Arbëri

VV-ja feston, opozita e kënaqur me rritjen

2 muaj më parë Vetëvendosje nis festën
2 muaj më parë Çeku: Keni durim edhe pak
2 muaj më parë Bie faqja e KQZ-së
2 muaj më parë Nis numërimi i votave
2 muaj më parë Hapen qendrat e votimit
2 muaj më parë Kosova voton

VV-ja feston, opozita e kënaqur me rritjen

2 muaj më parë / 10 shk 2025 01:22 Nga: Fitim Gashi
Albin Kurti

Ditës së zgjedhjeve e cila kaloi pa asnjë incident dhe Kosova u përgëzua për kulturën demokratike dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në votime, i la hije të keqe në mbrëmje Komisioni Qendror Zgjedhor me dështimin që t’i publikojë në kohë rezultatet e zgjedhjeve për partitë politike

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me mbi 40 për qind të votave, sipas rezultateve të publikuara nga partitë politike, Demokracia në Veprim dhe një projeksioni i publikuar nga “KOHA”. E dyta ka dalë Partia Demokratike me mbi 20 për qind, pasuar nga LDK-ja me 18 për qind e AAK-Nisma 7.6 për qind. Pragun prej pesë për qind nuk e kaloi Lista për Familjen që arriti të marrë vetëm rreth 2 për qind.  

Ditës së zgjedhjeve e cila kaloi pa asnjë incident dhe Kosova u përgëzua për kulturën demokratike dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në votime, i la hije të keqe në mbrëmje Komisioni Qendror Zgjedhor me dështimin që t’i publikojë në kohë rezultatet e zgjedhjeve për partitë politike.

Edhe pse me Ligjin e ri për zgjedhjet ishte thënë se rezultatet preliminare të partive do të publikohen në afat rekord, kjo nuk ndodhi.

Për më shumë se tri orë, platforma online e KQZ-së ishte jashtë funksionit.

Fillimisht u paraqitën si të numëruara më shumë se 23 për qind të votave, e më pas edhe mbi 50 për qind, por që ka pasur mospërputhje të votave të përgjithshme të paraqitura, me ato nëpër komuna të caktuara.

Shifrat fillestare të publikuara nga KQZ-ja në platformën online nxitën reagime të mëdha pasi e nxorën fituese Vetëvendosjen me mbi 55 për qind. Më pas zyrtarë të KQZ-së njoftuan se po përballen me probleme teknike, ku për shkak të interesimit të madh faqja ka pasur mbingarkesë në sistem.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencë për media para mesnatës tha se për dështimin e sistemit do ta bëjnë një analizë më vonë.

Sipas tij, të dhënat preliminare për zgjedhjet parlamentare do të mblidhen manualisht për shkak se platforma nuk po funksionon.

Ai ka garantuar se nuk do të ketë ndikim në rezultate. Ndërsa pasi të grumbullohen në mënyrë manuale, tha se të dhënat do të futen në internet. Por nuk ka dhënë afat kohor se kur mund të ndodhë kjo.

“Gjithçka ishte gati t’i transmetojmë rezultatet preliminare edhe në të kaluarën, aplikacioni nuk ka funksionuar, nuk po arrijmë t’i transmetojmë të dhënat përmes platformës. U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve. Në këto rrethana kemi shqyrtuar situatën dhe do t’i mbledhim të dhënat në mënyrë manuale. Sigurojmë qytetarët që mostransmetimi i të dhënave preliminare përmes platformës elektronike nuk ka ndikim në rezultat. Pasi t’i grumbullojmë do t’i publikojmë, nuk e di, në orën 3 apo 4 të mëngjesit”, ka thënë Radoniqi.

Ai nuk e mohoi as pohoi nëse prokuroria ka shkuar në KQZ për t’i hetuar problemet me sistemin.

“Prokurorët kanë qenë gjatë tërë ditës në KQZ. Ishte e papritur edhe për ne dështimi i sistemit. Dua t’i sigurojë të gjithë se integriteti i votës është i sigurt dhe formularët janë plotësuar nga numërimi i votave”, ka thënë Radoniqi. “Formularët do të dërgohen te ne nga zyrtarët”, ka shtuar ai.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Pas njoftimit për dështim të softuerit për publikim të votave online, presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor.

“Presidentja e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike. Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë”, thuhet në një deklaratë të presidentes në faqen e Presidencës në Facebook.

Deklarata vazhdon duke thënë se presidentja do të jetë në kontakt me institucionet deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar.

DNV-ja e nxjerr fituese LVV-në

Rezultate preliminare, disa orë pas mbylljes së vendvotimeve, i publikoi edhe koalicioni i organizatave “Demokracia në Veprim”.

Sipas numërimit të votave në 98 për qind të vendvotimeve, ky koalicion tha se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.4 për qind, me marzhë gabimi prej 1.44 për qind. Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 21.7 për qind, me marzhë gabimi 1.45 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.5 për qind, me marzhë gabimi 0.97 për qind. Koalicioni AAK-Nisma i katërti me 7.2 për qind, me marzhë gabimi 0.82 për qind dhe koalicioni për Familjen ka 2.4 për qind.

Krahasuar me zgjedhjet e para katër viteve, i bie që LVV ka rënie me 10 për qind. Sipas shifrave të DNV-së, rritjen më të madhe e kanë dy partitë opozitare PDK e LDK. Derisa në vitin 2021, PDK kishte 17 për qind, tani i ka 21.7. LDK nga 12,7 për qind në 2021-n, sipas DNV-së, tash i ka marrë 17,5 për qind. AAK-Nisma ka mbetur thuajse njëjtë - nga 7,1 për qind më 2021 është ngritur në 7.2 për qind. Sa u përket rezultateve nga partitë e komunitetit më të madh jo shumicë - serbëve, Lista Serbe është fituese me 5.4 për qind.

Sipas numërimit të votave nga Demokracia në Veprim, partia “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” e Nenad Rashiqit ka arritur të sigurojë 0.6 për qind të votave në nivel vendi dhe kjo i mjafton që të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, në hapësirën prej 10 ulësesh për partitë e komunitetit serb.

Deri tash, Lista Serbe vazhdimisht i ka pasur të 10 ulëset e rezervuara.

Ndërkaq Projeksioni i Kohës që u publikua pas mbylljes së vendvotimeve, e nxori si parti fituese Lëvizjen e Vetëvendosje me 42.3 për qind, PDK-në të dytën me 21.3 për qind, LDK-në me 20.4 për qind dhe AAK-Nismën me 6.3 për qind.

Kurti thotë se do ta formojnë Qeverinë

Me gjithë rënien krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve, para zyrave të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë janë ndezur fishekzjarrë.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti pas mesnatës ka pasur dy paraqitje ku e shpalli fitoren, në koalicion me Listën Guxo dhe Alternativën.

Ai para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deklaroi se procesi zgjedhor ishte demokratik e paqësor, tek ka përmendur Serbinë.

Kurti ka thënë se asnjëherë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie, derisa ndaj opozitës përdori termin “hajvan”.

“Kurrë s'është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie. Me oligarkë që japin para pa hesap, e me opozitë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë. Edhe prapë se prapë kanë humbur, kanë me mbet opozitë, sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit”, ka deklaruar Kurti.

Në paraqitjen e parë tek selia qendrore e VV-së, Kurti tha se fitorja është  një konfirmim “për qeverisjen mirë, të mbarë e demokratike”.

“Gjithashtu koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re Kurti 3, dhe në këtë mënyrë do t’i vazhdojmë edhe punët e nisura. Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar rezistencën e tyre kundër një lufte të paparë hibride që është bërë kundër koalicionit tonë. Ka pasur premtime edhe irracionale. Përkundër kësaj LVV fitoi dhe ne jemi subjekti fitues që do ta formojë qeverinë e ardhshme”, ka thënë ai.

PDK: Sukses i pamohueshëm me mbi 200 mijë vota

Atë që nuk e bëri KQZ-ja me publikimin e rezultateve, e bënë partitë opozitare që prezantuan të dhënat që mblodhën nga terreni.

E kënaqur me rritjen në këto zgjedhje është shfaqur Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi i fushatës së PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve kanë treguar se shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën qeverisë Kurti dhe po kërkojnë ekzekutiv të ri. Ai e ka konsideruar sukses të pamohueshëm rezultatin e PDK-së si forcë e dytë më e madhe në vend.

“Jemi në situatë të pazakontë, ku ne si parti duhet t’i kallëzojmë votat, dhe jo KQZ-ja. PDK-ja ka arritur rezultat të madh, është konfirmuar si forca e dytë më e madhe në vend me mbi 200 mijë vota. Falënderojmë qytetarët që votuan për PDK-në. Ky është sukses i pamohueshëm për ne dhe mesazh i fortë për ne. Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie, pasi nuk e kanë shumicën. Rezultatet tregojnë se qytetarët kërkojnë qeveri të re”, ka thënë Stavileci.

Sa i përket koalicioneve, Stavileci ka thënë se duhet pritur në finalizimin e rezultateve.

“Ditëve në vijim me finalizimin e rezultateve, kryetari i PDK-së dhe kandidati i PDK-së do të dalin me qëndrime se si do të vazhdohet më tutje”, ka shtuar ai.

Abdixhiku: Rritje e theksuar ndonëse jo e kënaqshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me gjithë rritjen krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve tha se nuk është rezultat i kënaqshëm. Ai shtoi se përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve e merr vetë, ndërsa llogari do t’i japë vetëm LDK-së dhe votuesve të saj.

Në konferencë për media të dielën vonë, Abdixhiku i ka bërë të ditura edhe rezultatet preliminare dhe i ka uruar të gjitha partitë për procesin zgjedhor.

