Arbëri

Dështon konstituimi i Kuvendit

14 o. më parë Nis seanca e konstituimit
Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Ka dështuar të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës pasi që nuk ka kaluar raporti i Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja kanë votuar kundër raportit. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues. Anëtari i Komisionit nga LDK-ja, Aremnd Zemaj, ka thënë se kanë votuar kundër raportit, pasi “nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë". Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ia ka dorëzuar letrën e dorëheqjes kreut aktual të Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kabinetin qeveritar. Në letër thuhet se Kurti dha dorëheqjen me ministrat për të bërë betimin si deputetë të Kuvendit. Të gjitha ato që ndodhën në Kuvend mund t'i lexoni këtu.

IKD: Letra e Kurtit s’paraqet akt dorëheqjeje

9 o. më parë / 15 pri 2025 15:47
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se letra e dorëzuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes.

Deputetët e legjislaturës së nëntë të martën nuk përkrahën raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Sipas partive që deri tash ishin në opozitë, kërkesë është që anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të japin dorëheqje nga postet qeveritare para se të bëhen deputetë. Kjo është kundërshtuar nga VV-ja që ka thënë se anëtarët e saj tashmë janë dorëhequr.

E sipas IKD-së e gjithë kjo u krijua si rezultat i “mosrregullimit adekuat” të Ligjit për Qeverinë.

“Tutje, IKD ka theksuar vazhdimisht se në frymën e funksionimit të institucioneve, dispozitat kushtetuese dhe ligjore në këtë situatë duhet të interpretohen në atë mënyrë që anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje në momentin e dhënies së betimit si deputet”, thuhet në komunikatën e IKD-së. “Letra e dorëzuar nga Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes. Interpretimi i z. Kurti se Qeveria e tij ka statusin ekuivalent me Qeverinë në detyrë vlen për Qeverinë si institucion dhe jo për të si kreu i saj. Përmbajtja e njoftimit të Kryeministrit tregon synimin e tij që ai të vazhdojë ta udhëheqë Qeverinë në detyrë edhe duke qenë deputet”.

Sipas IKD-së, kryeministri duhet të japë dorëheqje në momentin e betimit si deputet.

“Nga ky moment, Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si qeveri në dorëheqje, por se nuk mund të udhëhiqet nga z. Kurti. Udhëheqja në këtë rast kalon tek zv. Kryeministri i Qeverisë në detyrë dhe postet ministrore udhëheqen nga zv. Ministrat. Përjashtim bëjnë rastet kur një ministër nuk është zgjedhur deputet, në këtë rast, ai mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën”, thuhet në reagim të IKD-së.

IKD-ja ka thënë se letra e dorëheqjes duhet të jetë e qartë e të mos lejojë hapësira për interpretime e se ajo nuk duhet t’i dorëzohet ish-kryetarit Glauk Konjufca, por kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari.

KDI: Përgjegjësia kryesore për konstituim bie mbi VV-në

10 o. më parë / 15 pri 2025 15:01
Kuvendi i Kosoves -

Photo: Driton Paçarada

Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se dështimi i konstituimit të Kuvendit është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës. Kjo organizatë ka thënë Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e ka për obligim t’i sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit.

Deputetët e legjislaturës së nëntë të martën nuk përkrahën raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Sipas partive që deri tash ishin në opozitë, kërkesë është që anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të japin dorëheqje nga postet qeveritare para se të bëhen deputetë. Kjo është kundërshtuar nga VV-ja që ka thënë se anëtarët e saj tashmë janë dorëhequr.

“Dështimi i votimit të raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve bëri që seanca konstituive e sotme të ndërpritet. Me vetëm 52 vota pro – të pamjaftueshme për miratim – u dëshmua qartë se ekziston një mospërputhje mes deklarimeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje për sigurimin e shumicës së nevojshme dhe realitetit parlamentar. Ndonëse të gjithë deputetët janë të obliguar të veprojnë në funksion të konstituimit të Kuvendit, mosdorëheqja formale e anëtarëve të qeverisë që kanë fituar mandat legjislativ ishte faktori kryesor që çoi në dështimin e sotëm të seancës. Në këtë kontekst, vlerësojmë se ky dështim nuk mund t’i faturohet vetëm opozitës, kur shumica pretendon se i ka votat, por është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës”, thuhet në një deklaratë të KDI-së pas dështimit të konstituimit.

