të vijnë ta zgjedhin ata. Ok. Është punë e tyre. Ne do të vendosim për kandidatin tonë. Do të punojmë maksimalisht që garën ta fitojmë ne. Thashë më herët se listën për asamble veç e kemi gati. Shumë shpejt do të bëhet publike. Rrugët i kemi ndarë. Kjo temë është e mbyllur për ne”.
E Driton Ajazi thotë se duke e pasur kundërkandidat Lladrovcin, do ta ketë më të lehtë garën.
“Kjo do të jetë shumë favorizuese për vetë faktin se z. Lladrovci, përveç batutave ai nuk ka bërë ndonjë punë të mirë në Drenas. Ai gjatë pesë viteve të qeverisjes së tij nuk shquhet për ndonjë projekt konkret. Keqqeverisja e tij i ka irrituar qytetarët e Komunës së Drenasit, e cila ka mbetur komuna më e pazhvilluar dhe këtë e thonë edhe raportet më kredibile, prandaj qytetarët dhe strukturat e Degës së Partisë Demokratike po kërkojnë një qeverisje ndryshe dhe një kryetar që ka një vizion e projekte konkrete”, thotë Ajazi. “Profili im është shumë i ndryshëm prej profilit të z. Lladrovci dhe besoj fuqishëm që profili im do të gjejë mbështetje te elektorati”.
Drenasi është një prej dy bastioneve që PDK-ja vazhdon t’i mbajë.
Në zgjedhjet e fundit nacionale, kjo parti shënoi fitoi vetëm në dy komuna: në Skenderaj siguroi 70.1 për qind të votave e në Drenas 63 për qind.