“Po e bëjmë punën që duhet ta kryejë KQZ-ja. Sipas numërimit që janë marrë nga komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së, LDK-ja ka marrë 158.954 vota apo 18.1 për qind, LVV-ja ka marrë 347.543 vota ose 39.8 për qind, PDK-ja ka marrë 190.363 vota apo 21.8 për qind, AAK-Nisma ka marrë 66.635 vota apo 7.6 për qind”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Ai ka shtuar se presin të kenë rreth 30-35 mijë vota nga mërgata dhe do ta çojnë rezultatin në rreth 190 mijë vota.

“Ndonëse kemi rritje të konsiderueshme, nuk është rezultat i kënaqshëm. Nëse populli s'më ka parë (si kryeministër) këtë radhë, jam i lumtur të jem pjesë e opozitës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Haradinaj bën thirrje që qeverinë ta bëjë opozita

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se në këto zgjedhje ka fituar opozita, duke u shprehur se “pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë”.

Ai ka thënë para mediave se beson që AAK-ja ka rezultat dyshifror në këto zgjedhje parlamentare.

“Jemi të sigurt se kemi rezultat dyshifror. Besoj se këtë do ta konfirmojmë. Ajo që më gëzon është fakti se opozita i ka fituar këto zgjedhje. I uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë se opozitës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se nuk bën koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jo, ju fola jemi gëzuar që është krijuar mundësia me krijua qeverinë opozita dhe do të bashkëpunojmë me partitë opozitare”, është shprehur ai.

E kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka shpallur fitoren në Malishevë.

Në një postim në Facebook, Limaj ka shkruar se në vendlindjen e tij kanë fituar mbi 40 për qind të votave.

“Urime Malishevë për fitoren e madhe me mbi 40% të votave, në bazë të rezultateve fillestare.  Jam krenar me vendlindjen time, me bashkëvendësit e mi, që sot e dëshmuan edhe njëherë se janë shembull i një qytetarie që nuk mashtrohet, por, përkundrazi u japin mbështetje njerëzve që punojnë e bëjnë vepra të mira për Malishevën e tërë Kosovën. Ne fituam bindshëm në Malishevë, sepse Malisheva qeveriset nga NISMA Socialdemokrate”, ka shkruar Limaj.

Në këto zgjedhje, Nisma garoi në koalicion me AAK-në.

Dalja në zgjedhje 40.59 për qind, qytetarët presin zhvillim e mirëqenie

Sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në votime ajo ishte 40.59 për qind, nga 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë me të drejtë vote, këtë të drejtë e shfrytëzuan 799 mijë e 954 qytetarë. Daljen më të madhe e regjistroi Prishtina me 55.68 për qind të pjesëmarrjes. Nga 212 mijë e 515 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 118 mijë e 321. Sipas shifrave të KQZ-së, dalja më e ulët ishte në Mitrovicën e Veriut me vetëm 5.30 për qind.

Qetë dhe pa incidente të mëdha është zhvilluar procesi i votimit të së dielës për zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Qytetarët kërkuan që fokusi i Qeverisë së re të jetë te zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i mirëqenies.

“Presim një të ardhme më të mirë. Shpresat janë që po”, ka thënë Avdyl Deva nga Gjakova.

“Besoj që po, presim diçka më mirë. Të ketë vend punime, fabrika në përgjithësi vend punime. Ku ka vend punime besoj që shkon gjithçka në rregull”, u shpreh Diogard Hajdari.

“Ishalla bëhet mirë, ma mirë. Kush të fiton, çka me bo, ja urojmë atij që fiton. Pak për biznese me na ndihmu, pak. Me na i jep kreditë më të ulët për me u zhvillu dhe punësu ma tepër njerëzit.  Qe kjo është ma e vlefshme për ne, bizneseve”, ka thënë Zef Demaj, furrtar.

Zgjedhjet e së dielës janë të parat që u mbajtën me disa ndryshime në proces pas miratimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Mes tjerash, qytetarët kanë mundur të zgjedhin nga 10 kandidatë për deputetë, ndryshe prej 5 sa kanë qenë në zgjedhjet e kaluara.

Në secilën qendër votimi nuk ka pasur mundësi për votim me kusht, por vetëm një brenda një komune.

Në vendvotime e edhe në qendra të numërimit të rezultateve ka pasur kamera të instaluara.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë rezultatet preliminare, të cilat u tha se pritet të publikohen në kohë rekord për partitë politike. Pas mbylljes së votimit në ora 19, në vendvotime është numëruar vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike.

Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra votat e kandidatëve për deputetë.

Ndërkaq e shtuna ka qenë ditë votimi në misione diplomatike të Kosovës, pasi kjo u bë e mundur me ndryshimet e reja ligjore. Në misione kanë qenë të hapura 43 vendvotime.

Prej pasluftës, zgjedhjet e së dielës janë të parat që mbahen në afat të rregullt kushtetues, meqë të mëhershmet ishin të parakohshme.

Kurti shpall fitoren, opozitarët i quan “hajvanë”

2 muaj më parë / 10 shk 2025 00:47
Kurti shpall fitoren, opozitën e quan hajvan

Ai para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deklaroi se procesi zgjedhor ishte demokratik e paqësor, duke shtuar se i falënderon autoritetet për angazhimin

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij dhe koalicioni me “Guxo” e “Alternativa” janë fituese të zgjedhjeve.

Ai para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deklaroi se procesi zgjedhor ishte demokratik e paqësor, duke shtuar se i falënderon autoritetet për angazhimin.

“Procesi zgjedhor ka qenë proces demokratik, i cili nuk ka pasur incidente. E falënderoj edhe policinë edhe mekanizmat, por kështu ndodh kur është Qeveria jonë. Kur ekzekutivi jemi ne, s'ka incidente e procesi demokratik është cilësor, i vërtetë,  i lirë i ndershëm”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se asnjëherë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie, derisa ndaj opozitës përdori termin “hajvan”.

VIDEO:
 

 

“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit...Kurrë s'është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie. Me oligarkë që japin para pa hesap, e me opozitë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë. Edhe prapë se prapë kanë humbur, kanë me mbet opozitë sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit”, ka deklaruar Kurti.

PDK: Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie

2 muaj më parë / 10 shk 2025 00:13
Blerand Stavileci

Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve kanë treguar se shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie dhe po kërkojnë ekzekutiv të ri.

Ai e ka konsideruar sukses të pamohueshëm rezultatin e PDK-së si forca e dytë më e madhe në vend.

“Jemi në situatë të pazakontë, ku ne si parti duhet t’i kallxojmë votat, dhe jo KQZ-ja. PDK-ja ka arritur rezultat të madh, është konfirmuar si forca e dytë më e madhe në vend me mbi 200 mijë vota. Falënderojmë qytetarët që votuan për PDK-në. Ky është sukses i pamohueshëm për ne dhe mesazh i fortë për ne. Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie, pasi nuk e kanë shumicën. Rezultatet tregojnë se qytetarët kërkojnë qeveri të re”, ka thënë Stavileci.

Sa i përket koalicioneve, Stavileci ka thënë se duhet pritur në finalizimin e rezultateve.

“Ditëve në vijim me finalizimin e rezultateve, kryetari i PDK-së dhe kandidati i PDK-së do të dalin me qëndrime se si do të vazhdohet më tutje”, ka shtuar ai.

Abdixhiku: E marr përgjegjësinë për rezultatin, do t’i jap llogari vetëm LDK-së dhe votuesve

2 muaj më parë / 9 shk 2025 23:35
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve e merr vetë, ndërsa llogari do t’i japë vetëm LDK-së dhe votuesve të saj.

Në konferencë për media të dielën vonë, Abdixhiku i ka bërë të ditura edhe rezultate preliminare dhe i ka uruar të gjitha partitë për procesin zgjedhor.

“Po e bëjmë punën që duhet ta kryejë KQZ-ja. Sipas numërimit që janë marrë nga komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së, LDK-ja ka marrë 158.954 vota apo 18.1 për qind, LVV-ja ka marrë 347.543 vota ose 39.8 për qind, PDK-ja ka marrë 190.363 vota apo 21.8 për qind, AAK-Nisma ka marrë 66.635 vota apo 7.6 për qind”, ka bërë të ditur ai.

Abdixhiku ka thënë se presin të kenë rreth 30-35 mijë vota nga mërgata dhe do ta çojnë rezultatin në rreth 190 mijë vota.

“Ndonëse kemi rritje të konsiderueshme, nuk është rezultat i kënaqshëm. Nëse populli s'më ka parë (si kryeministër) këtë radhë, jam i lumtur të jem pjesë e opozitës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

“Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje”, ka shtuar ai.

LDK-ja në zgjedhjet e vitit 2021 pati marrë vetëm 110 mijë vota.

Presidentja kërkon që të numërohet saktë çdo votë

2 muaj më parë / 9 shk 2025 23:32
Vjosa Osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor, pas njoftimit për dështim të softuerit për publikim të votave online.

“Presidentja e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike. Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë”, thuhet në një deklaratë të presidentes në faqen e Presidencës në Facebook.

Deklarata vazhdon duke thënë se presidentja do të jetë në kontakt me institucionet deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar.

Krasniqi: Presidentja duhet t’ia tregojë vendin kryetarit të KQZ-së

2 muaj më parë / 9 shk 2025 23:28
Redaktori i Grupit KOHA, Besnik Krasniqi

Redaktori i Grupit KOHA, Besnik Krasniqi, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani duhet t’ia tregojë vendin kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, pas këtyre zgjedhjeve.

Krasniqi ka vlerësuar se deklarata e Radoniqit për dështimin e sistemit të KQZ-së për rezultatet preliminare është i patolerueshëm. 

“Ishte deklaratë e papërgjegjshme nga kryetari i KQZ-së, janë më shumë se dy milionë që presin këto rezultate dhe me jau kthy me këtë deklaratë. Ky dështim është i patolerushëm, përgjegjësia bie mbi të dhe për të gjitha problemet që pati gjatë ditës së sotme. E pakta që presidentja duhet të bëjë pas këtyre zgjedhjeve t’ia tregojë vendin atij (Radoniqit)”, ka thënë Krasniqi.