KDI-ja ka thënë se përpjekjet për ta përfshirë rolin e presidentit që t’i jepet drejtim konstituimit, janë të pavlefshme.

“Roli dhe kompetencat e Presidentes përfundojnë me thirrjen e seancës – ndërsa menaxhimi i saj është përgjegjësi ekskluzive e kryesuesit të seancës, Avni Dehari. Zgjidhja është e mundur dhe e domosdoshme!” thuhet tutje në komunikatë.

Në fund, KDI-ja ka thënë se është Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit ajo që ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Vazhdimi i seancës duhet të thirret sa më parë, brenda afatit 48-orësh, për të mundësuar sërish mbledhjen e komisionit të përkohshëm, i cili duhet t’i shqyrtojë dhe verifikojë edhe një herë materialet përkatëse – të cilat duhet të jenë të plota. Më pas, është përgjegjësi e të gjithë 120 deputetëve që të votojnë pro raportit dhe të japin betimin. Në fund, LVV, si parti fituese, ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – përmes diskutimeve, negocimit dhe kompromisit politik – në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve dhe të shmangen zgjedhjet e reja”, thuhet në reagim.

Haradinaj: Konstituimi i Kuvendit u bllokua nga Albin Kurti

10 o. më parë / 15 pri 2025 14:44
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit u bllokua nga vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ligji nuk lejon mbajtjen e postit të kryeministrit apo të ministrit “dhe të betohesh si deputet”.

Haradinaj është shprehur se “nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht”, duke shtuar se raportin e Komisionit s’e vlerësuan pasi “nuk mund ta shkelim Kushtetutën”.

“Konstituimin e Kuvendit sot e ka bllokuar vetë Albin Kurti. Ligji e Kushtetuta e këtij shteti nuk lejojnë që të mbash edhe postin e Kryeministrit apo të Ministrit dhe të betohesh si deputet. Nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën dhe të veprojmë ndryshe, prandaj nuk e votuam raportin. Albin Kurti me ministrat e tij, nëse duan ta konstituojnë Kuvendin, le të tërhiqen ose nga postet ministrore, ose nga mandati i deputetit, e të mos i fajësojnë të tjerët për gabimet e veta”, ka shkruar kreu i AAK-së.

Presidenca: Deri më tani s’ka asnjë letër nga Kuvendi për seancën konstituive

11 o. më parë / 15 pri 2025 14:18
Vjosa Osmani

Presidenca e Kosovës tha se ende s’ka pranuar letër nga Kuvendi për mbajtjen e seancës për konstituimin e Kuvendit, pasi dështoi ajo e së martës.

“Deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi. Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, ka njoftuar Bekim Kupina, këshilltar për media në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasin më tepër se 48 orë.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka ndërprerë seancën për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, u shpreh ai.

Konstituimi i Kuvendit dështoi pasi s’ka kaluar raporti i Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë votuar kundër raportit, e Lista Serbe ka abstenuar.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues. Anëtari i Komisionit nga LDK-ja, Armend Zemaj, ka thënë se kanë votuar kundër raportit, pasi “nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ia ka dorëzuar letrën e dorëheqjes kreut aktual të Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kabinetin qeveritar. Në letër thuhet se Kurti dha dorëheqjen me ministrat për të bërë betimin si deputetë të Kuvendit.

Mosvotimi i raportit, Kurti: Sulm brendainstitucional kundër Kosovës

11 o. më parë / 15 pri 2025 13:30
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur “sulm brendainstitucional kundër Republikës së Kosovës” mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

Ai ka shkruar në Facebook se kjo është situatë e paparë për shtetin dhe “shumë më e gjerë”, teksa shtoi se deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe të Listës Serbe treguan “se janë edhe kundër vetvetes”, derisa shtoi se “dihet që janë kundër qeverisë e Republikës”.

“Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, ka thënë Kurti.

Abdixhiku: VV-ja po e bllokon qëllimshëm procesin

12 o. më parë / 15 pri 2025 13:15
Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se seanca për konstituim duhet të thirret sa më parë, derisa tha se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, po e bllokon qëllimshëm procesin.

Ai ka shtuar se kjo çka ndodhi sot në Kuvend “është episod i errët në demokracinë parlamentare”.

Ai u shpreh se LDK-ja mbështet deputetët që “janë vetëm deputetë dhe s’kanë funksione të tjera”.

“Nuk mund të jesh edhe deputet edhe kryeministër e edhe ministër...E pamë në seancë, 52 mbështetës të një partie që pretendon që i ka numrat. Jepini dorëheqje, ejani në seancë, zgjidhet çështja menjëherë...”, ka shtuar Abdixhiku.

VIDEO: Deklarata e plotë

Kusari-Lila: Opozita aktuale tregoi se nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve që e kishte votuar në KQZ

12 o. më parë / 15 pri 2025 13:07
kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe me mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve kanë votuar edhe kundër mandateve të tyre. 

“Për herë të parë në Kosovë, opozita aktuale dhe ajo e ardhshme nuk e voton raportin për certifikimin e rezultateve dhe konfirmimin e mandateve. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe votuan së bashku kundër konstituimit të Kuvendit – pra edhe kundër mandateve të tyre”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

Sipas saj këto parti kanë treguar se nuk e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. 

“Me këtë veprim, sot, përmes një tjetër shfaqjeje të paaftësisë së tyre të vazhdueshme, treguan se nuk e pranojnë më rezultatin e zgjedhjeve që vetë e kishin pranuar dhe votuar në KQZ”, ka shkruar Kusari-Lila

Krasniqi: S’do të lejojmë të shkelet ligji

12 o. më parë / 15 pri 2025 13:02
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Lëvizja Vetëvendosje ka krijuar një situatë paprecedentë në Kuvend, duke thënë se kjo parti e ka shkelur Kushtetutën për katër vjet.

Ai ka thënë para mediave se “s’do të lejojmë që kjo legjislaturë të nisë me shkelje kushtetuese”.

“Situata që ka krijuar VV-ja është e paprecendentë. Këta vetë e kanë shkelur ligjin për Qeverinë, e kanë shkruar që s’mundet kryeministri e ministrat të betohen si deputetë. Katër vjet e kanë shkelur Kushtetutën. Ka kaluar ajo kohë. S’do të lejojmë që të nisë kjo legjislaturë me shkelje kushtetuese. Me logjikën e Kurtit do të duhej të ishin edhe kryetarët e komunave. Edhe Bedri Hamza do të duhej të ishte këtu”, ka thënë Krasniqi.

VIDEO: Deklarata e plotë

Peci: Konstituimi i Kuvendit u pamundësua nga opozita e Lista Serbe

12 o. më parë / 15 pri 2025 12:44
faton peci

Faton Peci

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci akuzoi Listën Serbe dhe partitë e tjera për dështim të seancës konstituive, duke u shprehur se e kishin e emrin e kandidatit për kryeparlamentar.

Peci tha para mediave se janë të gatshëm ta shpalosin emrin “kurdo që vjne koha”.

“Lista Serbe dhe opozita pamundësuan hapin e parë, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit...Në rast se do të verifikoheshin mandatet, ne kemi pasur emrin për kryetar, kurdo që vjen koha e shpalosim”, ka thënë Peci.

Ai njoftoi se ministrat kanë dhënë dorëheqje, por tha se “uën kthehem në zyrë pasi largimi i kryeministrit nga Zyra e kryeministrit dhe largimi i ministrave do të krijonte mundësi për krijimin e një hendeku”, ka shtuar Peci.

VIDEO:

Dështon konstituimi i Kuvendit

12 o. më parë / 15 pri 2025 12:33
kuvend

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi për ndërprerjen e seancës, pasi tha se s’ka shumicë për vijim të saj.

