Arbëri

Lista Serbe – ambasadorit francez: Po vrapon për foto me “serbin e Kurtit”

Olivier Guerot - Nenad Rashiq

Partia Lista Serbe ka hedhur akuza ndaj ambasadorit francez në Kosovë, Olivier Guerot, pas takimit që ka pasur me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Në reagimin e Listës Serbe, ambasadori francez akuzohet se të arriturën më të madhe diplomatike e ka “zhvendosjen e monumentit të ushtarëve serbë të rënë në Prishtinë”. Lista Serbe ka thënë se Guerot ka “vrapuar” për fotografi me Rashiqin, “me të cilin diskutoi për formimin e qeverisë, për t’i dhënë legjitimitet atij ‘serbi’ të Kurtit dhe ulësen e ‘marrë’ me vota në mjedise shqiptare”.

“Ambasadori francez Olivier Guerot, arritja më e madhe diplomatike e të cilit është zhvendosja e monumentit të ushtarëve serbë të rënë në Prishtinë, nxitoi menjëherë të fotografohej me Rashiqin, me të cilin diskutoi për formimin e Qeverisë, për t’i dhënë legjitimitet atij ‘serbi’ të Kurtit dhe ulëses së deputetit, ‘të marrë’ me vota në mjediset shqiptare”, thuhet në reagimin e publikuar në Facebook “Guerot, asokohe në varrezat e Prishtinës, kreu diçka që kudo, madje edhe në Francë, përbën vepër penale – pse do t’i respektonte tani ligjet dhe Kushtetutën?! Edhe atëherë, me akt ndaj ushtarëve serbë të rënë – fitimtarëve të Luftës së Parë Botërore – tregoi çfarë mendon për serbët, prandaj pse do ta shqetësonte tani fakti që me votat e shqiptarëve, serbëve po u vidhet një mandat deputeti?! Siç e thamë edhe sot – dhjetë ulëset në Parlament u takojnë serbëve dhe fitohen me votat e serbëve. Të jenë të gjithë të sigurt në Prishtinë dhe sponsorizuesit e tyre ndërkombëtarë se nuk do të lejojmë që me votat e shqiptarëve të shkelet kjo dhe të uzurpohet një vend deputeti, i destinuar për serbët. Atyre u mbetet vetëm të fotografohen. Së bashku”

Gjatë ditës, Ministria për Komunitete dhe Kthim njoftoi për takimin Guerot – Rashiq. Sipas njoftimit, në takim u diskutua për zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen komunitetet joshumicë.

“Theks i veçantë u vu në bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Ambasadës Franceze në Kosovë dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ku të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për zhvillimin e mëtutjeshëm të projekteve të përbashkëta. Diskutimi u fokusua në mundësitë për përmirësimin e kushteve të jetesës së të kthyerve dhe pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë përmes fuqizimit ekonomik. U theksua nevoja për formimin sa më të shpejtë të një qeverie të fortë dhe stabile, e cila si një nga prioritetet e saj do ta ketë zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme të lidhura përmes Dialogut të Brukselit dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ministri Rashiq dhe ambasadori Guerot ranë dakord se bashkëpunimi i vazhdueshëm konstruktiv është thelbësor për kthimet e qëndrueshme dhe integrimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

KOHA ka dërguar pyetje në Ambasadën e Francës për këtë deklaratë të Listës Serbe. Sapo të ketë përgjigje artikulli do të përditësohet.

Nenad Rashiq ka arritur me Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të sigurojë një nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb, nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Lista Serbe i ka siguruar 9 ulëset tjera.