Kurti: Koalicioni ynë do ta formojë Qeverinë Kurti 3

2 muaj më parë / 9 shk 2025 23:18
Albin Kurti

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është fitues i zgjedhjeve, duke shtuar se do të vazhdojë mandatin e tretë me “Guxo” dhe “Alternativa”.

Ai ka thënë para mediave se do të vazhdojë punën.

“Gjithçka ka shkuar sipas procedurave, falënderoj Policinë dhe organet e rendit në përgjithësi. Jemi të parët e ky është konfirmim për një qeverisje të mirë, të mbarë dhe demokratike. Koalicioni ynë do ta formojë qeverisjen tonë 3. Do t’i vazhdojë punët...Populli fitoi, fitoi Vetëvendosje. Ne jemi subjekti fitues që do të formojë qeverinë e ardhshme. Të gjithë e kanë të qartë se ata që dolën të dytët e të tretët po të mblidhen bashkë, nuk bëjnë sa ne”, ka thënë Kurti.

KQZ e pranon se i dështoi sistemi: Të dhënat do të mblidhen manualisht

2 muaj më parë / 9 shk 2025 23:13
KQZ

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se të dhënat preliminare për zgjedhjet parlamentare do të mblidhen manualisht për shkak se platforma nuk po funksionon.

Ai ka garantuar se nuk do të ketë ndikim në rezultate. Ndërsa pasi të grumbullohen në mënyrë manuale, do të futen në internet. Por nuk ka dhënë afat kohor se kur mund të ndodhë kjo.

“Gjithçka ishte gati t’i transmetojmë rezultatet preliminare edhe në të kaluarën, aplikacioni nuk ka funksionuar, nuk po arrijmë t’i transmetojmë të dhënat përmes platformës. U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve. Në këto rrethana kemi shqyrtuar situatën dhe do t’i mbledhim të dhënat në mënyrë manuale. Sigurojmë qytetarët që mostransmetimi i të dhënave preliminare përmes platformës elektronike nuk ka ndikim në rezultat. Pasi t’i grumbullojmë do t’i publikojmë, nuk e di, në ora 3 apo 4 të mëngjesit”, ka thënë Radoniqi.

KQZ-ja jashtë sistemit, nuk dihen rezultatet zyrtare

2 muaj më parë / 9 shk 2025 23:04
KQZ

Photo: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka më shumë se dy orë që është jashtë sistemit që shfaq rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Fillimisht në uebfaqen e KQZ-së u paraqitën si të numëruara më shumë se 23 për qind të votave, e më pas edhe mbi 50, por që ka pasur mospërputhje të votave të përgjithshme të paraqitura, me ato nëpër komuna të caktuara.

Të gjitha këto KQZ-ja i ka cilësuar telashe teknike “për shkak të interesimit të madh”.

Aktualisht nuk dihen rezultatet zyrtare.

Vetëvendosje nis festën

2 muaj më parë / 9 shk 2025 22:41
Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur festën para zyrave të saj në Prishtinë, ku janë mbledhur disa simpatizantë.

KOHA po raporton në vendin e ngjarjes, ku po shihen qytetarë që po hedhin fishekzjarrë. Aty s’janë parë prezentë zyrtarë të kësaj partie.

Ndwrkohw, zëdhënësi për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, tha se do të presin deri në numërimin final të votave “në mënyrë që të dimë rezultatin e fitores”.

Ai ka shkruar në Facebook se numërimi po vazhdon.

“Të dashur qytetarë, numërimi po vazhdon dhe duhet të presim deri në numërimin e fundit, në mënyrë që të dimë rezultatin e fitores sonë”, ka thënë ai.

VV: Duhet të presim numërimin e fundit për rezultatin e fitores

2 muaj më parë / 9 shk 2025 22:17
Lëvizja Vetëvendosje

Zëdhënësi për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, tha se do të presin deri në numërimin final të votave “në mënyrë që të dimë rezultatin e fitores”.

Ai ka shkruar në Facebook se numërimi po vazhdon.

“Të dashur qytetarë, numërimi po vazhdon dhe duhet të presim deri në numërimin e fundit, në mënyrë që të dimë rezultatin e fitores sonë”, ka thënë ai.

KQZ-ja ka njoftuar për KOHËN se ka telashe teknike me uebfaqen ku po publikohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare.

Limaj shpall fitoren në Malishevë

2 muaj më parë / 9 shk 2025 22:16
Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka shpallur fitoren në Malishevë.

Në një postim në Facebook, Limaj ka shkruar se në vendlindjen e tij kanë fituar mbi 40 për qind të votave.

“Urime Malishevë për fitoren e madhe me mbi 40% të votave, në bazë të rezultateve fillestare.  Jam krenar me vendlindjen time, me bashkëvendësit e mi, që sot e dëshmuan edhe njëherë se janë shembull i një qytetarie që nuk mashtrohet, por, përkundrazi i japin mbështetje njerëzve që punojnë e bëjnë vepra të mira për Malishevën e tërë Kosovën. Ne fituam bindshëm në Malishevë sepse Malisheva qeveriset nga NISMA Socialdemokrate”, ka shkruar Limaj.

Në këto zgjedhje, Nisma garoi në koalicion me AAK-në.

DnV: Partia e Rashiqit ia merr një ulëse Listës Serbe

2 muaj më parë / 9 shk 2025 22:03
Nenad Rashiq

Nenad Rashiq

Sipas numërimit të votave nga Demokracia në Veprim, partia Za Slobodu Pravdu i Opstanak e Nenad Rashiqit ka arritur të sigurojë 0.6 për qind të votave në nivel vendi dhe kjo i mjafton që të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, në hapësirën prej 10 ulësesh për partitë e komunitetit serb.

Deri tash, Lista Serbe vazhdimisht i ka pasur të 10 ulëset e rezervuara.

DNV: VV-ja fiton mbi 40 për qind të votave

2 muaj më parë / 9 shk 2025 22:00
Lëvizja Vetëvendosje

Sipas numërimit të votave nga Demokracia në Veprim në 98 për qind të vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.4 për qind, me marzhë gabimi prej 1.44 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 21.7 për qind, me marzhë gabimi 1.45 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.5 për qind, me marzhë gabimi 0.97 për qind.

Koalicioni AAK-Nisma e katërta me 7.2 për qind, me marzhë gabimi 0.82 për qind.

Koalicioni për Familjen ka 2.4 për qind.

KQZ-ja del me sqarim për rënien e uebfaqes

2 muaj më parë / 9 shk 2025 21:37
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se po përballet me probleme teknike në platformën ku publikohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare.

Në një përgjigje për KOHËN, KQZ-ja ka thënë se për shkak të interesimit të madh, faqja ka pasur mbingarkesë në sistem.

“Ju njoftoj se KQZ është duke mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet. Janë evidente probleme teknike në platformë. Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ. Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka shtuar se ekipet po punojnë në terren dhe po dërgojnë të dhëna “të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë”.

Deri në momentin e rënies së faqes së KQZ-së, shifrat tregonin se janë numëruar mbi 23 për qind e votave e se prej tyre mbi 50 për qind janë për Vetëvendosjen. Megjithatë ka pasur raportime se të dhënat janë të gabuara.

Koalicioni për Familje: Kauza jonë do të vazhdojë

2 muaj më parë / 9 shk 2025 21:10
Koalicioni per familjen

Koalicioni për Familje, që sipas projeksionit të KOHËS dhe rezultateve të para të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk e kalon pragun prej 5 për qind, ka thënë se kauza kryesore e tij do të vazhdojë pa marrë parasysh rezultatit final.

“Faleminderojmë të gjithë votuesit për mbështetjen e tyre dhe për çdo kontribut që dhanë në këto zgjedhje. Jemi mirënjohës për çdo angazhim dhe jemi duke pritur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Ne jemi të falënderuar për çdo votë që është dhënë për ne. Çfarëdo rezultati që të vijë, ai do të pasqyrojë angazhimin dhe punën tonë të palodhur. Kauza e familjes do të vazhdojë dhe ne do të jemi gjithmonë të pranishëm në skenën politike. Ne jemi ata që do ta mbrojmë vlerën e familjes dhe do të vazhdojmë gjithmonë për familjen. Faleminderit edhe mediat dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë proces”, ka thënë prijësi i listës, Eman Rrahmani.

Procesohen 23 për qind e votave, VV-ja mbi 50%. KQZ-ja thotë se ka probleme teknike

2 muaj më parë / 9 shk 2025 21:02
Albin Kurti

Janë procesuar mbi 23 për qind të vendvotimeve në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit. Nga kjo përqindje e numëruar, Lëvizja Vetëvendosje prin me 55.77 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës ka shkuar në 25.39 për qind, Lidhja Demokratike e treta me 8.99 për qind të votave ndërsa Koalicioni AAK-Nisma ka 5.0 për qind.

Ndërkaq, KQZ-ja ka deklaruar pas publikimit të kësaj përqindjeje se ka telashe teknike me shfaqjen e numrave. 

Haradinaj: Zgjedhjet i fitoi opozita, mezi pres të bashkëpunojmë për krijimin e Qeverisë

2 muaj më parë / 9 shk 2025 20:33
Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se në këto zgjedhje ka fituar opozita, duke u shprehur se “pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë”.

Ai ka thënë para mediave se beson që AAK-ja ka rezultat dyshifror në këto zgjedhje parlamentare.

“Jemi të sigurt se kemi rezultat dyshifror. Besoj se këtë do ta konfirmojmë. Ajo që më gëzon është fakti se opozita i ka fituar këto zgjedhje. I uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë se opozitës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se nuk bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jo, ju fola jemi gëzuar që është krijuar mundësia me krijua qeverinë opozita dhe do të bashkëpunojmë me partitë opozitare”, tha ai.

Çeku: Keni durim edhe pak

2 muaj më parë / 9 shk 2025 20:27
Hajrulla Çeku

Photo: Driton Paçarada

Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, ka kërkuar më shumë durim deri në nisjen e publikimit të rezultateve për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në projeksionin e KOHËS, LVV-ja ka dalë e para në zgjedhje, por me rënie prej mbi 50 për qind sa ka qenë në zgjedhjet e shkuara në pak mbi 42.

