Fëmijë nga mosha e parashkollorit e deri tek ata të klasës së nëntë nga të gjitha lagjet e fshatit Lladrovc të Malishevës, çdo ditë janë të ekspozuar përballë rrezikut të aksidentimit në rrugët që çojnë për në shkollë.
Rrugët e asfaltuara, por nuk ka asnjë metër trotuar, e as ndonjë shenjë lajmëruese komunikacioni apo kufizuese. Gjithë kjo përbën një rrezik jete për 220 nxënësit e shkollës “Afrim Buçaj” në Lladrovc.
Për paradoks edhe pengesat e betonta në formë "policësh të shtrirë" janë më të paktë se në çdo lokalitet tjetër të rrethinës.
Drejtori i SHFMU "Afrim Buçaj", Mursel Zogaj ka thënë për KOHËN se shkolla ka bërë kërkesa të vazhdueshme për trotuar, por nuk janë realizuar ato.
Ai insiston që të merret seriozisht kërkesa dhe nevoja për trotuar në këtë fshat pasi të gjitha rrugët për në shkollë janë pa trotuar. Gjithashtu ai kërkon edhe vendosjen e shenjave të lajmërimit e kufizimit për ngasësit e automjeteve, të cilat do të ndikonin në uljen e rrezikut për jetën e nxënësve.

Zogaj thotë se është fat i madh që me gjithë këtë mungesë infrastrukture e kujdesi nga kompetentët, nuk ka pasur ndonjë nxënës të lënduar apo të vdekur në këto rrugë.
"Ka plotë raste që shohim ngasje të shpejta të automjeteve, sidomos nga të rinjtë, por edhe nga persona që nuk e njohin vendin, por fatbardhësisht nuk kemi pas viktima në nxënës. Ndoshta kanë ndikuar udhëzimet e mira të personelit shkollor, por edhe nga familjet, që nuk ka ardhur deri te tragjeditë", ka thënë drejtori i shkollës.
Në shkollën "Afrim Buçaj" sipas drejtorit Zogaj mësimi mbahet në një ndërrim dhe punohet në sistemin kabinetik.
KOHA i ka parë një grup nxënësish që të martën po ktheheshin nga shkolla rrugës së asfaltuar për në lagjen "Balaj" të Lladrovcit, pa ndonjë kujdes të veçantë. Njëri nga ata ka thënë se një trotuar skaj rrugës do të ishte ndihmesë e madhe për ta.
"Një trotuar në këtë rrugë mua më së shumti ma kish shpëtuar qafën e cila po më dhemb duke shikuar prapa a mos po vjen ndonjë veturë", ka thënë ai me humor.
Zeqir Zogaj, 67-vjeçar, derisa po kalonte të njëjtës rrugë ka theksuar se në mungesë trotuari rreziku është real jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit, në veçanti të moshuarit.
"Pa hyrë në politik, kërkojë nga pushteti komunal ta ndërtojë një trotuar në Lladrovc, është nevojë ekzistenciale e jona", ka thënë ai. I njëjti ka theksuar se banorët lokal çdo ditë janë në ankth derisa shkojnë fëmijët në shkolla dhe derisa kthehen nga ajo.
E Reshit Zogaj rreth të 50-tave ka tërhequr vëmendjen se një trotuar në këtë fshat "do të kishte efekt 99 për qind në sigurimin e jetës së fëmijëve të fshatit".
"Vallahi po mundohemi me i përcjellë fëmijët për në shkollë e me i marrë, por nuk po mundemi gjithmonë dhe tërë kohën jemi me mendje tek ata, mos po ju ndodhë diçka në rrugë", është shprehur ai.

Nebih Bibaj, anëtar i Kuvendit Komunal të Malishevës nga fshati Lladrovc ka thënë se në tri buxhete komunale radhazi e ka propozuar dhe është aprovuar në buxhetin komunal projekti i trotuarit nga lagjja Balaj deri tek shkolla "Afrim Buçaj", por asnjë herë nuk është realizuar. Edhe këtë vit gjendet i parashikuar në buxhetin komunal i njëjti projekt. Bibaj thotë se ka propozuar të futen në buxhet komunal edhe projekte të tjera. Por ai vlerëson se mosrealizimi i projekteve në Lladrovc ka motive politike.
"Lladrovci tradicionalisht e voton PDK-në, ndërsa tash për mandatin e tretë në Malishevë po udhëheqë Nisma Socialdemokrate dhe ajo qëllimshëm nuk i realizon projektet", ka thënë Bibaj për KOHËN.
Ai është shprehur skeptik për realizimin e projektit të trotuarit në rrugën kryesore edhe këtë vit.
"Jam skeptik, nuk besojë në realizimin e projektit, kam bindjen se pushteti i Nismës është i zhytur edhe në borxhe dhe ato janë prioritet, para realizimit të projekteve", ka vënë në pah ai.
Por derisa Bibaj hedhë akuza për orientim elektoral të investimeve të pushtetit të Nismës, nuk është se edhe partia e tij PDK ka investuar në trotuar në Lladrovc. E PDK-ja a e ka mbajtur pushtetin mbi 10 vjet pas luftës në Komunën e Malishevës.
Kryetari i fshatit Lladrovc, Nuhi Zogaj ka treguar për KOHËN se udhëheqësia e fshatit, që sipas tij i ka rreth 300 shtëpi, me afro 1500 banorë, i ka prioritet trotuaret, në veçanti ato përreth shkollës, por deri tash kanë dështuar së realizuari.
"Ne vazhdojmë të kemi të njëjtat kërkesa dhe shpresojmë në realizimin e tyre", ka thënë Zogaj.
Ndërkohë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati ka thënë për KOHËN se do të punojë në realizimin e kërkesave dhe nevojave të banorëve të Lladrovcit si dhe lokaliteteve të tjera. Ndërkaq në lidhje me realizimin e projekteve të cilat janë aprovuar në buxhetin e aprovuar nga Kuvendi Komunal, ka thënë se do të realizohen pa asnjë dilemë.
"I vetmi problem që mund të dalë, është nëse ka probleme pronësore, të cilat mund të na nxjerrin telashe, përndryshe projektet e aprovuara nga Kuvendi Komunal realizohen gjithsesi", ka thënë kryetari Kastrati.
Ai ka mohuar akuzat për orientim elektoral të buxhetit dhe të zhvillimit të komunës.
"Nga momenti i betimit si kryetar komune, unë jam kryetar i të gjithë qytetarëve të Malishevës dhe buxheti orientohet konform nevojave dhe mundësive tona, jo sipas hartës së orientimit votues pro apo kundër meje", tha Kastrati.