Lista Serbe të enjten i ka dërguar një letër ambasadorëve të QUINT-it me pretendimin se pronarëve serbë të tokave po iu sekuestrohen pronat nga shpronësimi “i paligjshëm” i Qeverisë së Kosovës, e cila ka miratuar vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik në Komunën e Leposaviqit.
Në njoftimin e LS-së në Facebook thuhet se letra drejtuar ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë, si dhe shefave të misioneve të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së si dhe komandantit të KFOR-it është shkruar “në emër të popullit serb”.
“Letra tregon qartë shkeljen e të gjitha rregullave ligjore që rregullojnë çështjen e shpronësimit dhe se kjo procedurë është e papranueshme për pronarët e patundshmërive dhe popullin serb që jeton në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Përmes kësaj letre, ata kanë ftuar të gjithë që të ndalojnë shpronësimin.
Qeveria në mbledhjen e mbajtur më 16 janar të këtij viti ka miratuar vendimin “për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, Zonat Kadastrale: Dren dhe Leshak, Komuna Leposaviq”.
“Sipas vendimit, për realizimin e ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’ është e nevojshme që të iniciohen dhe kryhen procedurat e shpronësimit dhe vlerësimit të pronës për të gjithë pronarët e evidentuar”, thuhet në vendimin e Qeverisë. /KP