“Exit pollet japin vetëm indikacione ne duhet t’i respektojmë institucionet dhe te presim rezultatet besoj shume shpejt. Keni durim edhe pak”, ka thënë ministri i Kulturës të dielën në mbrëmje.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se çështja kryesore pas fitores së VV-së “është që të numërohen të gjitha votat dhe të ruhen ato”.

Nis publikimi i rezultateve preliminare

2 muaj më parë / 9 shk 2025 20:23
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur t’i publikojë rezultatet preliminare.

Publikimi i tyre po bëhet online në platformën “Rezultatet”, derisa po përditësohen në kohë reale.

Deri më tani janë procesuar vetëm 22 vendvotime.

PDK-ja thotë se ka marrë edhe më shumë përqindje se në exit-polle

2 muaj më parë / 9 shk 2025 20:18
Bedri Hamza

Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së për zgjedhjet e 2025-s, ka thënë se kjo parti konsideron që rezultatet finale do ta paraqesin këtë parti më mirë se rezultatet e projeksioneve dhe exit-polleve të publikuara menjëherë pas zgjedhjeve.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se zgjedhjet ishin fitore për vendin. Ka falënderuar qytetarët dhe kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

“Jemi të sigurt që vullneti i qytetarëve reflektohet edhe më mirë sesa që pasqyrojnë rezultatet preliminare të exit-polleve”, ka thënë ai.

Sipas projeksionit të KOHËS për rezultatin e zgjedhjeve, PDK-ja ka dalë e dyta me 21.3 për qind të votave. Vetëvendosje prin me 42.3.

Policia: Procesi zgjedhor kaloi pa incidente madhore

2 muaj më parë / 9 shk 2025 20:17
Policia e Kosovës

Foto ilustrim

Policia e Kosovës njoftoi se procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore që mund të kishin penguar procesin.

Në një njoftim për media, Policia tha të dielën se në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit janë iniciuar 6 raste, prej tyre 4 “vepra penale kundër të drejtave të votimit” dhe dy raste penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “kanosje”.

Autoritetet policore njoftuan se 7 persona janë shoqëruar në stacionin policor, ku 4 prej tyre në mbajtje e 3 janë liruar.

“Po ashtu, janë trajtuar edhe disa raste tjera, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent janë evidentuar si shënime zyrtare. Vlen të potencohet se Policia e Kosovës ka trajtuar çdo informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin policor.

LDK-ja thotë se ka marrë 24%, e bindur për Abdixhikun kryeministër

2 muaj më parë / 9 shk 2025 20:14
Lumir Abdixhiku

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se sipas exit-pollit të tyre kanë marrë 24 për qind, shifër që u shpreh se do të rritet pas numërimit të votave të diasporës.

Në konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve, Mustafa u shpreh i bindur se Lumir Abdixhiku do të jetë kryeministri i ardhshëm.

“Kemi bërë exit-pollin më të madh ndonjëherë me 18 mijë respodentë. LVV ka 34%, LDK 24% e PDK 22%. Ajo që është e rëndësishme, LDK-ja së paku ka dyfishim të rezultatit nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, pa llogaritur votat e diasporës, ku presim rezultat të shkëlqyeshëm, që do ta rrisë për 2-3 për qind rezultatin tonë”, ka thënë Mustafa, teksa u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve të LDK-së ta ruajnë votën.

Sipas projeksionit të KOHËS, LDK-ja ka marrë 20.4 për qind. 

KQZ: Mbi 40 për qind, dalja në zgjedhje

2 muaj më parë / 9 shk 2025 20:10
Zgjedhjet

Photo: Driton Paçarada

Mbi 40 për qind ka qenë dalja në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas të dhënave të procesuara nga më shumë e 90 për qind të vendvotimeve në nivel vendi.

Siç ka bërë të ditur Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në një konferencë për media në mbrëmje, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar mbi 789 mijë qytetarë.

Ai ka thënë se në zgjedhjet e shkuara, të drejtën për votë e kishin shfrytëzuar mbi 827 mijë votues.

Molliqaj fton opozitën: Mos bëni koalicion me Vetëvendosjen

2 muaj më parë / 9 shk 2025 19:57
Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, iu ka kërkuar partive politike që të mos bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Zgjedhjet parlamentare që u mban të dielën ai i cilësoi “fitore për Kosovën”, derisa tha se ai e kundërshton VV-në “sepse ajo e sheh shtetin si pronë dhe qytetarin si mjet”.

Molliqaj tha se propaganda “ende mban peshë përballë zbrazëtisë ideologjike”.

“Kjo është një fitore për Kosovën! Opozita nuk duhet, me asnjë kusht, të bëjë koalicion me VETËVENDOSJE. 40% nuk është megjithatë dështim, është një paralajmërim se propaganda ende mban peshë përballë zbrazëtisë ideologjike. Ne e kundërshtojmë VV-në sepse ajo e sheh shtetin si pronë dhe qytetarin si mjet. Demokracia nuk rrezikohet vetëm nga ata që sundojnë, por edhe nga ata që nuk kanë asgjë për t’i kundërvënë. Urime të gjithëve!”, ka shkruar ai.

Bie faqja e KQZ-së

2 muaj më parë / 9 shk 2025 19:48
KQZ

Uebfaqja zyrtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka probleme teknike.

Aktualisht qasja në të, ku po jepen shifrat preliminare për rezultatin e zgjedhjeve është e pamundshme.

“Ka ndodhur një gabim. Ju lutem provoni më vonë”, thuhet në mesazhin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur tentohet të faqja platforma për rezultatet.

KOHA ndërkohë ka publikuar projeksionin mbi rezultatin e mundshëm zgjedhor.

Projeksioni: Cilat parti ia morën votat VV-së?

2 muaj më parë / 9 shk 2025 19:43
Zgjedhjet

Lëvizja Vetëvendosje ka përjetuar ulje të përqindjes në raport me zgjedhjet e vitit 2021, në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sipas projeksionit të KOHËS për rezultatin e zgjedhjeve.

Prej 1500 të anketuarve, Lëvizja Vetëvendosje mori 42.3 për qind të votave për dallim nga mbi 50 sa i pati në zgjedhjet e para katër vjetëve.

Sipas anketës, 85.5 për qind të të anketuarve që thanë se sivjet votojnë VV-në, e kishin votuar këtë parti edhe në zgjedhjet e shkuara. Ndërsa ka qenë Lidhja Demokratike e Kosovës ajo që i ka marrë më së shumti vota VV-së. Sipas anketës, 7.1 për qind e të anketuarve që kishin votuar VV-në më 2021, kanë kaluar në LDK këtë herë. E në PDK kanë kaluar 4.7 për qind e votuesve të VV-së më 2021. Në Listën për Familje kaluan 1.8 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës ndërkohë i ka ruajtur 95.2 për qind të votuesve të vetë. LDK-ja po ashtu i ka ruajtur 95.3 për qind të votave të veta. 

Projeksioni i KOHËS: Si votuan gratë dhe si burrat?

2 muaj më parë / 9 shk 2025 19:34
Grate votim

Photo: Driton Paçarada

Fiks 46 për qind e grave ka votuar në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas Projeksionit të KOHËS për rezultatet e zgjedhjeve.

Në përqindje, nga 1500 të anketuarit, te burrat përqindja për VV-në ka qenë 39.5 për qind.

Ndërkaq PDK-ja, si partia e dytë sipas projeksionit, ka marrë mbështetje të 24.7 për qind të burrave të anketuar dhe 16.8 për qind te gratë.

LDK-ja ka përqindje më të nivelizuar me 21.6 për qind te gratë dhe 19.3 për qind te burrat.

AAK-ja ka marrë mbështetjen e 6.6 për qind të burrave dhe 6 për qind te gratë.

Nis numërimi i votave

2 muaj më parë / 9 shk 2025 19:26
numërimi i votave

/KP

Pas mbylljes së qendrave të votimit, ka filluar numërimi i votave në këto qendra ku është organizuar procesi i sotëm zgjedhor.

Ekipi i KosovaPress po qëndron në një qendër votimi në kryeqytet, ku nga afër po përcjell procesin e votimit të numërimit të votave nga komisionerët.

Për herë të parë mediat e akredituara lejohen të vëzhgojnë procesin e numërimit të fletëvotimeve në vendvotime për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës.

Procesi zgjedhor ka filluar në orën 07:00 dhe ka përfunduar në orën 19:00.

PDK-ja optimiste për rezultatin e zgjedhjeve

2 muaj më parë / 9 shk 2025 19:22
Vlora Çitaku

Foto: Arkiv

Photo: Alban Bujari

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka shprehur optimizëm për rezultatin e zgjedhjeve, duke falënderuar qytetarët për një tjetër proces elektoral të suksesshëm.

“I falënderoj qytetarët e Kosovës për edhe një proces elektoral tjetër të shkëlqyeshëm. Mburremi me fushatën dhe me ditën e zgjedhjeve. Presim rezultatet, por qysh tani kemi arsye për të qenë optimistë,” ka shkruar Çitaku në Facebook.

Ajo shtoi se pas përfundimit të zgjedhjeve, fokusi i PDK-së do të jetë tek puna për të bërë Kosovën më të mirë.

Sipas projeksionit të KOHËS, PDK-ja është e dyta me 21.3 për qind.

Projeksioni i KOHËS: Nga sa ulëse do t’i kenë partitë parlamentare

2 muaj më parë / 9 shk 2025 19:17
Kuvendi

Lëvizja Vetëvendosje do të jetë sërish forca më e madhe parlamentare në Kosovë, sipas projeksionit të KOHËS për rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Megjithatë, nga mbi 50 deputetë që kishte siguruar në zgjedhjet e shkuara, tash kjo parti sipas kalkulimit të ri do t’i marrë 47 ulëse. VV-ja i ka fituar 42.3 për qind të votave, sipas projeksionit pa diasporën.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike do t’i kenë të dyja nga 23 ulëse në Kuvend.