Ai njoftoi se “detyrohemi të ndërpresim seancën dhe me letër t’i kërkojmë presidentes se si të veprojmë në të ardhmen”.

Letra e dorëheqjes së Kurtit me kabinetin qeveritar

12 o. më parë / 15 pri 2025 12:22
albin kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia ka dorëzuar letrën e dorëheqjes kreut aktual të Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kabinetin qeveritar.

Në letër thuhet se Kurti dha dorëheqjen me ministrat për të bërë betimin si deputetë të Kuvendit.

Letra e plotë:

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,

Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisjes sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KOZ me datë 27 mars 2025, dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar.

Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së nëntë, po e përcjell edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Me respekt,

Albin Kurti

Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës

Krasniqi: Situata mund të ndryshojë nëse kryeministri e ministrat japin dorëheqje

13 o. më parë / 15 pri 2025 12:16
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin e komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues. 

“Aktualisht në të njëjtën kohë që nga kryeministri Kurti e të gjithë ministrat që janë zgjedhur deputetë po tentojnë që të mbajnë edhe pozitë ekzekutive e edhe legjislative, që ua ndalon Kushtetuta e Kosovës. Kushtetuta e thotë qartë që nuk mund të behësh deputetët nëse je në pozicion ekzekutiv”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka thënë se kjo do të zgjidhej nëse ata sot do të japin dorëheqje.  

S’kalon raporti i Komisionit, Kuvendi shkon në pauzë për konsultim

13 o. më parë / 15 pri 2025 12:06
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Nuk ka kaluar raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve.

52 deputetë ishin pro, 46 kundër e 11 kanë abstenuar, me ç’rast kryesuesi i seancës konstituive njoftoi për një pauzë konsultative me subjektet politike.

Zemaj: S’na është paraqitur me kohë dokumentacioni sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave

13 o. më parë / 15 pri 2025 12:04
Aremnd Zemaj

Anëtari i Komisionit për verifikim të mandateve, nga LDK-ja, Aremnd Zemaj, ka thënë se kanë votuar kundër raportit të Komisionit për verifikim të mandateve.

“Edhe unë në emër të LDK-së, kam votuar kundër raportit, jo pse nuk përmban të dhënat e sakta nga KQZ-ja por sepse nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë, Për të siguruar siguri kushtetues , që nuk do të ketë shkelje të Kushtetutës ne kemi kërkuar dokumentacion shtesë, na është paraqitur një letër e dërguar nga kryeministri, letër që do të duhej të shpërndahej në ditën e certifikimit, para certifikimit”, ka thënë Zemaj në një deklarim për media në hollin e Kuvendit. 

“Në nuk besojmë që kryeministri aktual, që tash është në dorëheqje sipas kësaj letre, nuk do ta shkel Kushtetutën dhe nuk do të kthehet në Zyrën e Kryeministrit. Me dhënien e betimit do të përfundojnë të gjitha mandatet”, ka shtuar ai. 

Abrashi: PDK, LDK e AAK ishin kundër raportit për dokumentacionin e Komisionit

13 o. më parë / 15 pri 2025 12:00
Artan Abrashi

Photo: Driton Paçarada

Artan Abrashi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit anëtar i Komisionit për verifikim të mandateve, ka njoftuar se është shqyrtuar dokumentacioni për legjislaturën e nëntë, e kundër këtij raporti kanë qenë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe të AAK-së.

Pro dokumentacionit ishte Lëvizja Vetëvendosje.

Ai përmendi numrin e deputetëve të partive, derisa tha se në sallë janë 119 deputetë prezentë.

Nis seanca e konstituimit

14 o. më parë / 15 pri 2025 11:04
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Ka nisur seanca e konstituimit të Kuvendit. Seanca udhëhiqet nga deputeti më i moshuar Avni Dehari dhe më e reja, Sala Jashari.

