Arbëri

Lipjanasit në hall me qentë endacakë, Komuna premton zgjidhje

Banorët e Lipjanit gjatë muajve të fundit po rrezikohen nga qentë endacakë, të cilët më së shumti po qëndrojnë nëpër parqe, pranë objekteve banesore dhe afër kontejnerëve të mbeturinave. Sipas banorëve, më të rrezikuarit janë fëmijët, ndërkohë turmat e qenve endacakë shpeshherë po e frekuentojnë edhe oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Lipjan.

Banorët kanë kërkuar nga Komuna të gjejë mundësitë financiare për trajtimin e qenve pasi që shpeshherë ata po bëhen agresivë afër kontejnerëve të mbeturinave.

Image

Në komunën e Lipjanit kanë thënë se së shpejti do të nisë trajtimi i tyre.

Lulzim Zejnullau, banor, ka thënë për KOHËN se institucionet komunale duhet të bëjnë zgjidhje për trajtimin e qenve endacakë të cilët po rrezikojnë qytetarët.

“Jemi në hall sepse po rrezikohemi për çdo ditë nga qentë endacak të cilët vazhdimisht po qëndrojnë afër banesave. Komuna ose institucionet përkatëse duhet të gjejnë mundësi financiare për zgjidhjen e kësaj çështje sepse më të rrezikuar i kemi fëmijët dhe nëse ndodh diçka e keqe atëherë kush do të jep përgjegjësi”, është ankuar ai.

Ndërsa banori Alban Salihu, njëherësh shef i grupit të Kuvendarëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, nëpërmjet një reagimi ka kërkuar nga Komuna gjetjen e alternativave për trajtimin e qenve endacakë.

“Shpeshherë po i shohim dhjetëra qenë edhe para QKMF-së duke i rrezikuar pacientët dhe gjithashtu edhe nëpër qytet, afër kontejnerëve dhe afër hyrjeve të banesave. Në parqe shpeshherë po rrezikohen fëmijët dhe të moshuarit, prandaj këtë shqetësim e kemi ngritur edhe në mbledhjet e Kuvendit por pa sukses. Pushtetarët shpeshherë po lavdërohen se komunat tjera po e marrin shembull qeverisjen e Lipjanit, ndërkaq gjendja faktike dhe pamjet e tregojnë të kundërtën”, ka kritikuar Salihu.

Në anën tjetër Avni Jashari, shef i kabinetit të kryetarit të Lipjanit, nëpërmjet një përgjigje me shkrim është zotuar se brenda një të ardhme të afërt do të trajtohen qentë endacak.

“Deri në fund të vitit 2021ka qenë nën kompetencën e nivelit qendror trajtimi i qenve endacak. Komuna e Lipjanit është në pritje të nënshkrimit të kontratës së re dhe shumë shpejt pas hyrjes në fuqi të kontratës do të filloj trajtimi i tyre. Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari me kontratën që ka pas më herët ka trajtuar 150 qen endacakë”, ka thënë shkurt Jashari.