Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i ka liruar nga detyra dy drejtorët që vijnë nga radhët e PDK-së. Kjo vije pasi PDK-ja në qendër ka vendosur ditë më parë që të prish koalicionet me Lëvizjen Vetëvendosje në Podujevë dhe Gjilan. Në njoftimin e Zyrës për marrëdhënie me publikun dhe informim të Komunës së Podujevës, thuhet se lirimi nga detyra e drejtoreshës së Administratës, Antoneta Ejupi dhe drejtorit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Fatmir Rudari është bërë me kërkesë të tyre.
“Me kërkesë të drejtoreshës së Administratës, Antoneta Ejupi dhe drejtorit të Bujqësisë, Fatmir Rudari për lirim nga detyra, ata sot janë liruar nga këto detyra nga kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi. Kryetari Bulliqi i ka falënderuar dy drejtorët për punën, kontributin dhe korrektësinë që kanë treguar përgjatë kësaj kohe sa kanë udhëhequr me këto dikastere, si dhe u ka uruar suksese e mbarësi në angazhimet e tjera”, thuhet në njoftim.
Koalicioni me LVV-në në Podujevë ia kishte mundësuar PDK-së të marrë kryesuesin dhe dy drejtori. Sipas burimeve të KOHËS, tash për tash nuk pritet të ketë ndryshme brenda Kuvendit Komunal.