Koalicioni AAK-Nisma do të jetë grupi i katërt me 7 deputetë.

 

Përfundon procesi i votimit, nis mbyllja e vendvotimeve

2 muaj më parë / 9 shk 2025 19:02
votimi

Photo: Driton Paçarada

Në ora 19:00 ka përfunduar procesi i votimit në të gjithë vendin.

KQZ-ja pritet të dalë me të dhëna për numrin e saktë të votuesve.

Projeksioni i KOHËS: VV 42%, PDK 21%, LDK 20%, AAK-Nisma 6%

2 muaj më parë / 9 shk 2025 19:00
Projeksionet

Lëvizja Vetëvendosje do t’i fitojë 42.3 për qind të votave të qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit, sipas projeksionit të KOHËS, i cili nuk i përfshin votat nga diaspora. Përkthyer në ulëse të Kuvendit, bazuar në këtë projeksion me margjinë gabimi deri në 2.54 pikë të përqindjes, kjo parti do t’i marrë 47 ulëse.

Në zgjedhjet e 2021-s, Lëvizja Vetëvendosje pati më shumë se 50 për qind të votave.

Partia Demokratike e Kosovës do të mbetet partia e dytë me 21.3 për qind të votave. Sipas projeksionit, kjo parti ka marrë 23 ulëse në Kuvend.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritjen më të madhe nga zgjedhjet e 2021-s. Nga më pak se 13 për qind, kjo parti tani numëron 20.4 për qind të votave, bazuar në projeksionin pa diasporën. Në ulëse, sipas formulës së re të Kuvendit, kjo partia po ashtu do t’i ketë 23 ulëse.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe grupet tjera, mbetet fuqia e katërt politike në Kosovë. Kjo parti do t’i ketë 7 deputetë. Ajo i ka marrë 6.3 për qind të votave.

Subjektet tjera politike nuk kanë kaluar pragun prej 5 për qind për të siguruar ulëse në Kuvend.

Ndarja e ulëseve në Kuvend:

KOHA ka kryer hulumtimin me 1500 qytetarë deri në tri ditë para ditës së zgjedhjeve. Rezultatet e përgjithshme kanë margjinë gabimi deri në 2.53 pikë të përqindjes. Nga 1500 të anketuarit, 1300 janë shqiptarë, 100 serbë dhe 100 të etnive tjera joshumicë.

Mostra është ndërtuar bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullatës në Kosovë, sipas regjistrimit të vitit 2024.

Mostra është shtresuar në dy nivele bazuar në shpërndarjen e popullatës 18+:

Stratifikimi i parë: Për secilën nën-mostër, stratifikimi fillon nga niveli i komunës.

Stratifikimi i dytë: Më pas komunat ndahen në nivel të vendbanimit (urban/rural).

Procedurat e anketimit në terren:

Në secilin njësi të mostrës, përcaktohen pikat e nisjes (për shembull shkolla, xhamia, kisha etj.)

Anketuesit ndjekin metodën sistematike duke vizituar çdo shtëpi të tretë në anën e majtë të rrugës nga pika e nisjes.

Brenda secilës ekonomi familjare, intervista bëhet me të rriturin që ka ditëlindjen më të afërt të radhës me datën e intervistës.

Peshimi pas mbledhjes së të dhënave:

Peshimi i rezultateve përdoret fillimisht për të korrigjuar mbipërfaqësimin e grupeve joshumicë, sipas Rekos 2025.

Peshat gjithashtu përfshijnë variabla të tjerë si moshë, gjini dhe komuna, bazuar në pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në Kosovë

Shoqërohet në Polici i dyshuari për fotografim të votës në Zveçan

2 muaj më parë / 9 shk 2025 17:10
votim

Photo: Driton Paçarada

Një rast fotografimi i votës është raportuar gjatë pasdites në Zveçan.

Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani, ka thënë se një person është dërguar në stacion lidhur me rastin. 

“Një person është sjellë në stacion në lidhje me fotografimin e votës. Pas konsultimit me prokurorin do të vendoset si do të veprohet tutje”, ka thënë Elshani.

Nga të dhënat e fundit nga KQZ deri në orën 15:00 në këtë komunë kanë votuar 43.59% apo 3 mijë e 140 qytetarë nga 7 mijë e 203 sa kanë të drejtë vote. 

Gjatë ditës edhe një person është arrestuar për fotografim të fletës së votimit në një qendër votimi në Gjilan. 

Prokurori i Shtetit pas intervistimit ka urdhëruar që rasti i iniciuar si “cenim i fshehtësisë së votimit” të procedohet në procedurë të rregullt. 
 

KQZ: 10 mijë votues më pak se në vitin 2021 deri në orën 15:00

2 muaj më parë / 9 shk 2025 16:17
Pamje nga zgjedhjet 2025

Photo: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 15:00 të drejtën e votës e kanë ushtruar 558.246 qytetarë apo 28.32 për qind.

Krahasuar me vitin 2021, janë rreth 10 mijë vota më pak.

Asokohe deri në orën 15:00 kishin votuar 567.934 qytetarë apo 32.32 për qind.

Arrestohen dy të dyshuar për sulmin ndaj personit afër qendrës së votimit në Viti

2 muaj më parë / 9 shk 2025 15:50
Arrestim

Foto: ilustrim

Të paktën dy persona janë arrestuar të dielën në Pozheran të Vitisë, nën dyshimin se e kanë sulmuar një qytetar.

Rasti ka ndodhur pranë qendrës së votimit në shkollën “Kongresi i Manastirit”.

Sipas burimeve qytetari që ka qene cak i sulmit, ka vendosur në veturën e tij një fotografi të njërit kandidat për zgjedhje (për kryeministër). 

Nga Policia kanë thënë se sulmi fizik ka ndodhur, por nuk mund të ndërlidhet me zgjedhjet nacionale, pasi rasti ka ndodhur jashtë perimetrit të qendrës së votimit. 

 

Mediat e huaja raportojnë për zgjedhjet në Kosovë, vënë theksin te dialogu me Serbinë

2 muaj më parë / 9 shk 2025 14:45
Votuesi ne zgjedhjet ne Kosove

Photo: Driton Paçarada

Mediat më prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar të dielën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

“Kosova voton për parlamentin e ri, teksa ndihma e huaj po pakësohet dhe bisedimet me Serbinë kanë ngecur”, është titulli që mban artikulli i agjencisë së lajmeve Associated Press.

Sipas agjencisë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë kanë ngecur dhe ndihma e huaj është vënë në pikëpyetje.  

AP-ja raporton edhe për zotimet që kanë dhënë partitë kryesore në këto zgjedhje.

Agjencia tjetër e lajmeve “Reuters” shkruan se “Kosova mban zgjedhjet e turbullt nga tensionet me Serbinë”.

Reuters shkruan po ashtu se fushata zgjedhore ka qenë e ashpër dhe se janë shqiptuar më shumë se 650,000 euro gjoba për partitë këtë fushatë, trefishi i  vlerës së shqiptuar në vitin 2021. 

“The Guardian” ka folur për ndikimin që kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund ta ketë për Kosovën. 

“Kosova po voton teksa hija e Trumpit shkakton brenga”, shkruan e përditshmja britanike “The Guardian”, duke sqaruar se frika e ndarjes, që ishte ngritur gjatë administratës së parë të Trumpit, është rikthyer

“The Guardian” shkruan më tej se Kosova shkon në zgjedhje të cilat mund të shënojnë një udhëkryq në historinë e vendit të ri dhe madje të përcaktojë integritetin e ardhshëm territorial në një botë gjithnjë e më armiqësore.

Edhe media franceze, “France24” shkruan se Kosova voton në zgjedhjet parlamentare “të mjegulluara nga tensionet me Serbinë”. 

Sipas mediumit, këto zgjedhje mund të përcaktojnë se kush do të udhëheqë palën kosovare në negociatat me Serbinë, të cilat ngecën vitin e kaluar. 

DnV: Fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese paraqet problem

2 muaj më parë / 9 shk 2025 14:08
ngjyra matrikuluese

Photo: Driton Paçarada

Organizata “Demokracia në Veprim” ka vlerësuar se procesi i votimit në Kosovë deri në mesditë ka qenë i qetë, pa ndonjë parregullsi apo incident serioz.

Eugen Cakolli nga DnV ka thënë se shqetësuese mbetet që ka votues që nuk kanë gjetur emrat e tyre kur janë paraqitur në vendvotime.  

Ndërsa, ritheksoi se problem po mbetet fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese te votuesit, “problem që mund të ndikoj dhe t’i hapë rrugë votimit të dyfishtë”.   

“Vështirësi për të gjetur emrat e votuesve nga votuesit janë nga parregullsitë kryesore që kanë karakterizuar mbi 50% të vendvotimeve. Shqetësues mbetet që kemi 6% të vendvotimeve ku numri i votuesve që nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve arrin në 50 sosh”, ka thënë ai.

Cakolli ka shtuar se ka pasur raste të fotografimit të votës.  

“Sa i përket fotografimit të votës, ky fenomen është ende prezent. Deri në 12:00 kemi pasur raste të izoluara të fotografimit të votës në 4% të vendvotimeve. Sa i përket incidenteve, 4% e vendvotimeve kanë hasur probleme qoftë procedurale apo një natyre tjetër serioze”.

E, ai ka ngrehur edhe një shqetësim lidhur me vendosjen e kabinave të votimit.

“Ka pasur raste të shtuara kur persona të identifikuar si staf i KQZ-së u kanë kërkuar këshillave të vendvotimeve që t’i vendosin kabinat e votimit përballë njëra-tjetrës, duke iu kthyer modelit që ne e patëm kundërshtuar e për të cilin ka vendim të KQZ-së se i njëjti përbën shkelje”.

