Arbëri

Ligjin për transportin rrugor rregullon orarin e shoferëve në distanca të gjata

Për aksidentin rrugor në Kroaci, nga i cili humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë, dyshimet e para tregojnë se ndodhi pasi shoferin e kishte zënë gjumi.

Shoferët që punojnë në këtë sektor edhe pushimin e kanë të rregulluar me Ligjin për transportin rrugor.

Sipas këtij Ligji, kohëzgjatja e ngasjes ditore nuk duhet ta tejkalojë nëntëorëshin. Ajo mund të zgjatet në dhjetë orë, por jo më shumë se dy herë gjatë javës.

Po ashtu, pas 4 orë e gjysmë ngasjeje, shoferi duhet të marrë një pauzë të pandërprerë prej 45 minutash, që rregullohet po ashtu me Ligjin për transport.

KOHA ka kontaktuar me agjencinë Deva Tours, autobusi i së cilës u aksidentua.

Të njëjtët kanë thënë që kanë pushuar në hotel para se të ndodhte aksidenti.

Me Ligjin për transportin përcaktohet edhe numri i stafit brenda mjetit që vozitet. Neni 1.63 thotë se të paktën dy shoferë duhet të jenë në bordin e automjetit.

"Kohëzgjatja e drejtimit të automjetit është kohëzgjatja e ngasjes të ekuipazhit, gjendja në të cilën gjatë drejtimit të përbërë mes dy periudhave të njëpasnjëshme të pushimit të përditshëm ose në mes të një periudhe të pushimit ditor dhe një pushimi javor ka të paktën dy shoferë në bordin e automjetit që të sigurojë ndërrime. Në orën e parë te vozitjes, prania e shoferit tjetër apo tjerëve është fakultative, por kjo është e detyrueshme për pjesën tjetër të periudhës së vozitjes", thuhet në Ligj.

Nga kompania Deva Tours thonë që gjithmonë kanë udhëtuar në linjën Frankfurt – Prishtinë me dy shoferë, përkundër kohëzgjatjes së udhëtimit.

Udhëtimi me autobusë nga Frankfurti në Prishtinë, siç edhe e kishte linjën autobusi që u vetaksidentua, zgjat rreth 19 orë, duke mos llogaritur ndalesat që mund të bëjë ngasësi i autobusit.

Nga kjo i bie që secili shofer të ketë vozitur autobusin mbi nëntë orë.

Kjo me Ligjin për transport konsiderohet si kundërvajtje e lehtë dhe dënohet me 25 euro gjobë për ngasësin dhe 250 euro gjobë për operatorin.

Derisa, ngasja e mjetit mbi dhjetë orë deri në njëmbëdhjetë orë cilësohet si kundërvajtje e rëndë dhe dënohet me 35 euro gjobë për drejtuesin e mjetit dhe 350 euro gjobë për kompaninë.