Me të nisur, Dehari ka bërë thirrje për formimin e Komisionit për verifikim e mandateve. Ky komision mori mbështetjen e të gjithë deputetëve të pranishëm, gjithsej 119.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Artan Abrashin. Partia Demokratike ka propozuar deputetin Përparim Gruda. Lidhja Demokratike e ka propozuar Armend Zemajn. Lista Serbe e ka propozuar Branisllav Nikoliqin. Koalicioni AAK-Nisma ka propozuar Time Kadrijajn. Komunitetet kanë secila përfaqësues. 

Pas formimit të Komisionit, Kuvendi ka hyrë në pauzë 15-minutëshe.

Të gjitha partitë në sallë

14 o. më parë / 15 pri 2025 11:00
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Të gjitha partitë parlamentare janë futur në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Gjithçka është bërë gati për nisjen e seancës.

LDK: Nëse VV-ja ka propozim për kryeparlamentar, duhet t’i ketë edhe votat

14 o. më parë / 15 pri 2025 10:41
LDK

Photo: Driton Paçarada

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kjo parti nuk do ta votojë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit.

Ajo ka thënë në hyrje të seancës konstituive se nëse VV-ja ka propozim për kryeparlamentar, duhet t’i ketë edhe votat

“S’ka asnjë marrëveshje. LDK-ja s’ka ndryshuar asnjë qëndrim. Ne nuk do ta votojmë propozimin. Ne konsiderojmë që në qoftë se VV-ja ka propozim për kryetarin e Kuvendit, duhet t’i ketë edhe votat”, ka thënë ajo.

Berisha: S’ka marrëveshje për qeveri, nuk i bllokojmë institucionet

15 o. më parë / 15 pri 2025 10:18
Veton Berisha

Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane ka thënë se kjo parti nuk ka ende ndonjë marrëveshje për qeverisje, por ka thënë se nuk do të bllokojnë formimin e institucioneve të Kosovës.

“S’kemi qenë kurrë pengesë”, ka thënë ai në hyrje të seancës konstituive.

Ai ka thënë se nuk ka marrëveshje me Kurtin për koalicion, por ka shtuar se presin që të marrin përgjegjësi.

“Jemi të gatshëm të marrim detyra, prandaj jemi këtu”, ka thënë ai.

Rashiq: Komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në Qeveri

15 o. më parë / 15 pri 2025 10:10
Nenad Rashiq

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka thënë se komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në qeverinë e re, teksa ka konfirmuar se do të votojë pro formimit të Qeverisë Kurti.

Në hyrje të Kuvendit për seancën konstituive, Rashiq që ka siguruar një nga 10 ulëset e dedikuara për komunitetin serb, ka thënë se nuk e di nëse deputetes Duda Balje i është ofruar ndonjë post qeveritar.

Rashiq në Qeverinë Kurti 2 ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim.

Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë siguruar 48 ulëse në Kuvend. Për të siguruar shumicën u duhen 61 ulëse. Ende s’dihet saktësisht sa vota nga komunitetet joserbe i ka siguruar, ndërsa s’ka zyrtarizuar ndonjë koalicion me parti tjera shqiptare.

Haradinaj: Qëndrimi i opozitës është të mos marrë pjesë në votimin e kryeparlamentarit

15 o. më parë / 15 pri 2025 10:05
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se qëndrimi i opozitës është të mos marrë pjesë në votimin e kryetarit të Kuvendit.

Ai foli shkurt gjatë futjes në Kuvend, në seancën konstituive, derisa deri në këto momente ende s’ka nisur seanca. Ajo ishte caktuar të niste në orën 10:00.

Koha kur do të duhej të niste seanca, ende asnjë deputet në sallë

15 o. më parë / 15 pri 2025 10:01
Kuvendi

Ende asnjë deputet i zgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk ka hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku do të mbahet seanca për konstituimin e institucionit legjislativ. 

Seanca është paraparë të nisë në orën 10:00. 

Në këtë seancë deputetët e legjislaturës së nëntë pritet ta bëjnë betimin, ndërsa në rend dite është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. 

