Pas lirimit nga akuza të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, në rastin e njohur si “Stenta 1”, Gjykata Themelore në Prishtinë, në aktgjykimin e shpallur të mërkurën, nuk i ka gjetur fajtorë as 6 mjekë të akuzuar në rastin “Stenta 2”. Më herët ishin liruar edhe 36 mjekë të përfshirë në këtë rast, ndërkohë ai “Stenta 3” është në shqyrtim gjyqësor
Janë liruar nga aktakuza gjashtë mjekë të akuzuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gjykata Themelore nuk i gjeti fajtorë të mërkurën mjekët e akuzuar në rastin e njohur si “Stenta 2”, i cili fillimisht pati përfshirë 45 mjekë, por që më pas u veçua procedura për 6 që u liruan.
Gjykatësi Ngadhnjim Arrni tha se akuzat nuk u provuan gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Në emër të popullit, merr dhe shpall këtë aktvendim. Të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri me të dhënat e konstatuara si në procesverbalin e shqyrtimit gjyqësor konform nenit 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KPP-së, lirohen nga akuza”, ka kumtuar gjykatësi Arrni.
Në shtator të vitit që shkoi, Gjykata Themelore në Prishtinë gjithashtu liroi nga akuza edhe 36 persona të tjerë të përfshirë në këtë rast. Për 2 të akuzuar të tjerë ka pushuar procedura penale, e një të akuzuari tjetër i është veçuar lënda.
Prokuroria Speciale pretendonte se të akuzuarit në rastin “Stenta 2” i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë 4.5 milionë euro.
Gjithashtu ata akuzoheshin edhe se për çdo pacient që e referonin në spitale private për vendosjen e stentave merrnin ryshfet nga 500 euro.
Në gusht të vitit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim lirues në rastin “Stenta 1” për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe ish-sekretarin e kësaj ministrie, Gani Shabani.
E rasti “Stenta 3” është ende në shqyrtim gjyqësor dhe të akuzuar janë 14 persona, shumica prej tyre pronarë dhe mjekë të spitaleve private.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ekzistonte dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, mjekët kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 personave, edhe pse ata i kishin kryer trajtimet mjekësore.
Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë me qëllimin që pacientëve t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të Ligjit mbi Shëndetësinë, letrat referuese duhej t’u lëshoheshin pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.
Po ashtu, aktakuza i ngarkonte mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën e Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, ata i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Këto veprime të tyre, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”.