Arbëri

Listë e gjatë e pritjes në Ortopedi, drejtori ankohen për mungesë të investimeve

Klinika e Ortopedisë

Në Klinikën e Ortopedisë në QKUK ka pacientë që nga 2019-a presin për ta vendosur një protezë. Drejtuesit e klinikës kanë konfirmuar pamundësinë e ofrimit të disa shërbimeve. Ata u ankuan se Ministria e Shëndetësisë nuk iu përmbajt zotimit për investime dhe theksuan se u duhen aparatura dhe trajnime

Mungesa e një tavoline stabile vitin e kaluar në Klinikën e Ortopedisë, ka qenë arsyeja kryesore për një pjesë të madhe të referimit të pacientëve jashtë SHSKUK-së, shpenzimet e të cilëve janë paguar nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Tavolina tashmë është siguruar. Por, janë të rralla ndërhyrjet në këtë klinikë, sidomos tek kirurgjia spinale.

Drejtori i ortopedisë, Gani Jashanica, ka thënë se për një pjesë të ndërhyrjeve mungon trajnimi i stafit.

“Patologjia e shtyllës kurrizore është mjaft e komplikuar. Zakonisht te ne aplikohet patologjia e stabilizimit të segmenteve unazore, e cila po realizohet me sukses, mirëpo patologjitë për unazat e qafet dhe skolioza te fëmijët ende nuk realizohet dhe referimet me të shpeshta të QKUK-së janë skolioza dhe thyerja e unazave të qafës... Duhet trajnim shtesë edhe aparaturë shtesë që ne i kemi kërkua diku një milion euro”, ka thënë Jashanica.

Kjo klinikë prin për nga listat e pritjes. Ka pacientë që prej 2019-s presin për një protezë.

Në SHSKUK janë zotuar se do ta adresojnë problemin, por nuk treguan se si.

“Lidhur me listat e pritjes për të cilat u bisedua në mbledhjen e fundit të Bordit Drejtues të ShSKUK-së, do të ketë veprime konkrete!”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së drejtorit të SHSKUK-së.

E, drejtori i Ortopedisë, ka theksuar se edhe pse ishte premtuar që ky vit do të ishte viti i kësaj klinike, munguan investimet.

Ky vit shkoi. Këtë vit na kanë mbajt me premtime të mëdha, ka me qenë viti i ortopedisë, kanë me u rregullu sallat, ka me u rregullu spitali ky që po i themi që është i ri, por është i vjetër edhe ka me qenë i mirë për ne, edhe për pacientin edhe për të gjithë. Mirëpo nuk ka ndodhë”, ka deklaruar Jashanica.

Menaxhmenti i SHSKUK-së nuk ka dhënë informacione për arsyet e mungesës së investimeve gjatë këtij viti në Ortopedi.

“Jemi duke bërë analizë të përgjithshme të gjendjes në këtë aneks. Ajo hapësirë është ende në garanci. Janë duke u evidentuar mangësitë dhe si pjesë e garancisë kompania do t’i sanojë ato”, thuhet nga Zyra e drejtorit të SHSKUK-së.

Jo të gjitha investimet në këtë klinikë kanë dhënë rezultate në të kaluarën. Në vitin 2019, është blerë një tavolinë kirurgjike, por mjekët i kanë referuar pacientët jashtë institucionit, me arsyetimin se ajo nuk ishte stabile. Vlera në treg e tavolinës ishte rreth 18 mijë euro, e nga buxheti i shtetit u paguan miliona euro për sektorin privat, në mënyrë që të trajtoheshin pacientët që duhej ta merrnin shërbimin në Ortopedi.