Pula: Ka evoluar zbulimi i kryerësve të veprave penale në zgjedhje, sot përmendemi në Këshillin e Sigurimit

2 muaj më parë / 9 shk 2025 14:01
Laura Pula

Laura Pula, prokurore dhe koordinatore nacionale e zgjedhjeve, ka deklaruar se krahasuar me vitin 2010, vit në të cilin, sipas saj, janë mbajtur zgjedhjet më autokrate në Kosovë, tani ka evoluar zbulimi i kryerësve të veprave penale. 

Ajo ka thënë se Kosova tashmë ka arritur të jetë shtet me demokraci elektorale, e madje edhe të përmendet në Këshillin e Sigurimit. 

“Ka evoluar shumë edhe mënyra edhe zbulimi i kryerësve të veprave penale, por ka evoluar shumë edhe vetëdijesimi i qytetarëve në raport me keqpërdorimin e votës. Krahasuar me 2010-tën kur zgjedhjet kanë qenë pothuajse më të këqijat, autokrate për Republikën e Kosovës dhe ndër vite kemi arritur të jemi shtet demokrat, me demokraci elektorale. Kjo është arritje e madhe ndër vite dhe të jemi objekt i përmendjes në Këshillin e Sigurimit nuk është pak për shtetin e Kosovës”, ka thënë ajo të dielën në edicionin special në KTV.

Derisa ka folur për përgjegjësitë e prokurorëve kujdestarë dhe atyre me ndërrime në ditën e zgjedhjeve, Pula ka thënë se kushdo që nuk i raporton parregullsitë brenda vendvotimeve, do të jenë përgjegjës për mosveprim në kohë. 

“Ne i kemi të shpërndarë në tërë territorin e Republikës së Kosovës prokurorët kujdestarë. Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë i kemi dy prokurorë kujdestarë, në të gjitha komunat tjera që janë në kuadër të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës janë gjithashtu janë prokurorë me ndërrime, ngase kujdestaria në nivel institucioni sot është nga ora 07:00 deri në orën 23:00. Personat përgjegjës që janë të zgjedhur dhe e monitorojnë procesin e votimit e kanë për obligim ta raportojnë çdo parregullsi edhe brenda vendvotimeve dhe nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, ata vetë do të jenë përgjegjës për mosveprim në kohë”, ka shtuar Pula.


Maloku i quan sondazhet kurth: Mjet manipulimi dhe keqpërdorimi

Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fadil Maloku, ka thënë se sondazhet për zgjedhje janë kurth nga të cilat duhet pasur kujdes.

Në edicionin special të KTV-së për zgjedhjet e përgjithshme, Maloku ka thënë se sondazhet janë mjet manipulimi dhe keqpërdorimi dhe nuk mund t’u besohet.

Ai i ka marrë si shembull zgjedhjet në SHBA ku garuan Hilary Clinton kundër Donald Trumpit.

“Sondazhet nuk janë mekanizëm që e tregojnë drejt gjendjen, bindjet dhe përgjegjësinë që ka elektorati. Në zgjedhjet në SHBA kur ishin kandidatë Hilary Clinton dhe Donald Trumpi, një profesor amerikan 30 vjet kanë bërë sondazhe dhe asnjëherë nuk ka gabuar. Në zgjedhjet e 2019-tës, 1 javë para se të përfundonte fushata ai doli me propozimin dhe tha që Clinton për 3-4 për qind do të fitojë, mirëpo çfarë bëri ekipi i Trumpit, përdori një mekanizëm që nuk ishte përdorur asnjëherë, përdori rrjetet sociale dhe për një javë e përmbysi atë nuancë prej 3-4 për qind dhe doli profesori publikisht tha që sondazhet mund të jenë vetëm një mjet manipulimi dhe keqpërdorimi sepse nuk mund të jenë më mekanizëm që u besohet. Nuk mendoj se është ngritur ende një përgjegjësi publike për këto gjëra. Në këtë kurth mendoj se kanë rënë të gjithë ata që merren profesionalisht, duhet kemi shumë kujdes. Me ligjin tonë aktual nuk është e sanksionuar”, ka thënë ai. 

Maloku ka shtuar se për zgjedhje të mirëfillta do të duhej të krijoheshin disa parakushte. 

“Një ligj adekuat pasi ligji është një mekanizëm që mundëson, rregullon raportet mes institucioneve, mes subjekteve në tërësi. Një trup apo mekanizëm adekuat siç është Komisioni Zgjedhor, edhe këtu kam pasur vërejtje pasi vazhdoj të mendoj se Komisioni Zgjedhor i dalë nga partitë politike nuk është mekanizëm adekuat për mirëmbajtjen e gjithë procesit zgjedhor pasi kemi përfaqësues të të gjitha subjekteve politike dhe mbron interesat e partisë, ndërkaq ai është institucion shtetëror. Do të duhej të ndërrohej kjo mënyrë dhe të ketë përfaqësues gjyqtarë që mbrojnë interesat e shtetit jo të partive, subjekteve, individëve. Ka shumë shtete që kanë vu gjyqtarë me përvojë që kanë legjitimitet dhe bagazh pozitiv për punën që kanë bërë pasi ai nuk e rrezikon punën 40-vjeçare që e ka bërë me një hap të tillë”, ka thënë ai.  

AIP bën thirrje që vendosja e kamerave dhe kabinave të votimit të bëhet në përputhje me ligjin

2 muaj më parë / 9 shk 2025 13:49
Zgjedhjet 2025

Photo: Driton Paçarada

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që gjatë procesit të votimit të sigurojë vendosjen e kamerave të sigurisë dhe kabinave të votimit në përputhje të plotë me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, si thuhet, duke shmangur çdo cenim të privatësisë së qytetarëve dhe fshehtësisë së votës. 

Agjencia gjithashtu u ka bërë thirrje partitë politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve në komunikimet “nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazheve (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak”.

AIP-ja thekson se çdo shkelje e parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale do të trajtohet në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe kompetencat ligjore të Agjencisë.

Orav: Qytetarët e Kosovës duhet ta ushtrojnë të drejtën e votës

2 muaj më parë / 9 shk 2025 12:41
Aivo Orav

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e votës dhe të përcaktohen lirshëm për zgjedhjet e tyre.

Orav ka vizituar një qendër votimi në Vushtrri.  

“BE-ja ka vendosur Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë, për të vëzhguar të gjitha aspektet e këtij procesi. Populli i Kosovës duhet ta ushtrojë të drejtën e votës dhe të shprehë lirshëm zgjedhjen e tij”, ka shkruar Orav në platformën X.

 

Osmani: Ftoj qytetarët të marrin pjesë në procesin që determinon parlamentin e institucionet tjera

2 muaj më parë / 9 shk 2025 11:59
Vjosa Osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se sot është është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët të japin kontribut për zhvillim të mëtejmë të demokracisë së Kosovës. 

Ajo ka thënë se shpreson që të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.  

Osmani ka thënë se një prej mënyrave më të mira për të kontribuar për shtetin e Kosovës.

“Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta mbajë të tillë dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej, dhe sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim, duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm nga i cili determinohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet e tjera, por edhe merren vendime të cilat kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre dhe të gjithë vendin tonë”, ka deklaruar Osmani pasi që ka votuar.

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë votuan 538 të burgosur

2 muaj më parë / 9 shk 2025 11:56 Nga: Donisa Fazliu
Qendra Korrektuese Dubrave

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 538 nga 728 të burgosur. 

Votimi për zgjedhjet e Kosovës ka nisur rreth orës 9:40. 

Një numër i të burgosurve s’kanë pasur mundësi të votojnë pasi nuk kanë poseduar dokumente identifikimi. 

KQZ: Deri në orën 11:00 votuan 8.58% e votuesve

2 muaj më parë / 9 shk 2025 11:39
votim

Photo: Driton Paçarada

Deri në orën 11:00, nëpër vendvotime në Kosovë kanë votuar 8.58 për qind e votuesve të regjistruar. 

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se krahasuar me zgjedhjet e kaluara të parakohshme, më 2021 deri në orën 11:00 patën votuar 8.30% e votuesve apo 145.650 qytetarë. 

"Duke u mbështetur në të dhënat nga 2343 vendvotime nga gjithsej 2533, deri në 11:00 kanë votuar 8.58% apo 169,032 votues", ka thënë ai.

Të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhje i shihni këtu

 

Krasniqi nga “D+”: Ngjyra shënjuese po fshihet lehtësisht, rrit rrezikun për votim të dyfishtë

2 muaj më parë / 9 shk 2025 10:43
markeri ne gisht

Photo: Driton Paçarada

Organizata “Demokracia Plus” ka dhënë rezultatet nga tri vëzhgime të procesit të votimit që ka nisur në Kosovë të dielën.  

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” ka thënë se shënjimi i gishtërinjve me ngjyrë po fshihet lehtësisht dhe kjo rrit rrezikun e votimit të dyfishtë. 

Po ashtu, D+ ka gjetur se kabina e votimit është më e ulët dhe kjo rrit rrezikun e cenimit të fshehtësisë së votës, si dhe ka vlerësuar se mundësia për të votuar deri në dhjetë kandidatë është e panevojshme. 

Tri vëzhgime të “Demokracia Plus nga procesi i votimit:

  1. Shenjimi i gishtërinjve me ngjyrë dalluese po fshihet lehtësisht, duke rritur rrezikun e votimit të dyfishtë. Kjo përbën një hap prapa krahasuar me praktikën e mëparshme të përdorimit të ngjyrës së padukshme, pasi qytetarët mund të bien pre e presioneve për të votuar ose për të mos votuar.
  2. Kabina e votimit është më e ulët dhe votuesit ulen në bankë, gjë që rrit rrezikun e cenimit të fshehtësisë së votës, veçanërisht kur një votues tjetër qëndron në këmbë.
  3. Mundësia për të votuar deri në dhjetë kandidatë në listë është e panevojshme, pasi sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve mezi arrijnë të zgjedhin katër preferenca. Ky proces jo vetëm që e ngadalëson votimin dhe numërimin e votave, por gjithashtu forcon kontrollin e liderëve partiakë mbi deputetët. Kandidatët lokalë do ta kenë shumë më të vështirë të zgjidhen, ndërsa do të favorizohen të preferuarit e liderit, të cilët përfitojnë më shumë hapësirë mediatike.

