Raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsion para anëtarëve të Komisionit Parlamentar që mbikëqyr punën e këtij institucioni, e ka prezantuar drejtori Shaip Havolli.
Ai, para deputetëve, ka bërë një përmbledhje të efekteve të punës së agjencisë, ku sipas tij janë ngritur 90 aktakuza, dhe si rezultat i kallëzimeve penale të agjencisë, janë shpallur 56 aktgjykime dënuese, për vepra si keqpërdorim i detyrës e kallëzim i rrejshëm i pasurisë.
Sipas Havollit, 98 % e zyrtarëve që do të duhej të deklaronin pasurinë, e kanë bërë këtë.
“Pasurinë duhet ta deklarojnë 4,737 zyrtarë, prej këtyre 4,660 e kanë deklaruar pasurinë apo 98%. 77 nuk e kanë deklaruar, 46 prej tyre pas afatit, 25 nuk e kanë prezantuar fare dhe 6 me arsye”, ka thënë Havolli.
Në këtë mbledhje, është diskutuar edhe për ndryshimin e emrit në Agjenci për Parandalimin e Korrupsionit, për çka është pajtuar edhe drejtori Havolli, derisa ka kërkuar edhe fuqizimin e këtij institucioni.
Pas raportimit të Havollit, në rend dite ka qenë edhe projektligji për plotësim -ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, çka ka shkaktuar përplasje të deputeteve Albulena Haxhiu e Xhevahire Izmaku.
Kjo e fundit, nuk ishte e mendimit të shqyrtohej kjo pikë pasi Kuvendi krijoi komisionin ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.
Zhvillimeve të ditës së hënë të seancës së Kuvendit, në pikën e diskutimeve për ekzekutimin e sanksioneve penale, iu është kthyer edhe një herë Bilall Sherifi i Nismës, që bëri të ditur se është ankuar që nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, nuk ia kishte dhënë fjalën.
Sherifi, njëherësh shef i Grupit Parlamentar të Nismës, tha të ketë interpretime të ndryshme të rregullores së Kuvendit nga kryesuesit, praktikë e cila duhet të ndërpritet.