Limaj nuk flet para seancës konstituive

15 o. më parë / 15 pri 2025 09:59
Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, nuk ka pranuar të flasë në hyrje të Kuvendit të Kosovës, për seancën konstituive.

Ai ka thënë shkurt se sot është ditë solemne.

Limaj, që po rikthehet në Kuvend, ka qenë emri më i përfolur si partner i mundshëm i Albin Kurtit për të formuar shumicën prej 61 ulësesh në Kuvend.

Megjithatë, një ditë më parë, ai u shpreh se nuk ka marrëveshje me VV-në.

Rexhepi thotë se e mbështet Kurtin edhe pse s’merr post qeveritar

15 o. më parë / 15 pri 2025 09:39
Rexhepi & Kurti

Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi, ka thënë se do ta votojë formimin e Qeverisë Kurti 3 edhe pse ka pranuar se nuk do të marrë vet post qeveritar.

“Patjetër që do e votoj Qeverinë. Ne jemi pjesë e Qeverisë, veç unë nuk e kam marrë atë ofertën që të jem ministresha. Kthehem në parlamentar, ama jemi pjesë e Qeverisë”, ka thënë ajo para hyrjes në Kuvend për seancën konstituive.

Rexhepi ka thënë se dikush prej komunitetit boshnjak duhet të jetë në post të ministrit. “Unë s’jam kundër. Këtë e vendos kryeministri”, ka thënë tutje ajo.

Diskutimet për kundërshtime nga ky komunitet ka pasur, pasi deputetja Duda Balje kushtëzoi përkrahjen për qeverinë me krijimin e Komunës së Reçanit.

Nga 10 deputetët joshumicë joserbë, 3 janë të komunitetit boshnjak.

Deputetët e rinj nisin të hyjnë në Kuvend

16 o. më parë / 15 pri 2025 09:20
Deputetet

Deputetët e zgjedhur kanë nisur të hyjnë në ambientet e Kuvendit të Kosovës në prag të seancës konstituive të legjislaturës së nëntë.

Deputetë të të gjitha partive politike, pos Nismës, janë parë teksa kanë hyrë në Kuvend.

Tre skenarë për seancën konstituive, sipas Cakollit

17 o. më parë / 15 pri 2025 08:08
Eugen Cakolli

Janë të paktën tre skenarë të mundshëm procedural e politik, që mund ta përcjellin seancën konstituive, sipas Eugen Cakollit të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Sipas tij skenari i parë është që pas hapjes së seancës, subjekti më i madh, Lëvizja Vetëvendosje të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe që nëse janë 61 vota së paku, pastaj të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe konstuimin ep lotë.

Po që se kjo ndodh, presidentja duhet t’i dërgojë letër zyrtare VV-së për t’ia kërkuar propozimin për kryeministër. Pas përgjigjes, nxirret dekreti për nominimin e mandatarit i cili ka detyrim ta propozojë Qeverinë e re dhe të sigurojë shumicën (61 vota) brenda 15 ditësh nga dekreti.

Në skenar të dytë, sipas Cakollit, mund të jetë refuzimi i VV-së që të propozojë kandidatin për kryetar, ose të kërkojë “konsultime shtesë”. Në këtë rast, kryesuesi (deputeti më i moshuar, Avni Dehari) duhet të pezullojë seancën. Sipas Rregullores së Punës, pezullimi s’mund të zgjasë më shumë se 48 orë. Pra një seancë e re duhet të thirret çdo dy ditë.

“Nëse LVV vazhdon të mos propozojë kandidat, do të kemi një seri seancash të papërfunduara, që vetëm nisin dhe pezullohen”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Sipas tij, nëse kjo ndodh, partitë mund të përdorin ngërçin për të kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Në skenarin e tretë, pasi që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka zyrtarisht 61 vota, sipas Cakollit, mund të bllokohet situata qysh në hapin e parë.