     

Arrestohet një i dyshuar për fotografim të fletëvotimit

2 muaj më parë / 9 shk 2025 10:21
votim

Photo: Driton Paçarada

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person që dyshohet se e ka fotografuar fletën e votimit në një qendër votimi në Gjilan. 

Prokurori i Shtetit pas intervistimit ka urdhëruar që rasti i iniciuar si “cenim i fshehtësisë së votimit” të procedohet në procedurë të rregullt. 

Rasti po vazhdon të hetohet. 

“Më datë 09.02.2025 rreth orës 07:35,Policia e Kosovës është njoftuar se brenda një qendre votimi e cila gjendet në Gjilan, nga vëzhguesit e qendrës është vërejtur një votues ku dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit derisa ka qenë brenda kabinës së votimit. Konform obligimeve ligjore dhe autorizimeve zyrtare, zyrtarët e PK-së kanë arrestuar të dyshuarin brenda qendrës së votimit dhe i njëjti është shoqëruar nga hetuesit rajonal në lokalet e NJHP-së ku edhe është intervistuar  në prezencën e avokatit mbrojtës”, njoftoi PK-ja. 

Sipas burimeve të KOHËS i arrestuari është një mërgimtar, i cili ka thënë se është duke votuar për herë të parë dhe se nuk ka pasur informacione që nuk ka të drejtë ta fotografojë fletëvotimin. 

Voton Abdixhiku, u bën thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre

2 muaj më parë / 9 shk 2025 10:12
Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të ushtrojnë të drejtën e votës.

Ai ka folur para mediave pas votimit.

“Është ditë e demokracisë dhe në këtë ditë të demokraci ftoj qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre për katër vjetët e ardhshme të tyre dhe Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Kurti: Ushtrojeni të drejtën demokratike për të bërë zërin tuaj të dëgjohet

2 muaj më parë / 9 shk 2025 09:54
Albin Kurti

Photo: Alban Bujari

Kandidati për kryeministër Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e votës. 
Kurti ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Ekonomik. 

“Ditë e re dhe me zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar deri në këto çaste, e inkurajoj çdo njeri të votojë. Ushtrojeni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet. Përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme. Gëzuar e suksese”, tha Kurti. 

Voton Hamza: Shfrytëzojeni të drejtën për të votuar

2 muaj më parë / 9 shk 2025 09:47
Bedri Hamza

Foto: KOHA

Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka lutur të gjithë qytetarët që të dalin të votojnë dhe ka theksuar se çdo rezultat zgjedhjeve për të do të jetë i pranueshëm. 

“I lus të gjithë qytetarët e Kosovës që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, të drejtën e tyre për të votuar, për të zgjedhur Qeverinë për katër vjetët e ardhshme, uroj që gjithçka të shkojë mirë , besoj që gjithçka do të shkojë mirë, nuk ka asnjë arsye dhe në fund sovrani vendos ... për mua çdo rezultat që e votojnë qytetarët e Republikës së Kosovës është i pranueshëm “, ka theksuar Hamza, pasi që e ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar.

 

Mbi 100 vëzhgues të BE-së në Kosovë, Loiseau: Të përkushtuar të monitorojmë procesin zgjedhor

2 muaj më parë / 9 shk 2025 09:46
Vezhgues

Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, ka deklaruar se me 104 vëzhgues të BE-së në terren, janë duke monitoruar nga afër procesin zgjedhor.

Ajo ka theksuar se kanë për qëllim të vlerësojnë nëse qendrat e votimit u hapen me kohë, nëse materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor.
Derisa ka bërë të ditur se një vlerësim i plotë do të jepet në një konferencë për media të martën.
“Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian është në terren në mbarë Kosovën. Vëzhguesit tanë e nisën punën herët në mëngjes për të siguruar një vlerësim të plotë të procesit zgjedhor. Aktualisht ndodhem në Prishtinë, dje isha në Prizren. Një ditë më parë isha në Mitrovicën e Veriut dhe sot do të udhëtoj në disa vende të tjera jashtë Prishtinës për të parë nga afër situatën. Qëllimi ynë është të vlerësojmë nëse qendrat e votimit u hapën në kohë, nëse të gjitha materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor. Në këtë fazë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Një vlerësim i plotë do të jepet në konferencën tonë për shtyp ditën e martë", tha ajo.

Ajo më tej ka theksuar Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë.

"Me 104 vëzhgues të BE-së në terren, ne jemi të përkushtuar të monitorojmë nga afër procesin zgjedhor. Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë dhe dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës.

Kështu thuhet në njoftimin e prokurorisë, duke shtuar se në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme./KSP
 

DnV: 9% e vendvotimeve u hapën me vonesë, shumica për shkak të mungesës së komisionerëve

2 muaj më parë / 9 shk 2025 09:21
DnV, Ismet Kryeziu

9 për qind të vendvotimeve në Kosovë janë hapur me vonesë të dielën, ka njoftuar organizata “Demokracia në Veprim” (DnV).

Ismet Kryeziu nga DnV në konferencë për media lidhur me procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare ka thënë se në shumicën e rasteve vonesat e hapjes së qendrave të votimit kanë ndodhur për shkak të mungesës së komisionerëve.  

“Nga 2589 vendvotime, 9% e këtyre vendvotimeve janë hapur me vonesë. Është raportuar se shkak i vonesave ka qenë mungesa e komisionerëve në 6% të vendvotimeve”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka shtuar se kanë vërejtur edhe disa parregullsi dhe incidente.

“Rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialet tjera në diametrin e lejuar prej 100 metra, kemi parë se në 3% të qendrave të votimit ende kemi posterë apo material të partive politike”.

“Kemi dy incidente, është incidenti me vëzhgues të DnV në Prizren ku është mohuar qasja në informata nga kryesues të vendvotimeve, përkatësisht në qendrën ‘Abdyl Frashëri’ dhe “’Motrat Qiriazi’”, ka potencuar ai.

Kryeziu ka theksuar se disa vendvotime vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuar.

“Një numër i vendvotimeve vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuar. 20% e qendrave të votimit personat me aftësi të kufizuar kanë pasur pengesa në qasjen e tyre për të votuar”.

DnV-ja ka angazhuar rreth 500 vëzhgues.

Voton Haradinaj, fton qytetarët të votojnë

2 muaj më parë / 9 shk 2025 09:19
Ramush Haradinaj

Foto: Arkiv

Photo: Alban Bujari

Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, pasi që ka votuar, ka ftuar të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. 

“Punë të mbarë atyre që sot janë të ngarkuar me procesin zgjedhor, ka filluar mirë dhe të gjitha informatat janë se në të gjithë vendin ka filluar mirë, më përjashtim të votimit me kusht, ku ka disa vonesa ... U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, dilni të votoni , vota juaj ka vlerë vetëm në kuti, Kosova ka nevojë për votën tuaj”, ka deklaruara Haradinaj.

Ndalohen pesë persona të dyshuar për “cenim të përcaktimit të lirë të votuesve” në veri

2 muaj më parë / 9 shk 2025 09:00
arrestohen

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se në dy raste të ndryshme ka ndaluar pesë persona mbi dyshimin për “cenim të përcaktimit të lirë të votuesve”. 

Katër persona janë ndaluar në një rast dhe një tjetër në një rast. 

“Prokurorët e Shtetit, të cilët po kujdestarojnë sot, do të veprojnë me urgjencë në secilin rast që mund të paraqitet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme gjatë këtij procesi zgjedhor.   Prokurori i Shtetit sërish i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, ka njoftuar Prokurori i Shtetit. 

Sipas raportimit të Policisë, katër gra janë arrestuar në një rast në Zubin-Potok, ndërsa një burrë është arrestuar për një rast që thuhet se ka ndodhur në Mitrovicë të Veriut. 

Rreth 100 prokurorë të angazhuar për të përcjellë procesin zgjedhor

2 muaj më parë / 9 shk 2025 08:29
votim

Photo: Driton Paçarada

Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të dielën. 

Zyra e Prokurorit ka njoftuar se në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor,  me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme. 

“Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula do ta mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.

Prokurori i Shtetit ka bërë thirrje që të denoncohen tek prokuroritë përkatëse, çdo rast për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

Policia po ashtu ka njoftuar për katër fazat ky[e të planit operativ policor për zgjedhjet. 

Policia ka thënë se zyrtarët policorë kanë filluar punën me orar 12-orësh, duke nisur nga 3 e mëngjesit. 

“Ky plan operativ ka paraparë katër faza: Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese; Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore; Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z); Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”, sipas planit të Policisë. 

Dy fazat e planit, policia ka thënë se janë realizuar. 

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore”, thuhet nga Policia. “Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre”.

 

KQZ: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë

2 muaj më parë / 9 shk 2025 08:05
Valmir Elezi

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, në orën 7 të mëngjesit, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka dhënë informacionet e para për procesin e votimit.

“Në orët e hershme dhe me kohë është shpërndarë materiali zgjedhor. Duke u mbështetur në informacionet deri tash, në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë, në 903 me gjithsej 2533 vendvotime ka filluar procesi i votimit. Përveç votimit të rregullt, siç e dini, KQZ ka caktuar 38 qendra të votimit me kusht, nga një në çdo komunë”, ka thënë ai.  

Sipas listës së votuesve, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 1,970,944 votues. Numri i subjekteve politike të certifikuara është 28, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Por, ka pasur raportime për vonesa në disa qendra të votimit në Prizren e po ashtu në Prishtinë. 

Nis votimi edhe në Mitrovicë të Veriut

2 muaj më parë / 9 shk 2025 07:38
veri

Të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës janë hapur me kohë për zgjedhjet parlamentare që po mbahen të dielën në Kosovë. 

