Arbëri

Ligji ua mundëson bizneseve të sponsorizojnë sportin deri në 30 milionë euro, e këtë ta llogarisin si shpenzim

Pas dy dështimeve, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave, bashkë me amendamentin e propozuar nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, i cili mundëson harmonizimin dhe funksionalizimin e Ligjit për sponsorizime.

Nga tash, ky Ligj u jep mundësi bizneseve që ta sponsorizojnë sektorin e sportit dhe për këtë pjesë të shpenzimeve, të mos paguajnë tatim, raporton KTV.

Amendamenti 5, i cili mori 76 vota të deputetëve, ua lejon bizneseve të bëjnë sponzorizime deri në 30 milionë euro, ndërsa amendamenti i cili ishte propozuar nga komisioni e i cili nuk mori përkrahjen e deputetëve, bizneseve ua lejonte sponzorizimin deri në 300 milionë euro.

Por, para se të hidhej në votim projektligji, pati mendime të ndryshme nga deputetët.

Edhe pse u deklarua se do ta përkrahë këtë projektligj përmes votës së tij, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se përmes këtij ligji do të ketë hapësirë për shpëlarje të parave.

Ndërsa, partitë e pushtetit dhe partia opozitare PSD, e përkrahën plotësisht amendamentin e deputetit Bekim Haxhiu.

Pas kësaj pike të rendit të ditës, me propozim të deputetes Dude Balje nga Grupi Parlamentar 6+, u miratua edhe Projektligji për mbrojtjen e fëmijëve.