“Disa deputetë të LVV-së dhe të pakicave (përfshirë kryeministrin në detyrë dhe 15 ministra të tjerë) nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive, siç kërkon neni 26 i Ligjit për Qeverinë; Opozita mund të refuzojë të votojë raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, duke kontestuar vlefshmërinë e mandateve të atyre që janë ende në detyrë qeveritare; Pa miratimin e këtij raporti, nuk mund të ndodhë betimi i deputetëve, dhe Kuvendi nuk mund të kalojë në fazat e tjera; Ky është një bllokim procedural me bazë juridike, që vendos presion mbi anëtarët e kabinetit të dorëhiqen për të mundësuar konstituimin”, ka thënë Cakolli për këtë skenar.

Megjithatë, sipas tij, ky skenar nuk i konvenon opozitës, “pasi për pasojë nuk fillon konsumimi i afateve për përpjekjen e partisë fituese për të formuar institucionet”.

Seancë konstituive me shumë të panjohura

17 o. më parë / 15 pri 2025 07:48 Nga: Valbona Bytyqi
Seanca konstituive dhe numrat

Të martën (sot) në orën 10:00, do të nisë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Në këtë mbledhje deputetët e legjislaturës së nëntë do të bëjnë betimin, derisa në rend dite është edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Emrin e kandidatit për kryekuvendar nuk e ka bërë ende publik partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje. Partisë fituese të zgjedhjeve i takon propozimi për emrin e kryetarit të Kuvendit

Në ulëset e Kuvendit, të martën, për herë të parë si deputetë të zgjedhur nga procesi elektoral i 9 shkurtit do të ulen me dhjetëra ligjvënës të rinj.

Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar të nisë në orën 10:00. Ajo do të kryesohet nga deputeti më në moshë, i cili do të ndihmohet nga më i riu.

Kryesuesi i seancës, pas hapjes dhe paraqitjes së rendit të ditës, kërkon nga subjektet politike që të caktojnë nga një deputet në Komisionin e Përkohshëm që do të merret me verifikimin e kuorumit dhe të mandateve.

Pas verifikimit deputetët me ftesën e kryesuesit betohen solemnisht.

Më pas në rend të ditës për seancën konstituive është zgjedhja e kryetarit dhe e  nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe ai zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit e pesë nënkryetarëve të tij, dy prej të cilëve janë nga komunitetet.

Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.

Albin Kurti, kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se synon që në seancën konstituive të votohet edhe Qeveria e drejtuar nga ai.

Por, deri të hënën, Vetëvendosje e Kurtit nuk e ka të sigurt mbështetjen e 61 deputetëve, aq sa nevojiten së paku për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe për votimin e Qeverisë.

Aktualisht nga 61 votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit, Vetëvendosje ka 56 sosh të konfirmuara. 48 nga deputetët e saj dhe tetë të tjerë nga komunitetet joshumicë.

Marrëveshje me Vetëvendosjen për zgjedhjen e kryekuvendarit e edhe të qeverisë ka mohuar se ka kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Në Kuvend partia e Limajt i ka të siguruara tri ulëse.

“Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot dhe është e gatshme dhe do të punojë fort që Kosova t’i ketë institucionet, të mos    shkojë në krizë parlamentare, por ne s`kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupim politik”, ka thënë Limaj.

Limaj ka paralajmëruar se zhvillimet në lidhje me bashkëpunimet eventuale do të merren vesh të martën, derisa është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me këdo që i ofrohet.

Deklarimet e Limajt për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, ndarje të turpshme i ka konsideruar bashkëpunëtori i tij nga koalicioni, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ne e votojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kuptohet do të bëjmë konsulta të ndërsjella edhe me partitë e tjera opozitare, me PDK-në dhe LDK-në. Po besoj që konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve e më pastaj pra, sikurse ju e dini, AAK-ja angazhohet dhe punon që qeverinë ta krijojë opozita në rast të pamundësisë ose moskrijimit nga pozita. S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e z. Limaj. Ka qenë shumë e vështirë, pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe ma të vështirë dhe nëse Nisma e Limaj mbështesin pushtetin kuptohet që ata ndahen nga ne. Po është një ndarje mjaft e turpshme, sepse kemi kërkuar votë për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm. Ju tregova që është një ndarje e turpshme, sepse kemi shkuar në gjithë vendin dhe kemi kërkuar votë për ndryshim”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe nga AAK-ja, nga PDK-ja janë shprehur se nuk do ta votojnë as kryetarin e Kuvendit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se ky grup parlamentar nuk do të marrë pjesë në votim derisa nuk ka zgjedhje “të qëndrueshme” për Kosovën. Ai ka bërë thirrje për partitë e tjera politike që t’i mbajnë premtimet dhe mos ta mundësojnë formimin e qeverisë “Kurti 3”.

