Platforma “Liria ka emër” do të organizojë marsh qytetar dhe solidarizues më 2 prill në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.
Siç është bërë e ditur nga ideatorët e kësaj platforme, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, marshi do të fillojë nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.
“Përkundër se populli shqiptar ka qenë viktimë e një lufte të imponuar, me vite të tëra, proceset gjyqësore të pabaza, i kanë përndjekur ndër vite ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kulmi i të cilave manifestohet me procesin e Dhomave të Specializuara, në të cilat aktualisht po mbahen ish krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tjerë”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka shtuar se pret një epilog të drejtë të këtij procesi gjyqësor.
“Përpjekja për ta ndryshuar historinë e luftës sonë çlirimtare, është përpjekje e pabazë dhe e pamundur dhe ne, nuk duhet ta lejojmë që të ndodhë. Prandaj, me rastin e fillimit të procesit gjyqësor kundër ish krerëve të UҪK-së, në emër të solidaritetit me heronjtë tanë, më 2 prill, ju ftojmë për një marsh solidarizimi për drejtësi. Për drejtësinë që e kërkojmë dhe kundër padrejtësive të reja”, ka thënë Hoxha.
Tasholli nga ana tjetër, ka thënë se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe për lirinë e vendit.
“E kemi për obligim që të vërtetën historike e dinjitetin tonë kombëtar ta mbrojmë me përkushtim dhe pikërisht për këtë qëllim”, ka thënë Tasholli, i cili ftoi të gjitha grupet shoqërore që të solidarizohen dhe të marrin pjesë në këtë marsh.
Hoxha ka theksuar se nuk mund të harrohen skemat e krimeve të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilat kanë qenë prezente kudo nëpër Kosovë dhe janë ushtruar brutalisht ndaj burrave, grave, pleqve, të rinjve, të rejave dhe fëmijëve.
“Kjo sakrificë në mes tjerash kuptohet përmes mbi 11 mijë viktimave civile, mes të cilëve 1.133 fëmijë, në mijëra të zhdukur, prej të cilëve, mbi 1600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, në dhunimin e rreth 20 mijë viktimave të dhunës seksuale, me fokus gratë dhe vajzat, spastrimin etnik, shpërngulje të dhunshme nga shtëpitë dhe nga Kosova të mbi 1 milion shqiptarëve. Dhe, në vend se të kishim llogaridhënie për këto krime të rënda në përmasa gjenocidi, kriminelët nga mesi i paramilitarëve, policëve, ushtarëve dhe ushtarakëve serbë, në shumësi janë amnistuar apo nuk kanë dalë para përgjegjësisë”, ka përfunduar Hoxha.