Shaban Gogaj, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt më 2018, është liruar me vendim të Gjykatës Supreme.
“Meqë kam thirrje e mesazhe të shumta për të konfirmuar nëse Shaban Gogaj është liru nga burgu, për korrektësi, ndonëse nuk e kisha ndërmend ta bëja temë e as nuk mëtoj të krekosem për këtë vendim, përgjigja është PO, Shaban Gogaj është liru dje nga Burgu i Dubravës dhe lirimi i tij është bërë me vendim të Gjykatës Supreme”, ka shkruar në Facebook, avokati i Gogajt, Besnik Berisha.
Më 9 tetor, Gogajt iu ul për një vit dënimi nga Gjykata e Apelit. Kjo gjykatë vendosi t’ia ulë në 6 vjet e 6 muaj dënimin me burg sa i përket veprës “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Avokati i familjes Tetaj, Berat Tmava, ka thënë se familja e viktimës nuk është befasuar me vendimin e Supremes për lirimin e Gogajt. Sipas tij, nga fillimi ka pasur ndërhyrje në këtë rast.
Ai ka thënë se familja është e mllefosur me aktgjykimin e shkallës së dytë. Për KOHËN, Tmava ka thënë se vendimi i Apelit një muaj më parë “ka mbetur në analet e historisë si njollë e zezë për kohë të gjatë”. Ka thënë se familja nuk mund të ushtrojë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, por këtë mund ta bëjë prokuroria.
Në aktgjykimin e Supremes bëhet e ditur se më 24 tetor Gogajt i është ndërprerë masa e paraburgimit për t’u mbrojtur në liri.
Vrasja e Tetajt ishte kualifikuar si vrasje nga pakujdesia.
Vitin e kaluar, dënimin e njëjtë prej 7 vjet e gjysmë të Themelores, Apeli e kishte kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve që kishte gjetur. Ndërkaq, këtë vit, dënimin e njëjtë pas rigjykimit në Themelore, Apeli e ka ulur për një vit.
Vendimi ishte konsideruar skandaloz nga familja e Tetajt.
Në fillim rasti ishte kualifikuar si vrasje e rëndë nga Prokuroria e Pejës. Më pas, atë e kishte marrë Prokuroria në Gjilan që e kualifikoi si vrasje nga pakujdesia.
Pasi familja e Tetajt kishte publikuar videoxhirimin që shpërfaqi se si ndodhi vrasja, organet e drejtësisë caktuan prokuror tjetër që e kualifikoi prapë veprën si vrasje të rëndë.
Rasti për muaj të tërë ishte bllokuar, pasi Gogaj refuzonte avokatët e tjerë, pos Besnik Berishës, e Oda e Avokatëve nuk dërgonte avokat tjetër.
Familja kishte shprehur gjatë gjithë kohës akuza për ndikime të shumta gjatë procesit.
Kësisoj, në tetor të 2022-tës, Gjykata Themelore në Pejë e kishte dënuar Gogajn me 7 vjet e 6 muaj burgim.
Në mars të 2023-tës, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Në mars të këtij viti, Themelorja sërish e dënoi Gogajn me 7 vjet e gjysmë burgim, për t’u ndryshuar nga Apeli.
29-vjeçari Agonis Tetaj ishte vrarë në vendin e tij të punës në shtator të vitit 2018.
Në videon e publikuar shihet se si Gogaj ia drejton armën Tetajt, që ishte punëtor në kompaninë e tij dhe më pas shkrep në të.