Në Mitrovicë të Veriut janë gjithsej gjashtë qendra me 24 vendvotime, ndërsa 18 mijë e 781 qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Në katër komunat veriore të vendit, Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok dhe Mitrovicë Veriore, janë gjithsej 44 qendra të votimit me 74 vendvotime, ku do të mund të votojnë 46 mijë e 703 qytetarë.

Serbët në veri masivisht kishin bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat në veri, pasi Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, u tërhoq nga institucionet e Kosovës.

Radoniqi bën thirrje për proces të qetë e demokratik

2 muaj më parë / 9 shk 2025 07:15
Radoniqi

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin të votojnë dhe ka bërë thirrje për një proces të qetë e demokratik. 

Radoniqi ka dhënë detaje edhe për votimin nga diaspora. 

“Tashmë i kemi të dhënat edhe për Amerikë e Kanada. Diku mbi 15 mijë kanë votuar në përfaqësi diplomatike atje. Çdo gjë është gati. KQZ-ja është në detyrë e shpresojmë për një ditë festive”, tha Radoniqi pasi votoi në Pejë. 

Ai ka treguar edhe për telashet që ka pasur me shënjesuesin e gishtit. 

“E vërteta është që kompania kontraktuese fillimisht na furnizoj me ngjyrë që është fshirë. Por, pasi komisioni vlerësues e vërejti me kohë, i ktheu markerat dhe kompania na siguroi markera të rregullt”, tha Radoniqi.  

Sa i përket për transportimin e votave nga Kroacia, Radoniqi ka thënë se bëhet fjalë për rreth 30 vota.

Ai ka thënë se gabimi është bërë që nuk janë respektuar procedurat dhe vëzhguesit nuk ishin njoftuar kur u tërhoqën, por se personat që tërhoqën votat ishin të autorizuar. 

“Do të ketë rekomandim të sekretariatit dhe në bazë të rekomandimit do të marrim vendim në KQZ”, tha Radoniqi. 

Hapen qendrat e votimit

2 muaj më parë / 9 shk 2025 07:00
votimi

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Janë hapur qendrat e votimit nëpër të gjitha pikat në Kosovë.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka qenë i pari që ka votuar.

Ai e ka hedhur votën e tij në Pejë.

Mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë të drejtë vote.

Fluks mërgimtarësh për të votuar

2 muaj më parë / 9 shk 2025 06:37
Zgjedhjet 2025, Rinia

Foto: Ilustrim

Gati gjysma e trupës votuese prej më shumë se 2 milionë qytetarësh, janë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë shtetit dhe shumë nga ta të shtunën kanë arritur në Prishtinë, me qëllimin që të votojnë të dielën.

Për mërgimtarët, për herë të parë është mundësuar votimi në ambasada e konsullata, ndërkaq mundësia me postë ka ekzistuar edhe në zgjedhjet e mëhershme.

Por, shumë nga ata që nuk kanë arritur të aplikojnë suksesshëm, kanë udhëtuar për në Kosovë.
Krahas hyrjeve në kufi, të shtunën fluks i madh qytetarësh ka mbërritur nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës, ku janë pritur edhe me daulle.

Njëri prej tyre, Ahmet Sylejmani, i ka thënë KSP-së se rruga ishte shumë e lehtë, meqë ka qenë pjesë e një grupi të organizuar.

“Shumë mirë, kemi qenë të gjithë, siç po e sheh. Tërë kohën duke kënduar dhe jemi bërë së bashku”, ka thënë Sylejmani.

Mërgimtari tjetër, Andin Musa, ka theksuar se ka ardhur në Kosovë “me gëzim e hare”.
“Kemi qenë të gjithë të kënaqur për këtë punë... Shumë të gëzueshëm, të hareshëm”, ka thënë Musa.

Edhe Lumnije Hajdini-Smajli, ka thënë se ka udhëtuar enkas për të votuar.

“Vij enkas për votimin dhe fluturimi ka qenë tepër i mirë. Kemi qenë të gëzuar, të mallëngjyer”, është shprehur ajo.

Edhe subjektet politike kanë organizuar transport, për mërgimtarët që duanë të votojnë të dielën. Nga e premtja është raportuar për fluks automjetesh që kanë hyrë në Kosovë.

Lista Votuese për zgjedhjet e 9 shkurtit ka mbi 2 milionë shtetas, mbi moshë 18 vjeç. Por, meqë sipas regjistrimit të fundit, Kosova ka pak më shumë se një milionë banorë rezident në moshë për të votuar, rezulton se gjysma e numrit në Listë Votuese janë shtetas që jetojnë jashtë vendit. Prej tyre, mbi 100 mijë janë regjistruar të votojnë me postë, kurse rreth 20 mijë në ambasada e konsullata, proces ky i kryer të shtunën.

Kosova voton

2 muaj më parë / 9 shk 2025 06:31
vota

Foto nga arkivi

Prania e numrit të madh të policëve të shtunën më mëngjes tek Qendra e Numërimit dhe Regjistrimit në Fushë-Kosovë, është pjesë e parapërgatitjes për nisjen e një pune me rëndësi të madhe. Kamionët u renditën njëri pas tjetrit, pasi u ngarkuan me material zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, kutitë dhe kabinat e votimit për zgjedhjet parlamentare të së dielës së 9 shkurtit.

Prej kësaj qendre, secili kamion u përcoll me ekipe policore, deri te qendrat komunale gjithandej Kosovës.

E prej aty, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se materiali do të shpërndahet mëngjesin e hershëm të së dielës nëpër secilën qendër votimi.

“Ky material zgjedhor është dërguar në 38 qendrat komunale dhe pastaj në orët e hershme të mëngjesit të ditës së diel do të shpërndahen nëpër të gjitha qendrat e votimit, të cilat do të hapen në orën 07:00”, ka thënë Elezi.

Palestra “1 Tetori” është Qendra Komunale e Numërimit për Prishtinën. Aty stafi që përkujdeset për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor i pranoi kabinat e votimit dhe ngjyrën për shënjimin e votës.

Me vendim të KQZ-së, për zgjedhjet e së dielës janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 janë për votim në vendvotime të rregullta; 28,450 për vota me kusht; 38,650 për votim të personave me nevoja të veçanta, si dhe fletëvotime rezervë; e 21,450 janë për votim nëpër përfaqësi diplomatike.

“Numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1,970,944. Pra, të gjithë këta janë të shpërndarë në 903 qendra të votimit, ku do të zhvillohet procesi i votimit të rregullt me 2533 vendvotime”, ka thënë zëdhënësi Elezi.

Në secilën prej 38 komunave të Kosovës, do të jetë në dispozicion nga një qendër e votimit me kusht.

Zgjedhjet e së dielës janë të parat që do të mbahen, pas ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që sjell disa ndryshime në proces. Në kuadër të tyre, qytetarët do të mund të zgjedhin nga 10 kandidatë për deputetë, ndryshe prej 5, sa kanë mundur në zgjedhjet e kaluara. Ndërkaq, në secilën qendër votimi nuk do të ketë më mundësi për votim me kusht, por vetëm një brenda një komune.

Në vendvotime e edhe në qendra të numërimit të rezultateve, do të ketë kamera të instaluara.

“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qellim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit. Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullsi me qellim që t'iu ofrohen institucioneve ligj zbatuese”, ka bërë të ditur Elezi. “Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitoroje këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të behet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligj zbatuese”.

Ndërkaq, është larguar edhe heshtja zgjedhore, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Me ligjin e ri, heshtje zgjedhore konsiderohen vetëm orët sa janë të hapura qendrat e votimit, pra nga ora 7:00 e së dielës deri në 19:00.

Një ndryshim tjetër do të bëjë që rezultatet për partitë të publikohen në kohë rekorde, meqë në vendvotime do të numërohet vetëm rezultati për partitë, kurse në qendra komunale ai për kandidatët.

“Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike. Kjo ia mundëson KQZ-së, që brenda një kohe të shpejt të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike. Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë”, ka thënë zëdhënësi Elezi.

E, e shtuna ka qenë ditë votimi në misione diplomatike të Kosovës, pasi kjo u bë e mundur me ndryshimet e reja ligjore. Në misione kanë qenë të hapura 43 vendvotime, e në Kosovë të dielën hapen 2 mijë e 533 sosh.

Prej pasluftës, zgjedhjet e sivjetme janë të parat që mbahen në afat të rregullt kushtetues, meqë të mëhershmet ishin të parakohshme.

Përpara datës së votimit, subjektet politike kanë pasur në dispozicion 30 ditë që të bëjnë fushatë parazgjedhore.

Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) ka gjetur se fushata është karakterizuar me diskurs të ashpër politik e me përshkallëzim të gjuhës së urrejtjes që, sipas saj, ka dëmtuar standardet e demokracisë.

Bazuar në gjetjet e DnV-së, subjektet politike më tepër janë përqendruar te sulmet e akuzat ndaj partive tjera garuese, sesa në shpalosjen e programeve.

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv në KDI, organizatë që është pjesë e koalicionit, ka folur mbi incidentet e evidentuara gjatë fushatës.

“Incidentet që duhet t’i theksojmë janë incidenti i Skenderajt apo incidentet tjera, të cilat kanë ndodhur në komunat me komunitetin serb, si gjuajtja e veturave zyrtare të KQZ-së, por incidente të cilat në parametrat e demokracisë nuk kanë arritur të pengojnë zhvillimin e garës, barazinë në garë apo të drejtën për të garuar”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka theksuar se gjatë fushatës janë evidentuar edhe raste të pengimit të punës së gazetarëve në terren.

“Mediat nuk kanë arritur mjaftueshëm ta bëjnë punën e tyre dhe në disa raste janë penguar gazetarë nga mediume të caktuara për të ushtruar funksionin e tyre, për të arritur të krijojnë një qasje të barabartë, transparente dhe informative për qytetarë”, ka thënë Kryeziu.

Për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet, në DnV kanë bërë të ditur se Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) u ka shqiptuar partive gjoba në vlerë mbi 650 mijë euro.