Arbëri

Limaj: Qëndrimi i Thaçit për Ushtrinë, për të përmirësuar imazhin e tij

Fatmir Limaj, kryetari i Nismës, ka deklaruar se qëndrimi i presidentit Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së në Ushtri është vetëm për ndriçim të imazhit të tij.

Limaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se qëndrimi për Ushtrinë e Kosovës vjen sepse PDK ka frikën se do të humbë në zgjedhje për shkak të dështimeve nën udhëheqjen e saj.

Duke përmendur Demarkacionin, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Gjykatën Speciale, Limaj thotë se PDK ka kuptuar gabimet dhe me Ushtrinë po mundohet të fitojë sërish zgjedhjet.

“Zhvillimet e tanishme dhe ky sforcim çon mallin sikur ai rreziku që kishte PDK-ja nga humbjet e zgjedhjeve herën e shkuar. Kjo për mendimin tim është sepse imazhi i tyre është i keq. Të gjitha mospunët kanë kosto. Demarkacioni, Asociacioni dhe Gjykata Speciale nuk mund të fshihen. Kjo ka pasur ndikim dhe duhet të shpiket diçka për të ndriçuar imazhin. Njerëzit krijojnë telashet vet dhe pas një kohe bëhen zgjidhësit e telasheve”, ka thënë Limaj.

Ai thotë se është habitur me qëndrimin e Thaçit duke deklaruar se ish-kryeministri i vendit po ngjan në politikan që nuk ka qenë fare më parë në skenën politike.

“Ta len përshtypjen sikur të jetë lider që nuk ka qenë hiq në skenën politike në vend. Ka qenë kryeministër për tetë vite. Tendenca për të kap flamurin se unë e bëj këtë punë e ka vetëm një qëllim. Ta përmirësoj imazhin”, ka thënë ai.

Limaj po ashtu ka thënë se partia e tij nuk do t’i thotë jo votës për Ushtrinë, por se do të marrë parasysh edhe qëndrimet e partnerëve.