Aksioni anti-terrorizëm që nisi që në orët e para të mëngjesit në Kaçanik, ka rezultuar me shoqërimin në Polici të katër të dyshuarve. Ata janë lënë të lirë me urdhër të Prokurorisë Speciale, pasi janë intervistuar lidhur me shpërndarjen e thirrjeve me motive islamike në grupin në rrjete sociale: “Rinia Islame në Kaçanik”
Katër të ndaluarit gjatë operacionit policor kundër terrorizmit janë liruar me urdhër të Prokurorisë Speciale, pas intervistimit nga hetues të drejtorisë anti-terrorizëm.
Shoqërimi i tyre në Polici u bë pas bastisjes disaorëshe në Kaçanik, ndërsa janë intervistuar lidhur me shpërndarjen e thirrjeve me motive islamike në grupin e krijuar në rrjete sociale: “Rinia Islame në Kaçanik”.
Njësitë e Policisë së Kosovës, zbarkuan në Kaçanik në orët e para të mëngjesit të së premtes. Kësaj radhe e përfshirë ishte edhe njësia kundër terrorizmit. Gjatë bastisjes, policia ka sekuestruar dokumente e prova të ndryshme materiale.
Në kuadër të aksionit, Policia bastisi edhe shtëpinë e të dyshuarit E. R., i cili më parë qe arrestuar lidhur me djegien e Degës së Gjykatës në Kaçanik më 2024.
Avokatja e tij, Fehmije Gashi-Bytyqi, nuk dha hollësi mbi intervistimin, por tha se klienti i saj dhe të tjerët tanimë janë të lirë.
Detaje për aksionin nuk dhanë as në Prokurorinë Speciale, e cila ka dhënë urdhër për ndërmarrjen e tij.
“Ju informoj se aksioni për të cilin keni pyetur është zhvilluar në kuadër të hetimeve që janë duke u ndërmarrë në një rast penal, të cilin e ka në punë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Në këtë fazë, ky është i gjithë informacioni që mund të bëhet publik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Për aksionin në Kaçanik, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se është i lidhur me raste të ekstremizmit dhe të dhunës ndaj institucioneve.
“Të gjitha institucionet ligjzbatuese janë të angazhuara për të luftuar çdo formë të ekstremizmit apo dhunës që dëmton institucionet dhe pjesëtarët e tyre. Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar hetime në lidhje me këtë informacion”, ka bërë të ditur Sveçla.
E as në Polici nuk kanë zbardhur hollësi rreth aksionit, përveç asaj, është zhvilluar në bashkëpunim dhe në koordinim me organet e drejtësisë.