Arbëri

Limaj nga Fushë-Kosova: Qytetarët jetojnë me veprat tona

Nga salla e sportit në shkollën “Mihail Grameno”, përfaqësues të këtij koalicioni i dërguan përshëndetje kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinaj, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E për t’i përcjellë zotimet e Haradinajt te qytetarët u përkujdesën kryetarët e partive të koalicionit. Ai i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se qytetarët e Fushë-Kosovës jetojnë me punët që janë përfunduar kur ai ka qenë ministër i Transportit

Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve, Konservatorëve dhe Idealit ka mbajtur tubim të enjten me banorët e Fushë-Kosovës.

Nga salla e sportit në shkollën “Mihail Grameno”, përfaqësues të këtij koalicioni i dërguan përshëndetje kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinaj, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk është këtu duke bërë fushatë me ne, por është në Amerikë duke i kryer punët e shtetit”, është thënë gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë.

Për t’i përcjellë zotimet e Haradinajt te qytetarët u përkujdesën kryetarët e partive të koalicionit.

Ai i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se qytetarët e Fushë-Kosovës jetojnë me punët që janë përfunduar kur ai ka qenë ministër i Transportit.

“Kjo pjesë, ose paralagje e Prishtinës, ka qenë tërësisht e pajetueshme. Me ardhë nga Sllatina në Fushë-Kosovë e prej Fushë-Kosovës në Prishtinë ka qenë një kiamet i madh para disa vitesh. Ne e ndryshuam, e transformuam dhe e përgatitëm si një qytet të madh, ashtu siç i ka hije një shtetit”, ka thënë ai.

E tek foli para të pranishmëve, Limaj e kualifikoi fitoren e koalicionit si fitore për Kosovën.

“Vizioni ynë është vizoni për Kosovën. Ne nuk duam fitore të një partie, të fitojë partia e të humb Kosova. Para katër vitesh ka ndodhur kjo, ka fituar një parti e ka humbur Kosova. Ne duam që përmes Koalicionit të fitojë Kosova dhe ata që ende hezitojnë, të na bashkohen”, ka thënë Limaj.

E Avdullah Klinaku, kryetar i Partisë Konservatore, ka bërë zotimin se koalicioni do ta mbrojë familjen dhe shtetin.

“Kur duhet sot ta mbrojnë familjen do ta formojnë ministrinë e familjes, e kur Kosovën duhet ta bëjnë palë të barabartë në institucionin më të fuqishëm të sigurisë do ta bëjnë edhe pjesë të NATO-së”, ka thënë Klinaku.

Mbështetësve të koalicionit iu drejtua edhe kandidati për deputet, Daut Haradinaj, i cili kërkoi që në zgjedhjet e 9 shkurtit të penalizohet qeverisja katërvjeçare e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, gjatë katër vjetëve të shkuar “nuk janë penalizuar vetëm qytetarët e vendit, por edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut”.

“Qytetarët e Luginës që jetojnë në Kosovë nuk e kanë të drejtën as të punësimit, as të bartjes së pronës”, ka thënë ai. “Shkoi edhe në Maqedoni dhe ndërhyrja e tij solli vetëm regres për shqiptarët atje, tani në pikën kufitare të flasin vetëm maqedonisht”, ka shtuar Haradinaj.

Ai theksoi se qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka dëmtuar edhe marrëdhëniet me Shqipërinë.

“Me Shqipërinë na ka prishur. Ka shkuar dy herë në Shqipëri, e 27 herë në Greqi. E, krejt këto jo rastësisht. E anuloi Kosovën në projektin energjetik. 500 milionë i blejmë në vit energji në Serbi”, ka thënë Haradinaj. “Vendimin e parë që e ka bërë si Qeveri u ka hapur rrugën produkteve serbe, e ka hequr taksën 100 për qind. Shumë kompani që unë i kom njohur në Fushë-Kosovë janë në prag të falimentimit për shkak se janë mbytur nga tregu me produkte serbe”.

E nga Shtetet e Bashkuara, kandidati për kryeministër i koalicionit ka publikuar një video, nëpërmjet së cilës theksoi se është pritur në Pentagon nga një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes dhe nga Drejtoria për Evropën Jugore dhe Qendrore. Sipas tij, diskutimet në takime janë përqendruar në partneritetin strategjik SHBA-Kosovë dhe në anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Programi qeverisës i koalicionit të emërtuar “Për Kosovën Fituese” është i ngritur mbi katër shtylla: anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO; zhvillimi ekonomik; përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke e integrim në BE; si dhe ndalja e braktisjes së Kosovës nga qytetarët.

Programi qeverisës i koalicionit përfshin edhe dyfishim të pagave në sektorin publik dhe rritje të pagës minimale mbi 500 euro. Në program qeverisës përfshihet edhe mbështetja për gratë dhe shtesat për fëmijët e porsalindur. 1,500 euro është shuma që ky koalicion është zotuar se do ta ndajë për familjet që presin fëmijën e parë, 2,500 për të dytin dhe 3,500 për të tretin.