“E sigurisht zgjedhje e qëndrueshme për Kosovën është zgjedhja e Bedri Hamzës si udhëheqës i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me të besoj që do të krijohen edhe stabiliteti dhe qëndrueshmëria në vend. Ne i bëjmë thirrje edhe individuale, edhe publike e sigurisht edhe takime me partitë politike që të ketë një qëndrueshmëri në premtimet që kanë bërë në mosdhënien e mundësisë së ‘Kurti 3’ në Kosovë. Sigurisht që në këtë pjesë do të shihet nesër se si do të veprojnë. Nuk ka asnjë dakordim konkret”, ka thënë Lushtaku.

Ndërkohë votë për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit e edhe për formimin e Qeverisë kanë premtuar një pjesë e komuniteteve joshumicë.

“Ky grup i deputetëve që jemi sot këtu, duke përfshirë edhe ata të KDTP-së, ne jemi për qeverinë Kurti për shkak se ky i ka fituar zgjedhjet edhe ka shumicën e shqiptarëve, edhe tash po i relativizojmë numrat është 42.3 më shumë thuajse sa të gjithë të tjerët bashkë”, ka thënë Elbert Krasniqi, kryetar i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës. Ai është ministër në detyrë dhe, sipas tij, shtatë vota nga pakicat joserbe janë të konfirmuara tashmë për Qeverinë Kurti 3. Po ashtu, votë për Kurtin ka premtuar edhe deputeti serb, Nenad Rashiq.

“Po nëse ka ndonjë propozim që është i arsyeshëm dhe sikurse e dini edhe ju, rregullat thonë që partia më e madhe, që në këtë rast Vetëvendosja, ka drejtën e propozimit të kryeparlamentarit dhe nuk e shoh ndonjë problem në atë aspekt edhe pse mund të pyesni se a i ka numrat, unë nuk jam përgjegjës sa i përket asaj pune, por gjithqysh jam besimtar në krijimin e një qeverie, me të cilën partia më e madhe, partia politike e cila e ka marrë pothuajse gjysmën e ulëseve të cilat i takojnë komunitetit shqiptar, normalisht se është adresë e duhur për krijimin e institucioneve”, ka thënë ai.

Njëjtë u shpreh edhe Emilja Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike, që është zv.kryeministre në detyrë.

“Nesër votojmë kryetarin e Parlamentit, e shohim tani si është procedura dhe unë besoj që Qeveria Kurti 3 votohet shpejt. Na e dimë kush është, mirëpo duhet me thënë kryeministri”, ka thënë ajo.

Ndryshe nga ta, deputeti Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane është në pritje të propozimit të kryetarit të Kuvendit.

“Për momentin nuk e di a do të votoj a jo, sepse nuk kemi ndonjë propozim, i cili e dimë që do të vijë. Sigurisht që bazohemi edhe në personin edhe në marrëveshjen. Për momentin jemi ashtu siç kemi qenë”, ka thënë Berisha. Ai, Duda Balje dhe Adem Hoxha janë të vetmit nga pakicat joserbe që ende nuk e kanë konfirmuar votën e tyre për Qeverinë Kurti 3.

Regjistrimin të hënën e bënë edhe disa deputetë të Listës Serbe.

Në Kuvend do të jenë 48 deputetë të LVV-së, 24 të PDK-së, 20 të LDK-së, 8 të koalicionit AAK-Nisma dhe 20 të komuniteteve.